Islami sipas modelit pyetje-përgjigje





Rezart Beka

Në jetën e një besimtari, preokupimi parësor është Islami. Feja është një amanet i dorës së parë,të cilin çdo besimtar është i urdhëruar ta përmbushë në mënyrë sa më të plotë dhe të vetëdijshme. Besimi dhe përsosja e tij është “obsesioni” sublim, në të cilin çdo besimtar është thirrur të marrë pjesë në mënyrë individuale. Por, mënyrat që myslimanët përdorin për të përmbushur amanetin e fesë dhe besimit janë të ndryshme dhe shumë prej tyre janë ravijëzuar qartë në Kuran dhe në Sunet.Disa prej tyre përfshijnë leximin, dhikrin, meditimin, soditjen, punët e mira etj. Të gjitha mënyrat e treguara në fe, të cilat e dërgojnë njeriun drejt përmbushjes së qëllimit të krijimit të tij, që është adhurimi sa më i vetëdijshëm dhe i vërtetë i Zotit, duket se dërgojnë drejt një konceptimi specifik: Feja dhe besimi janë diçka që duhen bartur personalisht nga individi, besimtari duhet të vërë në lëvizje të gjitha shqisat dhe dhuntitë e tij njohëse dhe shpirtërore për të kuptuar sa më mirë të vërtetën që Zoti ka shpallur për të dhe realitetin e ekzistencës dhe fatit të tij në botën tjetër. Askush nuk mund ta mbartë barrën e tjetrit; besimtari është tërësisht përgjegjës për besimin dhe veprat e tij. Prandaj edhe ai është i thirrur individualisht që t’i përmbushë këto të fundit në mënyrën më të mirë, duke ndjekur udhëzimet e dhëna në Kuran dhe Sunet.

Mënyra se si kohët e fundit ky amanet dhe kjo përgjegjësi e madhe është realizuar ka qenë kryesisht përmes metodës së pyetje-përgjigjeve. Vitet e fundit metoda e pyetje-përgjigjeve ka mbizotëruar skenën xhematore shqiptare, duke eklipsuar dalëngadalë metodat e tjera. Vlera që i është dhënë kësaj metode nga në pjesë e mire e hoxhallarëve dhe besimtarëve ka arritur përmasa shumë të mëdha. Në shumë raste ajo ka arritur deri në ekstrem. Prandaj, seanca e pyetje-përgjigjeve në xhami është bërë në shumicën e rasteve ngjarja më e rëndësishme e javës (pas xhumasë); ajo është fusha ku duket se imamët tregojnë zotësitë e tyre dhe konkurrojnë me njëri-tjetrin për prestigj. Pyetje-përgjigjet janë bërë objekti që tërheq vëmendjen më të madhe të xhematit. Duket se kjo metodë është shndërruar në një paradigmë.

Në fakt, ajo ka filluar të tejkalojë kufijtë e xhamisë. Një pjesë e mirë e imamëve ka filluar t’i kthejë përgjigje jo vetëm shqetësimeve të xhematit të tij, por edhe të shoqërisë në përgjithësi, madje edhe të pyetësve nga diaspora. Ndonjëherë në xhami, gjatë seancës së pyetjeve-përgjigjeve, përfshihen edhe pyetjet nga interneti. Në fakt mjetet elektronike duket se janë bërë arena e fundit ku ‘përleshen’ përgjigjet e hoxhallarëve të ndryshëm. Websitet, facebook-u, youtube-i gëlojnë nga video dhe audio të hoxhallarëve të cilët zhvillojnë seanca të gjata pyetje-përgjigjesh. Në disa raste këto seanca zhvillohen edhe në televizione, lokale apo kombëtare. Madje metoda e pyetje-përgjigjeve është shndërruar në një zhanër letrar.Kësisoj nëpër librari hasen një sërë librash të temave të ndryshme fetare, të kompozuara sipas metodës pyetje-përgjigje. Ky fenomen ka arritur përmasa të paprecedent dhe tërheq në po të njëjtën mënyrë vëmendjen dhe energjitë e myslimanëve. Në mungesë të një termi të përshtatshëm, këtë përdorim dhe konsumim të ekzagjeruar të pyetje-përgjigjeve do ta quajmë “Islami sipas modelit pyetje-përgjigje”. Në vijim, dëshirojmë të shqyrtojmë më në thellësi pikërisht këtë model.

Islami sipas modelit pyetje përgjigje atrofizon dhuntitë më të larta njerëzore

Njeriu është krijesa më e lartë e Allahut, të cilën Ai e ka bërë bartës të amanetit hyjnor, i ka krijuar mundësinë të jetë mëkëmbësi (khalifullah) i përsosur i Tij. Allahu e ka pajisur njeriun me një sërë dhuntish shpirtërore dhe njohëse, të cilat jo vetëm ia mundësojnë atij përmbushjen e qëllimit të lartë të krijimit të tij, por edhe e dallojnë atë nga të gjitha krijesat e tjera. Ndër këto cilësi mund të përmendim njohjen e zemrës, arsyen, intuitën, ndjenjat, fitrën, aftësitë reflektuese, medituese etj. Të gjitha këto cilësi janë vënë në shërbim të njeriut në mënyrë që ai të njohë lirisht Zotin dhe po në mënyrë të tillë të zgjedhë ta adhurojë atë.

Njeriu është i obliguar që t’i kuptojë situatat e jetës duke vënë në përdorim këto dhunti të larta dhe më pas të bëjë zgjedhjen më të mirë duke iu larguar së ligës. Kështu që, në jetën e përditshme njerëzit përballen me situata dhe probleme të ndryshme që kërkojnë kuptim dhe veprim. Normalisht, sapo njeriu përballet me një situatë të tillë ai aktivizon të gjitha dhuntitë e tij njohëse (shpirtërore dhe racionale) për ta kuptuar atë dhe për të vepruar në mënyrën e duhur. Pas njëfarë kohe, mbi bazën e rasteve të mëparshme të zgjidhura, ai fillon të krijoi një përvojë dhe zgjidhja e problemeve të mëtejshme bëhet më e lehtë. Falë përvojës së tij personale dhe përvojës kolektive, që përmblidhet në urtësinë e traditës, si edhe falë dritës që Allahu i jep besimtarëve gjatë aktit të analizës së problemeve, njeriu arrin që të orientohet në këtë botë dhe të mos humbë nga vëmendja të vërtetat në lidhje me Zotin, botën, shpalljen, njeriun dhe botën tjetër. Sa më shumë njeriu i përdor dhe aktivizon dhuntitë e tij të arsyes, fitrës, njohjes së zemrës, reflektimit, soditjes, etj, aq më shumë ai arrin të njohë Zotin dhe të penetrojë në thelbin e vërtetë të problemeve që shfaqen gjatë jetës.

Ndonjëherë habitemi se si shumë njerëz nga brezi i vjetër, pa kurrfarë shkollimi a përgatitjeje intelektuale, shprehin aftësi të admirueshme për të kuptuar situata të ndryshme dhe për të shprehur të vërteta të mëdha për Zotin. Ajo që njihet ndryshe si “urtësi popullore”, e pakultivuar nëpërmjet shkollimit dhe literaturës, buron pikërisht nga fenomene të tilla. Kjo vjen falë faktit se këta njerëz janë mbështetur tek kultivimi i dhuntive që Zoti u ka dhuruar dhe së bashku me adhurimin e sinqertë ata kanë arritur të kenë një firaseh (intuitë njohëse) të admirueshme. Në këtë dukrui shohim të përmbushur hadithin e Profetit: “Ruhuni nga firase-ja e besimtarit sepse me të vërtetë ai shikon me dritën e Allahut”, – ndërsa më pas (Profeti) lexoi ajetin: “Në të, vërtet ka argumente për ata që mendojnë”.[1]

Islami sipas modelit pyetje-përgjigje shkon në kundërshtim me këtë. Kur një besimtari që ndjek këtë metodë i paraqitet një situatë problematike, në pjesën më të madhe të rasteve ai nuk vë në lëvizje asnjë nga dhuntitë që përmendëm më lart, por e transferon problemin, në formë pyetjeje, nga vetja e vet për tek hoxha. Hoxha e merr problematikën dhe e kalon nëpër filtrat e dhuntive të tij racionale dhe shpirtërore dhe e nxjerr prej vetes së tij në formë po-je ose jo-je, lejimi apo ndalese (me argumentet përkatëse specifike), dhe më pas besimtari ndjek atë që hoxha i ka këshilluar. Mirëpo, besimtari nuk ka kuptuar asgjë rreth problemit, ai nuk di as ta njohë dhe as ta shpjegojë atë. Kjo është njësoj sikur një fëmije të vogël që të pyet se sa bëjnë 2 + 2, t’i  përgjigjesh duket thënë se bëjnë katër. Duke i dhënë përgjigjen përfundimtare, ti nuk i ke mësuar asgjë atij. Dija në këtë rast nuk qëndron tek përfundimi, por tek procesi aritmetik në bazë të të cilit nxirret përfundimi. Mirëpo, në këtë rast, këtë proces besimtari nuk pranon ta bëjë vetë dhe ia transferon hoxhës, duke qenë i kënaqur që të marrë vetëm përgjigjen e gatshme.

Kjo dukuri ndodh sot për pjesën më të madhe të problemeve që u shfaqen besimtarëve. Kjo do të thotë se, gjatë jetës së tyre fetare, ata përdorin pak ose aspak dhuntitë më të larta njerëzore dhe, në vend t’i ushtrojnë ato e të fitojnë dije nga përvoja, presin një produkt të gatshëm, në formë lejimi ose ndalimi, nga ana e hoxhës. Kjo bën që dhuntitë e natyrshme njerëzore të mpihen, të atrofizohen ose të pezullohen dhe njeriu, me kalimin e kohës, të humbë kapacitetet e tij njohëse. Nëse përgjigjen e merr nga jashtë, dhuntitë njohëse pushojnë së punuari për zgjidhjen dhe njeriu bëhet gjithnjë e më i paaftë për t’i dhënë zgjidhje çështjeve të tij dhe gjithnjë e më i varur nga imami. Për këtë arsye dëgjojmë shpesh pyetje groteske, qesharake, banale, për të cilat mjaftonte një arsyetim shumë i thjeshtë, një bonsens minimal, një intuitë bazike për t’u përgjigjur. Fatkeqësisht, pyetje të tilla janë të shpeshta dhe vijnë si rezultat i mpirjes, atrofizimit apo pezullimit të dhuntive njohëse njerëzore që bëhet e mundur si pasojë e zbatimit të Islamit sipas metodës pyetje-përgjigje. Pra, një nga problematikat e kësaj metode është se e privon njeriun nga dhuntitë që përbëjnë dallimin e tij ndaj krijesave të tjera, nga dhuntitë që janë të domosdoshme për një jetë të shëndetshme fetare.

Islami sipas modelit pyetje-përgjigje dëmton dijen

Ndoshta një nga arsyet që në mendjen e xhematit e përligj më së shumti metodën e pyetje-përgjigjeve është bindja se përmes kësaj metode përftohet dija. Ekziston bindja se kjo metodë është mjeti më i mirë për të përçuar dhe përftuar dije. Ndërkohë që, nëse kjo çështje do të shqyrtohej pak më nga afër, do të arrihej në përfundimin e kundërt, gjegjësisht se në vend që ta rrisë dhe forcojë dijen, kjo medotë e mësimit të fesë e dëmton atë.

Kjo dukuri vjen si pasojë e një zhvlerësimi të përgjithshëm (më të gjerë se sa xhemati islam) të dijes. Në shoqërinë tonë dija ka filluar të identifikohet gjithnjë e më shumë me atë që do ta quaja dija e lojërave quiz.

Njerëz të ditur ose të mençur sot kanë nisur të mbahen se dinë t’i përgjigjen pyetjeve rreth imtësive më të çuditshme. Ata të cilët dalin të parët nëpër lojërat quiz, që shfaqen nëpër media, si objekt kërsherie. Ata janë të aftë të dinë edhe se sa kopsa ka pasur palltoja e Stalinit, sa predha përdorën gjermanët në rrethimin e Stalingradit, sa ushtarë zbarkuan në Normandi dhe sa bomba u hodhën mbi Berlin, por nuk dinë të thonë se çfarë është lufta në vetvete, ç’kuptim ka ajo për ekzistencën njerëzore dhe çfarë leksioni nxjerrim, për shembull, nga Lufta e Dytë Botërore.

Në të njëjtën mënyrë edhe Islami sipas metodës pyetje përgjigje prodhon të njëjtin lloj njeriu “të ditur”. Ata të cilët janë të dhënë pas kësaj metode, janë të aftë të thonë përmendësh dhjetëra përgjigje për mesele të ndryshme, por kryesisht janë krejtësisht të paaftë të njohin thelbin e meselesë, çelësin që e zbërthen atë. Njeriu mund të mësojë një fjalor gjuhësor përmendësh, por ajo që do t’ia mësojë vërtet gjuhën nuk janë fjalët e fjalorit, por gramatika, logjika e gjuhës, lidhja konceptuale e fjalëve me njëra-tjetrën.

Arsyeja përse Islami sipas modelit pyetje-përgjigje nuk prodhon dije të vërtetë është sepse shumica e pyetjeve të bëra nuk janë pyetje të vërteta ose, më saktë, nuk janë pyetje dijeje. Një pyetje e vërtetë ose pyetje dijeje është ajo pyetje që vjen pas një reflektimi dhe përsiatjeje të gjatë, ku besimtari është munduar të vendosë në funksionim të gjitha aftësitë e tij dhe ka ngelur në një ngërç, të cilin nuk e kalon dot. Për këtë arsye, ai shkon të pyesë imamin, jo për të ditur rezultatin përfundimtar, por për të mësuar mënyrën se si ta kalojë këtë ngërç. Në këtë rast imami i tregon rrugën se si të shkojë drejt zgjidhjes.Ky është modeli i një pyetjeje të vërtetë ose pyetje dijeje. Ndërsa në rastin tonë, siç e thamë edhe më lart, shumica e pyetjeve nuk vijnë si rezultat i përsiatjes dhe meditimit personal, por si pasojë e transferimit të problemeve që besimtarët  u bëjnë problemeve të tyre tek imamët, duke kërkuar tek ata përgjigje përfundimtare. Rezultati është përftimi i një dijeje quiz-i, ku besimtari njeh përgjigjet e meseleve, por nuk njeh metodën se si arrihet tek ato përfundime. Pra, ai nuk është i ditur dhe ndjekja e kësaj metode nuk ia ka shtuar dijen, por informacionin.

Në fakt, në tekstet fetare nuk gjendet ndonjë e dhënë se dija përftohet përmes metodës së pyetje-përgjigjeve, por ama janë të shumtë ato tekste fetare që pohojnë se dija përftohet përmes leximit, dhikrit, mendimit, reflektimit, mësimit fetar etj. “Ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruajna prej dënimit të zjarrit!” (Ali Imran 191).

Metoda pyetje-përgjigje nuk i jep prioritet faktorëve personalë të lartpërmendur (leximit, mendimit, meditimit, përkujtimit etj.), por i jep prioritet marrjes së përgjigjeve të gatshme nga hoxhallarët. E gjitha kjo nuk ndihmon në kultivimin e dijes. Kjo vërehet edhe tek rënia drastike e lexuesve të librave brenda xhematit, si edhe tek prania e ulët e njerëzve në mësimet e dijes që mbahen në xhami, përkundër numrit të shumtë të njerëzve të pranishëm gjatë seancave të pyetje-përgjigjeve. Pra, kjo metodë dëmton elementët kryesorë të përfitimit të dijes: leximin e librave, pjesëmarrjen në rrethet e dijes si edhe kultivimin e meditimit, reflektimit dhe thellimit personal.

Islami sipas modelit pyetje-përgjigje vështirëson fenë

Shumica e njerëzve i drejtohen kësaj metode për të gjetur zgjidhje për problemet e tyre, duke e parë këtë si mënyrën më të kollajtë, për zbatimin e fesë në jetën e përditshme. Por, në fakt, nëse i hedhim një vështrim pak më të thellë kësaj çështjeje, do të shohim se situata nuk është kështu. Në të vërtetë, ky model i zbatimit të fesë në vend se ta lehtësojë jetën e besimtarit, e vështirëson atë. Kjo sepse, siç e kemi përmendur më lart, ata që veprojnë kështu janë të prirur që për çdo gjë që bëjnë, të pyesin paraprakisht. Mirëpo jeta ka ritmet e saj, situatat janë dinamike dhe jo gjithnjë ka kohë që çështja të kalojë dorë pas dore, derisa të merret një përgjigje për të. Kjo bën që shpesh ata të ndihen ngushtë sepse përditshmëria kërkon zgjidhje dhe vendime të atyperatyshme, ndërsa dhuntitë e tyre natyrore janë të atrofizuara dhe të mpira duke qenë se ata janë mësuar që përgjigjet t’i marrin nëpërmjet imamit. Madje ndodh shpesh që, edhe kur ata kanë mundësi për të marrë vendime individuale, edhe kur çështja është fare e thjeshtë për të gjykuar individualisht, shumë besimtarë ndihen në faj nëse marrin vendime pa konfirmimin e imamit dhe pezullojnë gjithçka deri sa të marrin përgjigje për çështjen.

Në këtë mënyrë, i gjithë ritmi natyror i jetës ngadalësohet dhe çështjet nuk rrjedhin natyrshëm. Për shumë besimtarë, e gjithë kjo kthehet në një bezdi, në një lodhje dhe vështirësi. E gjithë jeta fetare ngjan si një ingranazh që lëviz me vështirësi. Kësisoj Islami sipas modelit pyetje-përgjigje, në vend se të jetë një lehtësim për besimtarët, kthehet në një vështirësi dhe mundim, duke rënë kështu në kundërshtim me hadithin e Profetit, që thotë: “Me të vërtetë feja është e lehtë (e natyrshme), kush tregohet i ashpër në të, feja do ta mund atë” (Buhariu).

Islami sipas metodës pyetje-përgjigje nuk është në përputhje me Sunetin e Profetit (a.s.)

Ndoshta pika më e rëndësishme është fakti se Islami sipas modelit pyetje-përgjigje nuk është në përputhje me Sunetin e Profetit (a.s.). Nëse do t’i hidhnim një vështrim të përgjithshëm Sunetit të Profetit (a.s.), do të shihnim se tekstet të cilat vlerësojnë dhe çmojnë kërkimin dhe thellimin në dije, meditimin, reflektimin, inteligjencën, arsyen dhe njohjen e zemrës janë të panumërta. Njerëzit që karakterizohen nga këto cilësi janë lavdëruar në dhjetëra ajete kuranore, ndërsa në hadith ata janë quajtur trashëgimtarë të profetëve. Dallimi i tyre me njerëzit e tjerë është përshkruar si dallimi i hënës me yjet, madje për ta është thënë se luten krijesat e Zotit. Prandaj edhe kërkimi i dijes ose dija është konsideruar si obligim për të gjithë myslimanët.

Në krahun tjetër, tekstet e Kuranit dhe Sunetit në lidhje me pyetjet që u dalin besimtarëve janë shumë të pakta dhe shumica e tyre nuk shprehen në mënyrë aq pozitive në lidhje me këtë praktikë. Ajo, natyrisht, nuk shihet si një praktikë e ndaluar, por nuk shihet as edhe si një praktikë në të cilën duhet të ngulmosh. Tekstet fetare tregojnë se shmangia e pyetjeve të shumta është më e preferueshme. Profeti (a.s.) në një hadith të mirënjohur ka thënë: “…Popujt e mëparshëm janë shkatërruar nga pyetjet e shumta dhe nga kundërshtimi i Profetëve të tyre” (Buhari).

Suneti i Profetit (a.s.) na shfaq një karakteristikë dalluese: nga njëra anë kemi një mbitheksim të vlerës dhe pëlqyeshmërisë së thellimit në dije, të soditjes, meditimit dhe reflektimit personal, si edhe të vendosjes në lëvizje të të gjitha dhuntive njohëse njerëzore dhe, nga ana tjetër, kemi një thirrje për t’u përmbajtur nga pyetjet e shumta, nga të konsideruarit e kësaj metode si një formë kryesore njohjeje fetare. Pra, Suneti i Profetit (a.s.) na paraqet me një model ku theksi vihet mbi individin, mbi kapacitetet e tij njohëse, mbi përpjekjen individuale për tu thelluar tek shenjat e Zotit dhe për të zbuluar vullnetin e Tij.

Në këtë model, mësimi nëpërmjet pyetjeve shfaqet sekondar. Rreth kësaj tekstet fetare shprehin rezerva dhe i paralajmërojnë besimtarët nga tejkalimi i masës. Ky model profetik është ndjekur edhe nga selefët, të cilët njiheshin për përmbajtjen e tyre nga të bërit pyetje si edhe për përmbajtje nga dhënia përgjigje. Janë të mirënjohura transmetimet ku rrëfehet mospëlqimi i selefëve për të dhënë fetva, për të thënë çfarë është hallall apo haram. Po ashtu, i mirënjohur është edhe fakti që ata nuk preferonin t’i jepnin përgjigje pyetjeve, prandaj i dërgonin besimtarët tek dijetarë të tjerë. Numri i pyetjeve të cilave ato i përgjigjeshin ishte vërtet i vogël në krahasim me pyetjet që i paraqiteshin.

Pra, në modelin profetik, të vazhduar nga selefët, individi e sheh veten tërësisht përgjegjës për fenë e tij dhe angazhohet plotësisht në të kuptuarit dhe përmbushjen e saj dhe i përdor pyetjet vetëm në raste të rralla dhe të domosdoshme. Ndërsa në Islamin sipas modelit pyetje-përgjigje ky realitet profetik është përmbysur: pyetjet kanë zënë një vend të spikatur, ndërsa lëvrimi i dhuntive njohëse (racionale dhe shpirtërore) ka dalë në plan të dytë.

Islami sipas modelit pyetje-përgjigje formon kler

Më lart përmendëm hadithin sipas të cilit Profeti (a.s.) kishte thënë: “…Popujt e mëparshëm janë shkatërruar nga pyetjet e shumta dhe nga kundërshtimi i profetëve të tyre”. Dijetarët shpesh e kanë interpretuar këtë hadith duke thënë se ndalimi i pyetjeve bëhej si mëshirë për besimtarët, sepse nëse Profeti do t’i përgjigjej pyetjeve ato do të bëheshin pjesë e Sheriatit duke u bërë obligative për të gjithë, gjë që do të sillte vështirësi në fe. Po ashtu, lidhur me shkatërrimin e  popujve të mëparshëm për shkak të pyetjeve, ata kanë përmendur hebrenjtë dhe rastin e lopës, në Suren Bekare, ku për shkak të pyetjeve të shumta ata gati sa nuk e përmbushën urdhrin e Zotit.

Po ashtu, unë mendoj se ky hadith mund të lexohet edhe në një mënyrë tjetër, e cila është tejet relevante për temën tonë. Në hadith thuhet se pyetjet e shumta i kanë shkatërruar popujt e mëparshëm dhe ndër popujt e mëparshëm më të afërt me myslimanët ishin hebrenjtë dhe të krishterët. Rrjedhimisht, ne duhet të shohim se si kjo metodë i ka dërguar ata në devijim. Për këtë, ndoshta na vjen në ndihmë ajeti kuranor ku Allahu (xh.sh.) thotë: “Ata i konsideruan “ahbarët” (rabinët) e tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) e tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos Allahut” (Teube, 31). Kur Adij Ibn Hatib (sahabi, i cili asokohe ishte ende i krishterë) dëgjoi këtë verset nga Profeti, tha se ata nuk i adhuronin priftërinjtë për zota, por Profeti i tha: “Po, me të vërtetë ata jua bënin harramin hallall dhe jua bënin hallallin harram dhe ju i ndoqët. Ky është adhurimi që ju i bënit atyre”.

Jam i mendimit se kjo thënie e profetit shpjegohet më së miri përmes konceptit të klerit. Shpesh thuhet se Islami nuk ka kler, por rrallëherë shpjegohet se ç’nënkupton koncepti i klerit. Në fetë ku ekziston kleri, shpëtimi i Zotit nuk prek në mënyrë të drejtpërdrejtë njerëzit, por ndërmjetësohet përmes një klase priftërore. Njerëzit nuk mund të kontaktojnë dhe të hyjnë në marrëdhënie shpëtimi të drejtpërdrejtë me Zotin, por duhet së pari të kalojnë përmes klasës priftërore. Kjo klasë luan rolin e ndërmjetësit mes njerëzve dhe Zotit. Pa klerin njerëzit nuk do të mund të shpëtonin. Ata janë klasa e njerëzve të “shenjtë”, të cilët janë të vetmit të ngarkuar me kuptimin fesë dhe administrimin e shpëtimit. Besimtarët thjesht i besojnë atyre dhe ndjekin çfarë thotë kleri, ata janë grigja dhe kleri është pastori.

Ky lloj koncepti bën që besimtarët, duke ia ngarkuar përgjegjësinë personale për fenë dhe shpëtimin klasës priftërore, të shkëputen nga burimet fetare dhe të mos thellohen në to. Ata bëhen të paditur në fenë e tyre dhe ndjekin vetëm çfarë udhëzon kleri. Duke ia transferuar përgjegjësinë personale për njohjen e fesë priftërinjve, ata bëhen thjesht pritës pasivë të udhëzimeve të klerit. Duke qenë kështu, ata bëhen të varur pothuajse për gjithçka nga priftërinjtë. Es-Sudij, kur e komenton ajetin ku thuhet se të krishterët dhe hebrenjtë i morën rabinët dhe priftërinjtë si zota përveç Zotit, thotë: “I kërkonin këshilla njerëzve (d.m.th. rabinëve dhe murgjve) dhe lanë pas shpine librin e Allahut”.

Pyetje-përgjigjjet janë metoda e preferuar për të marrë nga kleri atë që mendohet si shpëtim. Kleri pyetet dhe ndiqet për të gjitha aspektet e jetës. Me kalimin e kohës është krijuar një shtresë që e ka veçuar vetën si e vetmja shtresë e ngarkuar me çështjet e fesë. Kjo shtresë ka qenë kleri, i cili e shihte veten si e vetmja shtresë e autorizuar për të vendosur se çfarë është hallall dhe çfarë është haram. Shpesh, siç ka treguar historia njerëzore, për arsye të korrupsionin të brendshëm dhe dobësive njerëzore, është thënë se hallalli është haram dhe harami është hallall. Ndërkohë, besimtarët kanë qenë të shkëputur nga burimet fetare, duke ia deleguar këtë kompetencë klerit, duke ndjekur në mënyrë të verbër ‘fetvatë’ e tyre.  Në këtë rast, kleri ka zënë vendin e Zotit në udhëzimin e njerëzve dhe në ofrimin e shpëtimit, si edhe në përcaktimin e së lejuarës dhe së ndaluarës. Prej këtu kuptohen më qartë fjalët e lartpërmendura të Profetit, sipas së cilave, e gjithë kjo do të thotë t’i marrësh priftërinjtë për zota.

Kësisoj, nga pyetjet e shumta janë shkatërruar popujt e mëparshëm. Sepse pyetjet e shumta kanë krijuar me kalimin e kohës shtresën klerikale dhe i kanë shkëputur besimtarët nga burimet fetare. I kanë bërë gjithnjë e më shumë të varur nga klasa klerikale, duke i bërë klerikët të “zënë” vendin e Zotit në konceptin fetar e duke i dhënë vetes privilegjin ekskluziv për të bërë hallall apo haram diçka.

Islami sipas modelit pyetje-përgjigje, sidomos kur dërgohet në ekstrem, krijon kler. Imami zë funksionin konceptual të klerit. Njerëzit shkëputen nga tekstet fetare dhe bëhen gjithnjë e më të varur nga ai. Marrin në mënyrë jokritike gjithçka që ai thotë dhe ndihen gjithnjë rehat me të. Në një farë mënyrë, mendohet se çështjet e besimit dhe të shpëtimit i takojnë hoxhallarëve dhe se besimtarët duhet thjesht të ndjekin çfarë ata thonë. Imamët përfytyrohen si një klasë të përzgjedhurish, të cilët qëndrojnë midis Zotit dhe njerëzve, duke administruar shpëtimin për llogari të këtyre të fundit. Kjo varësi ndaj imamit mishërohet përmes kultivimit të metodës pyetje-përgjigje.

Tepër pushtet në duart e një njeriu

Një tjetër problem i Islamit sipas modelit pyetje-përgjigje, është se kjo metodë delegon tepër pushtet në duart e një personi. Imami merr një pushtet shumë të madh, ai vendos dhe jep verdikt për fatet jetësore të pjesës më të madhe të xhematit të tij. Në këtë metodë, besimtarët ia delegojnë kompetencat e tyre (d.m.th. obligimi për të njohur fenë) imamit dhe i gjithë ky pushtet mblidhet në duart e tij. Kjo gjë i shndërron ata në figura gjithnjë e më të pushtetshme. Suksesi i një imami fillon të matet me pushtetin që ai ka mbi njerëzit dhe jo tek kontributi i tij ditunor apo shkrimor. Vëmendja përqendrohet e gjitha tek figura e tij. Në një kontekst të tillë, është e vështirë që imami të thotë “jo”, “nuk e di”, apo “pyet ndonjë tjetër”.

Ky përqendrim pushteti në duart e një personi të vetëm përbën një rrezik të madh për imamin. Një nga arsyet përse selefët i përgjigjeshin pyetjeve vetëm në rastet e domosdoshme dhe një nga arsyet përse ata i druheshin dhënies se fetvave ishte sepse ata ishin të vetëdijshëm se një gjë e tillë do të sillte pushtet, do të tërhiqte vëmendjen mbi ta dhe do të përbënte një sprovë të madhe për nefsin e tyre. Dallimi ndërmjet një imami që jep përgjigje për hir të pyetësit dhe atij që jep përgjigje për hir të rolit që ka marrë, është i hollë, por implikimet e këtyre dy qasjeve janë shumë tëndryshme e të mëdha. Selefët i frikësoheshin nefsit njerëzor dhe refuzonin të mblidhnin pushtet në duart e tyre, për shkak të frikës se kjo mund t’i dërgonte në humbje.

Imami mund të ndihet i detyruar t’i jap përgjigje pyetjeve sepse kështu ia do roli, sepse ndoshta mund t’i humbë vëmendja e xhematit apo pushteti që vjen prej saj, të cilin ai ka mësuar ta shijojë. Të gjitha këto, dhe të tjera të ngjashme, janë rreziqe shumë të mëdha që mund të përcaktojnë fatin përfundimtar të tyre.

Kur besimtarët e shohin fenë si një obligim personal, që duhet ta kultivojnë vetë, kur ata përpiqen të vënë në lëvizje të gjitha aftësitë e tyre njohëse dhe të thellohen sa më shumë në dije, atëherë pyetjet që ata do t’i drejtojnë imamit do të jenë më të pakta, në këtë mënyrë ata do të përmbushin qëllimin e tyre si edhe do të lehtësojnë imamin nga një sprovë shumë e rëndë, që është pushteti që vjen prej dhënies së fetvave. Në mendimin tonë kjo ishte edhe rruga e ravijëzuar nga Suneti i profetit.

Përmbyllje

Me këtë që kemi thënë deri më tani, nuk dëshirojmë të krijojmë përshtypjen se jemi krejtësisht kundër idesë së bërjes së pyetjeve, apo se dëshirojmë ta zhdukim atë nga jeta xhematore. Si synim kemi patur që të ridimensionojmë rolin që pyetje-përgjigja ka filluar të ketë në jetën tonë fetare. Pyetjet janë të natyrshme dhe të domosdoshme, por kur ato nxirren jashtë vendndodhjes hierarkike që u takon, atëherë ato shndërron në një fenomen të dëmshëm.

Nga shqyrtimi ynë i shkurtër, u vu re se roli primar në jetën fetare nuk i takon pyetje-përgjigjes por kërkimit personal të dijes, reflektimit, soditjes, përsiatjes, njohjes së zemrës, firase-s, arsyes, etj. Të gjitha këto janë në shërbim të besimtarit, në mënyrë që ai të përmbushë amanetin hyjnor, të plotësojë qëllimin e krijimit të tij, gjegjësisht adhurimin e Zotit, dhe të jetë gjithnjë i orientuar drejt të vërtetave kryesore në lidhje me Zotin, botën, shpalljen, njeriun etj.

Në thelb feja është një përgjegjësi personale, e cila duhet kultivuar nga vetë individi. Besimtarët duhet të fillojnë ta shohin veten si bartës të amanetit fetar dhe të përpjekjes për të kuptuar të vërtetat fetare. Ata nuk duhet të zgjedhin “rrugën e shkurtër” të delegimit të kësaj përgjegjësie sublime, sepse nga ajo varet fisnikëria e tyre dhe shpëtimi i tyre përfundimtar. Preokupimi personal për fenë e bën njeriun më të vërtetë dhe më të vetëdijshëm për Zotin. Askush nuk duhet t’ia mveshë “barrën fetare” dikujt tjetër, sado joshëse të mundë të duket kjo.

Në momentin kur kjo nuk ndodh, atëherë fillon të bëhet gjithnjë e më mbizotërues fenomeni që e quajtëm Islami sipas modelit pyetje-përgjigje. Ky, siç e pamë, shfaqte probleme të mëdha fetare dhe njerëzore. Pasoja e kësaj metode është përmbysja e hierarkisë, ku vlerat kryesore (dija, arsyeja, meditimi, reflektimi etj.) kalojnë në sfond, ndërsa pyetje-përgjigjja bëhet element kryesor. Qëllimi ynë ishte të rivendosnim hierarkinë fillestare, e cila mendojmë se shfaqet qartësisht në Sunetin e Profetit (a.s.). Po ashtu, dëshironim ta zgjonim vëmendjen e besimtarëve dhe ta drejtonim atë drejt këtyre vlerave prioritare, të cilat i japin peshë individit dhe ku pyetje-përgjigja nuk eleminohet, por zë vendin e saj të natyrshëm në konceptimin islam të jetës fetare. Si edhe të ndërgjegjësonim hoxhallarët për problematikat që shfaq kjo metodë si edhe për rreziqet që ajo i kanos atyre.



[1] (Sure Hixhr, 75, hadithi transmetohet nga Muslimi).

Comments

  • shkrim interesant per tu lavderuar, nje te ngjashem por i fokusur ne nje kendeveshtrim tjeter e kam lexuar para disa vjetesh dicka me titullin “hoxhallaret dhe besimtaret”.
    mesa di une nga ‘pyetje pergjigjet” kjo, hadithi i firases eshte daif dhe nuk eshte tek sahih muslimi.

  • Shkrim shume i mire dhe i nevojshem. Edhe mua personalisht videot me pyetje pergjigje me duken te lodhshme e nuk kam nerva ti degjoj. Me duket sikur shumica e pyetjeve jane fillestare dhe pyetesit mund ta shuajne kureshtjen e tyre fare mire duke lexuar nje liber te thjeshte fikhu apo hadithesh.
    Ky format mund te kete vlere nese pyetjet trajtohen gjeresisht nga hoxhallaret duke shpjeguar historine e lidhur me shpjegimin e pyetjes, opinionet e ndryshme te dijetareve rreth temes, arsyet pse dijetaret kane divergjuar ne opinion etj. Pra nese pyetja sherben si hapje per nje diskutim me te gjere e me nxites intelektualisht, besoj se mund te jete me vlere.
    Sa per perdorimin e formatit te ri me pyetje nga facebooku e me pergjigje ne youtube etj, nuk besoj se hoxhallaret bejne gabim qe integrojne teknologjite e reja, por duhet te kene kujdes te mos e banalizojne seriozitetin te kerkuarit te dijes fetare, dhe te mos krijojne pershtypjen tek besimtaret se cdo gje zgjidhet me nje te klikuar miu.

  • Ky diskutim rreth pyetje-pergjigjeve me kujtoi nje profesor timin ne universitet i cili duke dashur te inkurajonte studentet qe te benin sa me shume pyetje shpesh na thonte se s’ka pyetje te gabuara por vetem pergjigje te gabuara. Une mendoj se kur pyetjet jane te sinqerta sado te thjeshta qe ato te duken, ne vetvete permbajne nje perpjekje ne rrugen e dijes. Problemi per mua qendron tek pergjigja dhe menyra se si ajo konceptohet nga pyetesi. Nderkaq, duket se ka edhe nje kategori pyetjesh te cilat do te mbesin pa pergjigje deri ne Diten e Kjametit dhe pretendimi i njohjes se pergjigjes se tyre mund te ishte i rrezikshem thjesht ngaqe pergjigja eshte jashte sferes se asaj qe mendja njerezore (pervec nje pakice shume, shume te rralle, ndoshta) mund te rroke.

  • Problemi thelbesor qe trajtohet ne shkrim nuk eshte thjesht natyra e pasakte didaktike e kesaj medote, por natyra e shoqerise qe ndertojme dhe kjo eshte shume serioze. Ky model i mesimit dhe zbatimit te fese, nderton nje shoqeri te paafte per te funskionuar dhe per kete arsye ky shkrim meriton vemendje te madhe.

  • Kam pershtypjen qe artikulli fryn pak realitetin. Ne praktiken e mesimit te fese qe zhvillohet ne xhamite tona, seanca e pyetje-pergjigjeve zbatohet nje here ne jave, ndersa pjesa tjeter e kohes mbushet me mesime te ndryshme (besim, hadith, fikh etj.). Kupohet, behet fjale per ato xhami qe kane aktivitet dhe qe ne realitet jane te pakta. Ndoshta seanca e pyetjeve-pergjigjeve zgjon me shume interes te xhemati, sepse eshte me shume praktike se teorike, sic mund te jene rrethet e dijes. Qellimi i ketij modeli nuk ka qene ndonjehere qe t’u mesoje njerezve fene ne teresine e saj, por t’u jape udhezime dhe orientime praktike per ceshtjet e perditshmerise se tyre. Ky eshte qellimi i fetvase, te shpjegoje qendrimin e fese per ceshtje te ndryshme, qe mund te jene publike ose private. Per kete arsye ka thene dhe Zoti ne Kuran “Pyesni njerezit e dijes, ne qofte se nuk dini”. “Dituria eshte depo dhe celesi i saj eshte pyetja” ka thene imam Aliu.
    Keshtu qe mendoj se nuk eshte ky model qe nderton xhemat/shoqeri te paafte per te mbajtur e zhvilluar sic duhet fene, por jane “nxenesit e dijes / mesuesit e fese” te paafte qe zgjedhin kete model si me te lehtin e me te shkurtrin per te percjelle dijen dhe vlerat e fese.

    • Myhib nuk e di si e kupton ti kete ngjarje qe po shkruaj me poshte, ne tre vjet resht me ka ndodhur qe ne seancat e pyetje pergjigjeve te degjoj thuajse tre apo kater here ne vit pyetjen (dhe kete shumezoje ne tre vite) pyetjen se cfare gjerash e prishin abdesin. Ajeti i permendur nga ty me siper nuk justifikon ndertimin e pyetjeve dhe pergjigjeve vend e pavend perkundrazi shtyn myslimanin i cili pasi eshte knsultuar me gjithcka qe ai mund te deduktoje vete te pyese ate qe di. Ndaj te lutem mos spekullo me pyetjen sepse ka dhe nje histori me Ebu Hanifen qe ndodhej ne xhami dhe kishte shtrire kembet ndersa i mesonte nxenesve te tij dije, ne xhami vjen nje mesoburre qe nuk ishte vendali dhe kerkon te ulet afer Ebu Hanifes. Ky i fundit ne shenje respekti (edhe pse vuante nga nje semundje ne kembe) vendos te mbledhe kembet e tij dhe degjon me vemendje pyetjet e udhetarit. Udhetari e pyet per namazin (speifikisht per ate te sabahut) dhe e pyet “po sikur, o imam i madh, dielli te linde nga perendimi si do ishte meseleja e namazit?” ne ato caste imami i nderuar hote “po perse nuk pyete perpara i dashur qe edhe une te shtrija kembet”.
      Se fundi, robi i Zotit eshte perpjekur dhe ka shkruar gjashte argumente se perse ai mendon qe kjo lloj forme e perkeqeson gjendjen ne xhemat dhe vjen dikush me gjashte rreshta ( a thua se c’eshte) dhe hedh poshte gjithe artikullin, kjo eshte c’eshte!

      • Shvejk, ate ngjarjen me perseritjen e pytjes rreth gjerave qe e prishin abdesin e kuptoj se ne at xhami ku ke qene ti, vijne vazhdimisht njerez te rinj ne fe qe kane nevoje te mesojne gjerat elementare dhe kane gjetur nje mundesi per kete pune. Prandaj them se modeli pyetje-pergjigje i vlen me shume ketij lloj xhemati te ri ne fe dhe duke marre parasysh gjendjen e shoqerise sone ku mbizoteron padituria ose shperfillja e fese, njerez te tille te rinj ne fe do te kete vazhdimisht ne xhamiat tona. Masiviteti qe krijon ky model sigurisht qe nxjerr raste pyetjesh te kota, por kjo nuk e hedh poshte nevojen qe ka xhemati per te pyetur here pas here udheheqesit e tij fetare per ceshtje qe i shqetesojne ata ne perditshmerine e tyre, sepse keshtu eshte edhe logjika e gjerave. Kur kemi shqetesime shendeti shkojme tek mjeku dhe nuk tentojme qe ne fillim te hapim librat e mjekesise per te gjetur sherim.
        Artikullin nuk e hodha poshte, sepse shqetesimi i tij qendron, thjesht e devijova pak fajin nga metoda tek mbartesit e saj, pra percjellesit e fese ose nxenesit e dijes, qe ndoshta e kane ekzagjeruar aftesine e tyre per t’i dhene pergjigje cdo pyetje ose nuk kane durim (a kapacitet) ta edukojne xhematin e t’ia mesojne fene ne gjeresine e thellesine e saj, por i bien shkurt me modelin pyetje – pergjigje, duke shkaktuar edhe ato deme qe permenden ne artikull.

  • Nuk mendoj se kemi te bejme me fryrje te realitetit dhe nuk besoj se ky fenomen mund te matet me kronometer ne dore. Mund te jete e vertete qe seanca e pyetje-pergjigjeve, eshte vetem nje here ne jave, por pjesemarrja ne to, ne krahasim me ate te kurseve te zakonshme eshte shume e ndryshme. Por, nuk eshte vetem seanca javore e vetvave ku shtrihet ky fenomen. Pyetje-pergjigjet zhvillohen ne cdo moment te dites. Ahmed Kalase, psh. i duhet, te pakten tre cerek ore per te dale nga mihrabi, deri tek dera e xhamise, sepse e pushtojne njerezit qe vershojne drejt tij per t’i kerkuar zgjidhje per “hallet” e tyre. Por pervec kesaj, Ahmedi ka ne dispozicion 24 ore celularin e vet, nga ku fetvaja kapercen fusha, male, shtete e madje edhe kontinente, per te zgjidhur “hallet” e njerezve te cfaredoshem shqipfoles, te shperndare anembane globit. E pervec kesaj, po te shtojme ketu youtube-in, facebook-un, web-faqet e shumta dhe emisionet televizive e radiofonike, mund te them me plot gojen se keta njerez qe arrijne te perballojne nje jete te tille, duke qene ne cdo moment te shenjestruar nga pyetje qe u vijne nga te kater anet, jane vertete heronj. Per me teper, guximi qe kane per t’u pergjigjur per cdo gje eshte i habitshem.
    Persa i perket pyetjes ne vetvete, edhe autori ne shkrim e thote se nuk ka ndonje gje te keqe. Por kur pyetjet behen menyra sesi zbatohet feja, ky eshte problem. Kur tjetri ka nevoje per fetva edhe ndaj gjerave me te rendomta te jetes se perditshme, atehere eshte normale te themi se kjo menyre e kuptimit te fese qe ai ka, eshte e pajetueshme. Njeriu ne kete rast duhet te kete ne cdo moment nje linje komunikimi me hoxhen, si nje tub oksigjeni, qe te jetoje.
    Jam dakort plotesisht se ky fenomen eshte kultivuar nga hoxhallaret dhe jane ata qe e kane krijuar, stimuluar dhe mbeshtetur kete. Fundja, ne qoftese ata nuk jane te gatshem per t’u pergjigjur, nuk do te kete as pyetes. Nese ata nuk u shpjegojne njerezve qe te heqin dore nga kjo metode, patjeter qe kjo marrezi kolektive do te vazhdoje te lulezoje. Por, dashur pa dashur kjo ka krijuar nje model dhe ky tashme eshte nje model masiv. Arsyet perse “nxenesit e dijes” apo “mesuesit e fese” e ushqejne nje fenomen te tille, mund te jene nga me te shumtat: sepse besojne vertete se keshtu merret feja, sepse fitojne ne kete menyre autoritet dhe pushtet mbi xhematin, sepse i shohin fetvate si rruge te shkurtera per te zgjidhur handikapin e njohurive te uleta qe xhemati ka mbi fene… Por, sidoqofte ata jane ne balle te ketij fenomeni dhe jane shkaktaret kryesore te tij.

  • referimi per mesim me pyetje pergjigje e gjejme tek hadithi i xhibrilit dhe ne shume hadithe te tjera dhe si metode me duket me e pranueshme per xhematin se te flasi hoxha nje ore ligjerate te gjate e cila behet e besdishme per xhematin tone fillestar.Mirepo ne na mungon nje hoxhe qe del jashte kornizave te xhamise.Se fundi kane filluar te perdoren “disa klishe publicitare” mbaj qytetin paster apo mbill nje peme etj etj.
    Shqiperise i mungon nje Dr Zakir Naik ose nje Pierre i vogel si ai i Gjermanise qe detyren e hoxhes ose thirresit e nxjerr pertej kuadrateve te xhamise dhe xhematit dhe eshte nje nxites qe te gjithe te bejne davet.Kurse sistemi jone brenda xhamise dhe brenda vetes ka per te deshtuar nese ne nuk konkurojme si protestantet duke e thirrur popullin ne cdo vend, dhe ky deshtim jo per shkak te besimit tone te paster por per shkak te dembelizimit dhe mbylljes brenda vetes.

  • E para Klodi, me sa shoh nuk e ke lexuar shkrimin sepse aty nuk thuhet qe pyetjet te eleminohen plotesisht, por te eleminohet kjo histeri masive pyetjesh per cdo gje, edhe per gjera krejt banale qe cdo mendje normale do t’i jepte zgjidhje pa shume mund.
    E dyta, hadithi i Xhibrilit qe t’i permend nuk permban pyetje fikhu, si keto per te cilat flet shkrimi, por jane pyetje esenciale qe kane te bejne me shtyllat e fese. Dhe forma e mesimit qe ofron Xhibrili, e perdor pyetjen si mjet retorik per qellime didaktike dhe jo si mjet i kerkimit te dijes aplikative ne funksion te rrethanave individuale. Edhe autori ne shkrim thote se pyetjet jane te kuptueshme kur je duke studiuar dhe te dalin perpara gjera qe nuk i di. Pra ato jane ndihmese, kur je duke kerkuar dijen, por nuk kane bereqet kur ti e merr dijen vetem duke pyetur. Kjo pastaj nuk eshte dije. Kjo eshte elektronikë dhe xhemati ne kete rast eshte vetem kompjuter qe i kerkon imamit te shtype tastet perkatese qe ata te mund te funksionojne.
    Perkundrazi, kemi nje sere hadithesh ku thuhet se sahabet nuk e pyesnin Profetin, ku thuhet se ata druheshin shume per te pyetur, ku thuhet se ata u jepnin dhurata bedevinjve vetem qe ata t’a pyesnin Profeti per ato gjera qe ata donin, pasi vete druheshin ta benin kete, e per me teper kur pyetjet e tyre nuk kane qene kurre per detaje fikhu, por per te mesuar parimet e fese, ne nje kohe kur feja zbritej ne jeten e perditshme dhe nuk mesohej neper kurse apo katedra. E gjithashtu, kemi edhe hadithe ku vete Profeti a.s. u kerkonte sahabeve te mos pyesnin, gje qe sqarohet edhe ne shkrim.

    E fundit, ti ke te drejte kur kerkon imame te afte per te dale jashte xhamie, por fillimisht une mendoj se duhet te kerkojme imame te afte per te qendruar ne xhami, pasi keta qe kemi nuk bejne as per brenda e lere me per jashte. Dhe iniciativa e tyre per te dale ne publik eshte per te qare hallin.

  • Me pelqeu kendveshtrimi juaj ne kete shkrim, e rreh problematiken e xhematit sot ne shqiperi e me gjere ne thelbin e saj. Insha’Allah kuptohet dhe mirekuptohet nga masa xhematore ashtu sic duhet.
    Allahu ju shperblefte!

  • Shkrim shume i mire dhe i nevojshem. Edhe mua personalisht videot me pyetje pergjigje me duken te lodhshme e nuk kam nerva ti degjoj. Me duket sikur shumica e pyetjeve jane fillestare dhe pyetesit mund ta shuajne kureshtjen e tyre fare mire duke lexuar nje liber te thjeshte fikhu apo hadithesh.
    Ky format mund te kete vlere nese pyetjet trajtohen gjeresisht nga hoxhallaret duke shpjeguar historine e lidhur me shpjegimin e pyetjes, opinionet e ndryshme te dijetareve rreth temes, arsyet pse dijetaret kane divergjuar ne opinion etj. Pra nese pyetja sherben si hapje per nje diskutim me te gjere e me nxites intelektualisht, besoj se mund te jete me vlere.
    Sa per perdorimin e formatit te ri me pyetje nga facebooku e me pergjigje ne youtube etj, nuk besoj se hoxhallaret bejne gabim qe integrojne teknologjite e reja, por duhet te kene kujdes te mos e banalizojne seriozitetin te kerkuarit te dijes fetare, dhe te mos krijojne pershtypjen tek besimtaret se cdo gje zgjidhet me nje te klikuar miu.

  • Leave a Reply to Shvejk Cancel reply

    Your email address will not be published.