Lubonja heretiku i çmitizmit





Furkani

Në një ndër shkrimet e gazetës Mapo Alfred Lela përpiqet të paraqesë një portret të Lubonjës duke u nisur nga një qëndrim kritik i këtij të fundit ndaj Ismail Kadaresë. Shkrimi i Lubonjës lidhet me  konfliktin civil gjyqësor midis Nexhmije Xhunglinit (Hoxhës) dhe Ismail Kadaresë. Lela në formë ‘prokure’  fshikullon lehtas  Lubonjën duke cilësuar se nuk mund të krahasohet Kadare me Xhunglinin (Hoxhën). Dhe nëpërmjet një piruete letrare e mbyll shkrimi me shprehjen ‘Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxha kanë simetri sa kapela sistine me një burqa’.

Në këtë kontekst dikush mund ta shihte artificin letrar ‘Hantingtonas’ si një ballafaqim kulturor por dhe religjoz, një artific, që në fakt ka një inflacion deri diku sa kontekstual por dhe individual. Kështu ‘Sacellum Sixtinum’, është kupola e famshme në Pallatin Apostolik, rezidenca e Papës në shtetin e Vatikanit. Ndërkohe ‘burka’ (برقع), është një veshje karakteristike e përdorur nga femrat muslimane kryesisht në Pakistan, Afganistan dhe Indi ku mbulesa e fytyrës është e qëndisur në katrorë.

Lela e mbyll me atë që e fillo shkrimin, me paradoksin ku Ismaili me emër musliman (që i përket bektashizmit, një sekt i fesë muslimane — kjo sipas intervistës së Kadaresë dhënë se fundi Lola Galan në El Pais),  simbolikisht i degëzohet perëndimit që Lela e paraqet nëpërmjet një institucioni katolik megjithëse sot harta fizike dhe kulturore e atij që quhet perëndim përfshin pjesë të Azisë, Europës, Amerikës së veriut dhe Oqeanisë.  Përvec kësaj,  sot është shumë e qartë  se Europa ia dedikon zhvillimin e saj revolucioneve franceze, të cilat në thelb goditën pushtetet pa limite të autokracisë së monarkëve dhe kishës katolike si dhe mosrespektimin e minoriteteve. Kështu katolicizmi ishte fe zyrtare në Francë deri në vitin 1789, dhe shtetësia lidhej me të qënit katolik, ndërsa minioriteteve të tjera religjoze, si ato protestante dhe hebraike, ju mohohej tërësisht ekzistenca dhe aksesi në institucionet publike.

Lidhja e burkës me Nexhmije Xhunglinin (Hoxha) është po aq poroze. Komunizmi po ashtu është i gatuar në perëndim dhe aplikuar kryesisht në Rusi, tokë e njohur ndryshe dhe si një nga qëndrat e kishës lindore. Po të kthehemi në kontekstin shqiptar si Xhunglini (Hoxha) dhe Kadare, njëri në mënyre aktive dhe tjetri mbase në formë më pasive,  shërbyen në të njëjtin sistem, i cili rrënoi si kishat dhe xhamitë. Nga ana tjetër Xhunglini i përket asaj plejade femrash komuniste që bënë ‘revolucionarizmin’ e femrës me fokus kryesor  heqjen e shamisë.  Autorët e preferuar të saj nuk ishin pakistanezë apo afganë por Barbyse, Ibsen, Ibanjez, Tolstoi etj.

Ndaj simetria e Lelës, e sjellë në post-komunizmin shqiptar, është thjesht një artific romantik, karakteristikë e mitit të të dashuruarve, një farë homoseksualizmi intelektual. Këtu dalim tek argumenti qëndror i Lelës, atë të kritikës ndaj Lubonjës, që vjen vetëm pasi ky i fundit kritikon Kadarenë.  Përsiatja e Lelës ndaj Lubonjës është një riprodhim i të njëjtës kritikë që i bëhet aij në lidhje me qëndrimet ndaj miteve. Apo dhe pozicionit të këtij të fundit  kryesisht opozitar ndaj veprimeve të elitës politike dhe benjaminëve të tyre, gjatë dhe pas komunizmit. Në këtë kontekst Lubonja ka qënë konseguent në kritikat që i ka adresuar Kadaresë.

Në shkrimin e tij Lela përpiqet ta mitizoje Lubonjën si çmitizues dhe e gjithë kritika del tërësisht jashtë kontekstit me fundin e shkrimit, duke e banalizuar argumentin, në përpjekje për ta frustruar Lubonjën me faktin se të, mbrosh Nexhmije Xhunglinin ( Hoxhën) përballë Ismail Kadaresë është si të mbrosh lindjen ndaj perëndimit.  Kjo lloj kritike bëhet edhe më apatike kur mendon se Lubonja ishte ndër ata që u sakrifikuan që Lela të jetë i lirë sot të kritikojë.

Megjithatë po ta lexosh analizën e Lubonjës të krijohet ideja që ai nuk merret vetëm me Kadarenë shkrimtar, por edhe me Kadarene si intelektual dhe rolin e tij në një sistem totalitar. Nëpërmjet shkrimit të Lubonjës nxirret në pah individualiteti i dyfishtë që prodhoi ai sistem ku dikush, në rastin më të mirë pranoi të luftojë si Uriahip (me gjuhën e Ezopit) dhe dikush si Sokrati.

Intelektuali ishte pjesë e skemës totalitare, i cili përdorej për të lançuar ideologji, riprodhuar forma komunikimi, dhe për të përcaktuar kufijtë e hapësirës kulturore, nëpërmjet krijimit të miteve.  Pra definicionet e heroit, artistit, klasës shoqërore etj, promovoheshin dhunshëm nëpërmjet modeleve që ofronte sistemi. Indulgjencën, purgatorin dhe parajsën e përcaktonte ‘Partia’. Sipas Lubonjës, libri i Kadaresë ‘Dimri i Madh’ i shërbeu me sukses kësaj kulture totalitare, e cila prodhoi karaktere pragmatistë, të drunjtë, emphatik,  dhe verbërisht të bindur ndaj sistemit diktatorial.  Në këtë kontekst, Kadare, nëpërmjet veprës së tij, me dashje ose jo,  i shërbeu degustimit shoqëror, duke prodhuar një shoqëri shqiptare e cila është e pa aftë të reagojë ndaj padrejtësisë, qoftë edhe në një sistem demokratik si ky i sotmi.

Ndaj Lubonjës i duket i pakuptimtë ‘aksioni’ i Kadaresë  për t’i kërkuar Nexhmije Xhunglinit (Hoxhës) pronën, dorëshkrimin origjinal të librit ‘Dimri i Vetmisë së Madhe’. Lubonja e sheh këtë akt të Kadaresë si artificial, pasi libri që në 80 faqe glorifikonte mitin (Enverin), tashmë e ka kryer funksionin e tij dhe pikërisht për këtë arsye i përket porositësit. Kërkesa e Kadaresë në fakt duket si një rikthim dhe konfirmim i pjesmarrjes në ‘drenazhimin’ kulturor që ju bë Shqipërisë gjatë komunizmit.

Si një vuajtës par exellance i atij sistemi, Lubonja më shumë se një analizë, sjell dhe një dëshmi sesi perceptoheshin mesazhet e sofistikuara të Kadaresë në publik. Dhe këtu ai kërkon të sjellë me të gjithë dritëhijen produktin Kadare gjatë komunizmit. Lela këtë e quan çmitizim, paçka që Lubonja vjen këtu edhe si dëshmitar historik. Nëse në rastin e Skëndërbeut ai flet si intelektual, në rastin e Kadarëse ai flet edhe si një bashkohës. Lubonja në përgjithësi  përpiqet të sjellë një këndvështrim kritik ndaj miteve me të gjithë dinamikën e plotë të tyre, qasje që ndihmon në evolimin e opinionit publik. Por duke lexuar Lelën , duket se Lubonja çmitizimin e ka punë sporti,  një formë grindavece nëpërmjet të cilës ai i imponohet publikut. Dhe jo vetëm kaq, por ka mite si Kadareja që e llahtarisin Lubonjën sepse i pari ‘ shkrimtari paraqet një ‘përbindësh’ dykrenësh: ai është jo vetëm miti, por edhe i tillë që ngrihet në të gjallë të vet’.

Nga ana tjetër Lela e sheh çmitizimin e Lubonjës si një ‘intelektual i majtë i angazhuar’ paçka që fanatizmi ndaj konsrukteve ideologjike apo historike, shumë herë të stisura, është po aq bolshevik dhe jo progresist.  Këtu Lela nuk bën ndryshim në qasje paçka që i bie nga e djathta për të folur  majtas.  Pra dhe Lela nuk i ka shpëtuar dot subkoshiencës kulturore të njeriut të ri ‘made in Albania’. Duhet pranuar që shqiptari post-komunist është qënie komplekse, është Kadare dhe Xhunglin të ndërthurur  dhe tek e fundit duhet pranuar dhe shfaqur me të vërtetën e tij.

Mesa duket, këtë përpiqet të bëjë dhe Lubonja, të çmitizojë, paçka që edhe kur çmitizon, mitikdashuruarit prap e mitizojnë. Dhe kjo fatkeqësisht  duket se nuk e ka shpëtuar Lubonjën nga turra e druve e ngritur nga kisha e miteve që ka kohë që e ka shpallur atë heretik.

 

 

Comments

  • “Kërkesa e Kadaresë në fakt duket si një rikthim dhe konfirmim i pjesmarrjes në ‘drenazhimin’ kulturor që ju bë Shqipërisë gjatë komunizmit”.. Mjaft e qelluar dhe e paqte!
    Lubonjën..”edhe kur cmitizon, mitikdashuruarit prap e mitizojnë. Dhe kjo fatkeqësisht duket se nuk e ka shpëtuar nga turra e druve e ngritur nga kisha e miteve që ka kohë që e ka shpallur atë heretik të saj”… Si i behet qe FEJA te pakten, ne qasjen e nje veshtrimi islam, t’u barazlargohet veprimeve e kallepeve qe e demtuan aq shume vete thelbin e besimit ne krishterimin europian (ckisherim, djegje hretikesh, lumturime, etj). Lubonja ka nje qasje te shendetshme deri tek gjysma e shehadetit por, pas asaj druaj se mbetet mjaft i turbullt e i dobet per te prodhuar zgjidhje permbajtesore. Edhe matematika, apo fizika kane mite logjike pa te cilat nuk do mund te perdoreshin me aq sukses nga teknologjia. Cmitizim per hir te cmitizimit, mendoj, do ishte i pashendetshem ne rrjedhat e trazimit shpirteror qe kalon shoqeria shqiptare. Besimi monoteist ka gjithe arsyet t’i rrefeje premtimit te pambajtur te Iluminizmit qasjen e deshtuar e tragjike te radikaleve progresiste apo anarkise filozofuese te moralit pa Zot. Me mirenjohje per shkrimin e perhollesine e thurjes.

  • Ndoshta bime, kjo toke s’do te rrise
    Por do rrise mercenare

    (tekst i nje kenge partizane, ne filmin: “Ata ishin kater”)

  • A e konfirmon dot njeri qe Alfred Lela ekziston?

    Edhe une mund ta hap nje sportel ne Facebook e te nxjerr ndonje koke prej aty, e po pastaj?

  • Sido qe te jete, ekziston Henry Chili (alias, Naim Cili), qe darovit te gjithe sahanet e prapavijes se pushtetit ne Shqiperi.

  • Lela mire qe e ka Alfred, se kush e di c’fare emri ‘atlantiko verior’ kishte per te vu….mire qe si kane thone dhe Ismailit ta nderroje…mbase ky e ma per te prish synin e keq.

  • Duhet ta kete lider shpirteror, ose duhet te jete per te “the way of life”.
    Thene ndryshe, eshte skafi i integrimi, mjeti per tu hedhur pertej, ne boten e qyteteruar, ose, uji i pagezimit per t’ia dale te mos jesh me Naim.

  • U qame nga kapitalizmi paraushtarak i kapterrave dhe komisareve, u qame nga Vehbi Alimucat e Luan Bregasit, tani kemi kapitalizmin ‘akademik’ qe ta mat koken me precizion laboratorik, para se te ta rrase deri ne sy te njejten kapele me era qen te Vehbiut

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *