Është njoftuar në media këto ditë se Kosova ka aplikuar zyrtarisht për antarsim në Organizatën e Vendeve Islamike e njohur sipas akronimit në anglisht, OIC, edhe pse një informacion i tillë nuk është konfirmuar nga qeveria kosovare:
Kosova ka aplikuar zyrtarisht për t’u bërë pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e njohur me emrin OIC, raporton KTV. Sipas agjencisë së lajmeve “MENA-FN” nga Lindja e Mesme, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Ekmeleddin Ihsanoglu, e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për të aplikuar dhe për t’u bërë anëtare e përhershme e kësaj organizate… Në komunikatat zyrtare të Qeverisë së Kosovës për takimin me Ihsanoglun nuk është përmendur askund mundësia e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, që përfshin vendet myslimane.
Ashtu si pritej, ky njoftim është pasuar me bataren e fyerjeve raciste e islamofobe ku etiketimi më pak agresivë për myslimanët shqiptarë duket të jerë: majmunë. Ky antarsim është parë si tregues i ngjyresave islamike të udhëheqsve politikë në Tiranë apo Prishtinë. Por megjithë këtë panik masiv mbi islamizimin e supozuar të liderve politikë shqiptarë, ka mjaftueshëm evidencë se prania e Shqipërisë në OIC është bërë me aprovimin, nxitjen dhe në interes të vendeve perëndimore si ShBA dhe Franca. Këtu tek EZN kemi postuar më parë një artikull që citon kabllogramet e ambasadës amerikane në lidhje me komunikimet e krerëve të diplomacisë shqiptare dhe Ambasadës Amerikane si dhe një artikull të ish-ministrit të jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili tregon për bisedën me ish-Presidentin francez në lidhje me praninë e Shqipërisë në OIC si evidencë e faktit se Shqipëria gjendet në OIC me aprovimin dhe në avancim të interesave të vendeve perëndimore:
Kabllogramet e Ambasadës amerikane na tregojnë se jo vetëm krerë të diplomacisë shqiptare si z. Besnik Mustafaj dhe z. Lulzim Basha kanë diskutuar statusin e anëtarësisë së Shqipërisë në këtë konferencë me ambasadën amerikane, por kanë kërkuar edhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë mendimin e kësaj ambasade në lidhje me vazhdimësine e anëtarësisë së Shqipërisë në OKI.
Z. Besnik Mustafaj ka kërkuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë mendimin e ambasadores amerikane nëse Shqipëria duhej të largohej nga kjo organizatë, gjë për të cilën ambasadorja u përgjigj se, ndonëse anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare është një vendim kombëtar, SHBA-ja e vlerëson si pozitiv faktin që OKI ka një anëtar të moderuar dhe të përgjegjshëm (Kabllogram 06TIRANA602).
Në kabllogramin e cituar më sipër, ambasadorja amerikane shton se: “Ne kemi dëgjuar nga USUN se në të shkuarën, ambasadori i Shqipërisë ka dhënë informacione të vlefshme mbi aktivitetet e OKI. Ne duhet të shpresojmë që një lloj bashkëpunimi i tillë të vijojë”.
Në një artikull të paradokohshëm (Panorama 26.9.2010) z. Mustafaj ka treguar se prezenca e Shqipërisë është parë si e vlefshme për perëndimin edhe nga ish-Presidenti francez, Miteran:
“Unë vetë asokohe, në një takim me Presidentin Miteran, gjeta mundësinë t’ia drejtoja atë pyetje që shtrohej gjerësisht në Tiranë e ndaj të cilës edhe unë vetë kisha sigurisht ndjeshmërinë time. A do të përbënte anëtarësimi në Konferencën Islamike, pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian? Presidenti Miteran kërkoi të dinte vetëm se me çfarë kushtesh kishim hyrë ne në këtë organizatë. Dhe kur unë i shpjegova se kushti i pakapërcyeshëm ishte respektimi i Kushtetutës tonë, ku sanksionohet se shteti shqiptar është laik dhe nuk ka asnjë fe zyrtare, ai mu përgjigj fare thjesht. Më tha se ishte mirëfilli në interesin e Europës, që sa më shumë vende si yni të kishin zë në gjirin e kësaj organizate, si një mundësi për t’u shprehur aty nga brenda jo vetëm filozofia europiane, por edhe vullneti i Europës për të bashkëpunuar me vendet myslimane, në emër të paqes e të prosperitetit të përbashkët. “Kjo do të jetë një vlerë e shtuar për ju kur të vini në Bashkimin Europian, e të bëheni pjesë e politikës së jashtme të përbashkët europiane”, më tha Presidenti Miteran.”
Prezenca e Shqipërisë në OKI, pra, nuk është tregues i ndonjë orientimi islamofil të elitave politike shqiptare. Në të kundërt, kjo prezencë ka patur dhe vazhdon të ketë nxitjen e vendeve perëndimore si ShBA dhe Franca dhe se, së paku sipas një kabllogrami, prezenca e Shqipërisë në OKI ka siguruar informacione të vlefshme për ambasadën e ShBA në Tiranë. Duke cituar ish-Presidentin Miteran, z. Mustafaj na tregon se, kjo prezencë e Shqipërisë në OKI, është “vlerë e shtuar për ju kur të vini në Bashkimin Evropian…”
Besojmë se të njëjtat konsiderata vlejnë edhe për Kosovën. Është e mirënjohur ndër diplomatët shqiptarë nxitja e selive diplomatike perëndimore që të ketë më shumë lobim e afrim të Kosovës me vendet me shumicë myslimane në përpjekje për të fituar njohje më të gjerë ndërkombëtare. Por teksa përpjekje të tilla kanë qenë rezultat i politikave pragmatiste dhe nën nxitjen perëndimore, ato janë interpretuar përherë si filoislamizëm i elitave politike që vazhdojnë mohojnë të drejtat e myslimanëve praktikantë për shkollim e punësim, vazhdojnë promovojnë politika diskriminuese dhe dhunojnë ekuilibrat e laicitetit në promovimin e simboleve e figurave të krishtera në përpjekjet për tu treguar pro-perëndimorë.
Kësisoj, myslimanët shqiptarë në Shqipëri e Kosovë nuk i kanë parë e as nuk do shohin ndonje avantazh nga antarsia e Shqipërisë në OIC apo nga një antrasim i mundshëm i Kosovës në të ardhmen, por ja kemi parë dëmin se na tundet para syve ky islamizimi i supozuar që akuzohet se po shpie shqiptarët nga Lindja e na mban larg Perëndimit. Qeveria e Kosovës në bazë të interesave të veta pragmatike mund të konsiderojë një antarsim të tillë, por për sa na përket ne myslimanëve për të cilët Islami nuk është gjeo-politikë, por përpjekje aktive për afrimin me Zotin nëpërmjet lutjeve, agjerimit, ndihmës për të tjerët e një jete të devotshme, antarsimi në OIC jo që nuk na hyn në punë por ka qenë në dëm tonin e ashtu si kemi bërë thirje më parë që Shqipëria të dalë nga OIC, ashtu do preferonim që qeveria e Kosovës mos e merte një hap të tillë, e nëse e bën një gjë të tillë, le ta bëjë të qartë që nuk e bën e motivuar as nga solidariteti fetar, e as për hir të myslimanëve shqiptarë.
Comments
Me duket nje nga editorialet me te dobet te Ezanit ky.
Ju vete thoni qe anetaresimi ne OKI nuk eshte ceshtje fetare dhe pastaj e trajtoni si ceshtje fetare. Te dilni kundra nje anetaresimi strategjik me shume rendesi diplomatike per Kosoven te cilen edhe ambasadoret e mbeshtesin, vetem per te shpetuar nga komentet e islamofobeve ne internet me duket aspak serioze. Komentet e atyre qe urrejne islamin nuk do ndalen deri sa te mos kete me myslimane shqiptare
Kam pershtypjen se nuk po e interpreton drejt shkrimin. Qellimi i shkrimit nuk eshte te na thote nese ka apo jo vlere anetaresimi ne OKI, por te na tregoje se ky anetaresim nuk behet per interesat e muslimaneve, sic interpretohet lart e poshte nga ata qe e perdorin si kredit per te ndezur vatra debatesh shterpe, por per interesa te kolonizatoreve perendimore te cileve u sherbejme. Shkrimi, eshte njekohesisht edhe nje qendrim, ku shprehet reagimi ndaj elitave intelektuale, qe e perdorin anetaresimin ne kete konference si vegje per te varur diskursin e tyre islamofobik racist, dhe nga ana tjeter mbahet nje qendrim indiferent ndaj anetaresise se Shqiperise ne kete organizate, per sa kohe ky anetaresim nuk eshte aspak ne funksion te muslimaneve shqiptar. Pa tjeter, vendi mund te kete interes dhe po te jete keshtu, patjeter qe eshte mire te jemi anetare. Por, nese disa intelektuale mendojne se ky anetaresim i sherben muslimaneve, atehere ne po deklarojme qe le te c’anetaresohemi qe sot. Sepse ne fakt, muslimanet nuk kane pare ndonje perfitim nga ky anetaresim, pervec helmit te debatit publik.
ma shkrutove punen Ergys se pak a shume kete pergjigje do jepja…