Enklid Pelari*

Në kohët e fundit jo rrallë na qëllon të dëgjojmë për “vëllazërinë” misterioze me Turqinë. Aludimet dhe interpretimet për këtë fenomen variojnë nga me abstraktet (Islamizim i Ballkanit, Ripushtim Otoman apo fantazma neo-otomane) e deri tek më banalet (500 vjet përdhunim; në venat tona qarkullon gjaku i jeniçerëve turq) etj. Parë në këtë kontekst nuk ka ndonjë problem që një individ të abstragojë me të tilla pohime. Por kur këto analiza dalin nga opinionistë dhe akademikë atëherë çështja është me të vertetë problematike. Them problematike sepse këto deklarata më shumë ngjajnë me konotacione nacionalisto-imagjinare sesa të bazuara në të vërteta historike. Pra më shumë opinioni publik do priste ese dhe hulumtime shkencore sesa haluçinacione me “fantazma” të cilat në të vërtetë shërbejne si “gjethe fiku” për të mbuluar pasojat destruktive të regjimit të kaluar dhe dështimet e sotme.

Gjithsesi, ajo që mua si ekonomist më bën habi është fakti se kjo marëdhënie nuk është parë ndonjëherë në kontekstin ekonomik, për më tepër që Presidenti dhe Kryeministri turk i shprehën Z. Berisha se biznesi turk do të rrisë investimet në Shqipëri, dhe kjo në një kohë kur këto investime janë rritur 6 herë në sektorë të rëndësishëm të vendit. Përsa i përket deklaratave të Kryeministrit Berisha, të cilin kemi 20 e kusur vite që e njohim, ato deklarata duhen konvertuar pikërisht në kontekstin ekonomik. Opinionistët do duhej të kujtonin se si Berisha qante tek Muri Lotit në Jeruzalem teksa mbështeste Izraelin në dëm të Palestinezve;  solemnisht merte pjesë në meshat në Vatikan; fliste Kinezçe apo dhe së fundmi kur qesh me “Arkadash” Erdoganin. Në dallim të përpjekjeve për ta “njollosur” Berishën islamikisht, zoti Berisha nuk duket se e vë ujin në zjarr për fenë. Si politikan ai i servir elektoratit si dhe shtetarëve të huaj atë që ata kërkojnë të “konsumojnë”.
Turqia renditet në një ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, edhe pse nuk duhet harruar, jo më i rëndësishmi. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2010 vëllimi tregtar mes dy vendeve arriti 36,718 milionë lekë. Kryeministri Erdogan i premtoi kryeministrit Berisha se Turqia do të rrise investimet në Shqipëri me rreth 6 milionë dollarë. Por kryesisht ajo vizite kulmon me lobimin që projekti TAP të kalojë në Shqipëri. Në lidhje me këtë Kryeministri i Turqisë shprehu mbështetjen e tij për realizimin e këtij projekti kur tha se: “Azerbajxhani po bën përpjekjet e veta lidhur me projektin TAP. Edhe ne do të mbështesim një projekt të tillë. Duam të kemi një lloj bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Italinë, duke pasur parasysh zgjidhjen e problemit të transferimit të gazit nga vendi ynë në Shqipëri dhe Itali, edhe vendimi ynë do të merret në këtë kuadër”.
Në vend ka dhe një sërë investimesh të tjera të rëndësishme turke. Këtu mund të përmendim ndërtimin e Rrugës së Kombit nga një kompani Turko-Amerikane apo privatizimin e Albtelecom-it dhe hapjen e kompanisë celulare Eagle Mobile, duke ditur se numri  te punësuarve në këtë sektor shkon tek 7000 të punësuar. Po ashtu ka dhe një sërë spitalesh dhe shkollash private të investuara pikërisht prej biznesesh apo organizatave turke. Por nëse sasia e investimeve është tregues i ndonjë “pushtimi,” atëherë ndoshta do duhej të shqetësoheshim për ndonjë projekt perandorak neo-romak, apo ndonjë neo-bizantinizëm helenik kur dihet që prezenca ekonomike e fqinjëve tanë, sidomos italianë, është ku e ku më e lartë.

Ndoshta dikush mund të pyes, pse vallë ne nuk drejtohemi nga BE-ja që ajo të rrisë invesitmet në vend, që të mund të shpërojmë nga këto investime të paragjykuara turke? Duhet kujtuar se aktualisht Bashkimi Europian po kalon dy kriza të thella. Njëra në aspektin administrativ dhe tjetra në aspektin ekonomik. Përsa i përket të parës duhet të kujtojmë se projekti i BE-së akoma nuk është konkretizuar. Ajo ka probleme në krijimin e një administrate ekzekutive që të qendroje mbi të gjitha vendet anëtare, siç është ajo në SHBA, ku administrata qëndron në tre nivele me në krye atë Federale. Kjo ndodh pikërisht për faktin se vendet anëtare nuk duan të heqin dorë nga autonomia dhe vendimmarrja për tia deleguar atë një Administrate Europiane. Ky është një debat shumë i gjerë në vendet perëndimore, ndërsa në Shqipëri, për arsye të njohura, nuk është ngritur ndonjëherë seriozisht, edhe kur shohim se si fqinjit tonë jugor po i diktohen vendimet ‘nga lart’ dhe nuk do t’ia dijë kush se si shihen këto vendime nga popullsia greke. Përsa i përket aspektit ekonomik, sipas Eurostat-it shumë vende anëtare të BE-së, kanë nje borxh publik mbi 100 % te GDP-se, nga 60% që është norma e lejuar. Këtu kryesisht përfshihen, Greqia, Italia, Spanja, Portugalia, Irlanda e madje edhe Belgjika dhe Mbreteria e Bashkuar e kanë rreth 85%. Po ashtu probleme ka dhe me deficitin buxhetor ku nga 3% qe eshte norma kufi, shumica e tyre e kanë të paktën dy herë më të lartë.

BE-ja aktualisht nuk mund ta përballojë një zgjerim të mëtejshëm, sepse fillimisht duhet te konsolidohet administrativisht ndërkohë që ekonomia po i krijon asaj gjithnjë e më shumë një erozion të brendshëm, ndërkohë që ka patur deklarata nga zyrtarë të lartë të BE-së për të përjashtuar Greqinë nga Eurozone në rast se nuk përmbush kushtet e vëna. BE-ja nuk e ka luksin te bëjë rolin e bamirësit. Duke u ndodhur përpara një situate “stanjacioni” politiko-ekonomik, është e natyrshme që të kërkohen të gjitha mundësitë për të absorvuar investime të huaj, pa lënë pengesa ideologjike të rëndojnë jetën e popullsisë shqiptare, investime që ofrojnë vende pune, rrisin kërkesën aggregate për të mira dhe shërbime dhe sjellin të ardhura në buxhetin publik. Ata që po nxjerin shpatat nga llëri për të bërë dhe një herë betejat me Pernadorinë Osmane, do përfundojnë të luftojnë me mullitë e erës, por mund të injektojnë një frymë ideologjike në vend që të ketë remenishenca ekonomike dhe politike.

*Aktivist i shoqërisë civile islame

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *