Telenovela e Krimit





Loela Xhafa.

Shumëkush do të donte të mos ishte pesimist për sigurinë personale, publike dhe qytetare. Mirëpo, përtej çdo dëshire, kjo është e pamundur. Të thuash se krimi ka pësuar rritje të frikshme nuk është fare pesimizëm, por një realitet i pashpresë për t’u ndryshuar tani për tani.

I gjithë shtypi i shkruar dhe i folur shqiptar e ka të zënë ballinën me krime të përmasave, formave, vendeve dhe arsyeve të ndryshme. Tani askujt nuk i bën më përshtypje mënyra e servirjes së krimeve nga gazetat, vërtetësia e detajeve dhe informacioneve që ato japin, sepse përpunimi publik është i menjëhershëm dhe shumëkush lutet që të mos jetë viktima e rradhës, ose, në i rëntë lapsi të jetë viktimë e ndonjë agresioni të mundshëm, të ketë fatin që agresori ta lërë gjallë dhe të mos pësojë fatin e hidhur të së ndjerës Fatbardha Tafaj.

Krimet e kryera janë nga më monstruozet: babai vret vajzën, biri rreh nënën, fqinji vret fqinjin, vëllai motrën, i dashuri vret të dashurën, hedhje foshnjash nga dritarja e maternitetit, kriminelë ordinerë rrugës vjedhin dhe vrasin.

Sigurisht që kritikat për këtë gjendje i shkojnë jo vetëm policisë, por gjithë sistemit tonë të drejtësisë, i cili, megjithë përpjekjet e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, nuk po arrin që nuk po arrin të formësohet dhe të luajë rolin për të cilin i harxhon shtetit miliarda lekë: vendosjen e rendit dhe sigurisë publike, vendosjen e drejtësisë, fundja. Trinomi Polici-Prokurori-Gjykatë është më i shkërmoqur se kurrë. Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë i gjen të hedhin akuza ndaj njëri-tjetrit nga sallat e hoteleve të shtrenjta ku zgjedhin të japin konferenca shtypi a të analizojnë punën e tyre, pa harruar këtu akuzat dhe qurravitjet e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj Gjykatave në përgjithësi, ndonëse Prokuroria vetë është pushtet më vete dhe ka gjithë autoritetin e duhur për të bërë punën e saj. Po ashtu konflikti i Presidencës së shkuar me ekzekutivin prodhoi shumë probleme me mbarëvajtjen e punëve

Nëse do të mbetemi te drejtësia (hall i madh ky e s’kemi ç’bëjmë), më bëri përshtypje reagimi i Ministrisë së Drejtësise dhe Ministrisë së Brendshme për rastin e vrasjes së të ndjerës Fatbardha Tafaj dhe kapjes së njërit prej të dyshuarve. Fill pas vrasjes u vu në lëvizje policia kryeqytetase dhe pas hetimesh intensive arriti të prangosë njërin prej të dyshuarve, Aldo Hoxha dhe pas kësaj, Ministri i Brendshëm u kuturis të bëjë një vizitë në shtëpinë e së ndjerës. Do ishte mirë që ministri, sadoqë i sapoardhur në detyrë,  të bindë e të qetësojë gjithë opinionin publik për mënyrën se si do të na e sigurojë jetën dhe pronën, në vend se të ngushëllojë për raste vdekjesh, sepse në qytetet turistike dhe jo vetëm, krimi ordiner dhe ai i rëndë po rrudhos jetën e përditshme.

Ndërkaq ministri i drejtësisë Halimi kërkoi shqyrtimin e dosjes së të dyshuarit Aldo Hoxha, por për fat të keq këto shqyrtime e inspektime nuk shkojnë kurrë deri në fund. Kujtojmë këtu inspektimet e mëparshme të Ministrisë së Drejtësisë ndaj punës së gjyqtarëve në disa rrethe kryesore të vendit dhe megjithë shkeljet e rënda të konstatuara e të bëra publike, si dhe masat e propozuara para Këshillit të Lartë të Drejtësisë, puna nuk shkoi kurrë deri në fund. Mosçuarja e punëve deri në fund ka prodhuar dhe prodhon dështim të gjithanshëm.

Teksa dëgjojmë përditë televizionet të na japin informacione se si do te plotësohen 12 prioritetet e BE-s për t’u pranuar te kjo e fundit dhe grindjet mesjetare e kokëforte pozitë-opozite, të duket sikur lidhja e gjithë spektrit politik me realitetin në vend është shkëputur prej kohësh. Gjithë konfliktet politike përmblidhen në emërime e shkarkime dhe në kundërshtitë bajate të opozitës për to, akuza për lidhje me mafian, për imunitete e heqje imunitetesh. Ndërkaq jashtë zyrave qeveritare e opozitare, populli, ose më mirë të themi, popullata hallexhie jeton në gjendje natyrale dhe përpiqet t’i zgjidhë hallet me zyrat e shtetit si në kohën e Zogut. Në fakt, jo tamam si në kohën e Zogut, por sipas arealit të ngritur nga regjimi diktatorial për kohën e Zogut.

Shumica e qytetarëve të këtij vendi ka pasur rastin të kalojë nëpër dyert e policisë, prokurorisë e gjykatave dhe çdo qytetar ka një histori më vete për mënyrën se si funksionojnë këto organe. Të mos flasim pastaj për gangrenën e pronave, hipotekave etj. Efektet negative emocionale dhe psikologjike që përcjellin këto lajme të mynxyrshme mundohet të na i shuajë shtypi i përditshëm me oferta (të nxehta edhe këto) pushimesh verore  e sidomos  me lajme vipash e vipeshash që na tregojnë se çfarë hanë e pijnë, çfarë veshin, ku i kalojnë pushimet, sa të shtrenjta i bëjnë pazaret, si rrihen e përqafohen e plot e plot xhevahire të tjera.

Në gjithë këto histori me krim e kërkim-drejtësie kulmon krimi i kryer nga 18-vjecarja Nazmije Visha që, përtej faktit të një krimi ordiner me bazë fukarallëkun, injorancën, imoralitetin, përdhunimin, kushtet mjerane sociale, ekonomike etj, është kthyer në telenovelën e përditshme të gazetave shqiptare. Gazetat kanë shpalosur gjithë erotizmin e ngjarjes me një gjallëri të paparë dhe mbi baza të dyshimta për sigurimin e provës (lexo: celularit të vrasëses).

Shpejtësia e nxjerrjes së sekreteve të viktimës dhe të dyshuarës për vrasje ngjan me lajmet që kapin paparacët për gjithfarëlloj figurinash Big Brother-iste, por me ndryshimin se nëse, figurinat mëtojnë të argëtojnë një publik të caktuar dhe të interesuar për to, telenovela gazetareske Visha-Muca nuk bën gjë tjetër vetëm se na trishton për faktin se si katandisen çështje, mbase të rëndomta si krime, por të rënda e të rëndësishme nga pikëpamja sociale dhe edukative e kësaj shoqërisë sonë, që përveç harbimit pa fre të blogjeve dhe hapësirave virtuale rezulton në bukosjen e çdo mendimi ndryshe.

Megjithë ndonjë zë tek-tuk për imoralitetin e trajtimit të çështjes, telenovela Visha -Muca vazhdon duke stepur edhe ndonjë zë të arsyeshëm që mundohet ta trajtojë këtë çështje nga një këndvështrim ndryshe, sipas së cilit mbase viktima është vetë Nazmija, lindur dhe rritur në një ambjent më shumë se mesjetar.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *