Në një shoqëri siç është ajo shqiptare, ku paraja sundon në çdo centimetër katror të hapësirave urbane, natyrisht jeta ka pësuar inflacion të frikshëm përballë mallit dhe pasurisë. Paraja është ajo që sot nënshtron gjithçka duke pushtuar troje, hapësira, institucione, ligje… vetë njerëzit. Mesa duket, tashmë ajo po shtrin duart edhe drejt botës së të vdekurve duke trazuar edhe eshtrat e varreve për mungesë trojesh.
Alarmi vjen nga dy varrezat e Tiranës, të cilat nuk kanë më vend për varre të tjera. Bashkia e Tiranës, e shikon këtë situatë si kolapsuese për shkak të pamundësisë për troje të reja. Zgjidhja e vetme e menduar prej tyre është krijimi i varreve murale. Siç duket edhe banesat e fundit tashmë do të bëhen shumëkatëshe ashtu si edhe ato të qyteteve. Për këtë, bashkia ka kërkuar miratim e komuniteteve fetare, të cilin e ka marrë vetëm nga dy komunitetet e krishtera. Komuniteti Musliman nuk ka rënë dakort, për shkak se kjo mënyrë varrimi bie ndesh me detyrimet fetare ndaj të vdekurve. Megjithatë, duket se nuk mungojnë alternativat nga drejtues të ndryshëm të Komunitetit Musliman, duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara prej larmisë së opinioneve juridike në dijet fetare. Imami i Xhamisë së Tabakëve dhe Drejtori i Thirrjes në KMSH Elvis Naçi u shpreh në Vizion Plus për “riciklim varresh”, ku një “varr mund të zëvendësohet nga një tjetër”. Sipas tij, është e lejuar që kjo të mund të bëhet për nevoja të ndryshme, për një periudhë kohore prej 40 vjetësh pas vdekjes së personit që zhvarroset.
Nënkryetari i bashkisë z. Edmond Panariti bëri të ditur koston e të vdekurve. Duke i rënë lapsit, ai u shpreh se çdo njeriu i duhen rreth 5 metra katror tokë për varr dhe, në një mesatare vjetore prej rreth 4 mijë vdekjesh, Tiranës i duhen aktualisht rreth 20 mijë metra katrorë tokë në vit për të sistemuar strehimin e përtejmë. Duke u shprehur në terma administrativë, z. Panariti, ndërrimin e praktikës së deritanishme të varrimit nga dheu në sirtarë shumëkatësh të mermertë, e quajti “reformë”, madje ai u shpreh për një “revolucion” në këtë sektor, duke “adaptuar” sistemet e shërbimeve të tilla që përputhen me “standardet e Bashkimit Europian”. Mesa duket, hovet revolucionare do të duhet të përfshijnë edhe atë botë në trazimet e të gjallëve, ndërsa nga ana tjetër, tashmë do të na mbetet barra të integrojmë edhe të vdekurit në BE. Për këtë të fundit, gjeneralët e integrimit, që nuk janë të paktë në opinionin publik shqiptar, e kanë tashmë modelin tek kolegu i tyre i “ushtrisë së vdekur” në veprën e Kadaresë.
Në të njëjtën linjë, disa media e trajtuan variantin e varreve murale si një praktikë të re të përhapur kudo në vendet perëndimore. Problemi sipas tyre, ishte se shoqëria shqiptare, e mbetur tradicionale, nuk duket ende gati ta brendësojë këtë formë varrimi, – pse jo, njësoj siç nuk jemi gati për të pranuar edhe martesat gay, plazhet toples apo bashkëjetesën. Ndoshta do të na duhet që moda dhe moderniteti të përfshijnë edhe praktikat funerale, duke modernizuar gjithashtu të vdekurit. Kështu lehtësojmë edhe barrën financiare dhe ku i dihet, ndoshta mund të ndihmojmë edhe që vdekja të na duket më trendy.
Comments
Ndoshta ka ardhur koha qe KMSH te krijoje varrezat e veta per nevojat e komunitetit mysliman. Cfare parashikon legjislacioni shqiptar per varreza “private” te komuniteteve fetare dhe ku do ishte e pershtatshme te blihej nje truall i madh i mjaftueshem per nevojat e besimtareve te Tiranes?
Varrezat prane objekteve te kultit perseri nuk e zgjidhin problemin ne thelb, porse e spostojne nga nje territor dhe administrim ne tjetrin. Sipas perllogaritjeve te mesiperme edhe nje truall i privatizuar nga KMSH perballet domosdoshmerisht me hapesiren dhe, mendoj, ceshtja nuk trajtohet duke e kaluar stafeten tek brezat e ardhshem apo tek trojet alternative, sepse keshtu perfundojme ne Hene e nuk e di nese atje ka hoxh per adetet e varrimit.
Ne pergjithesi muslimaneve shqiptare u pelqen influenca nga varret monumentale te perjetshme. Kjo tashme eshte tradite aq sa keto banesa te pekohshme jane te paprekshme. Nga ana tjeter shfaqin edhe tendencen e ruajtjes nga moda e varrezave alternative – “pallat”, “mullar”, hi, etj. Nese doktrina ndalon “moden” alernative, duhet te kujtojme qe ndalohet edhe “moda tradicionale” e monumenteve te perjetshme. Nuk e di shpjegimin sheriatik te “riciklimit”, por mendoj se imami Naçi te pakten eshte perballuar me problemin qe kerkon zgjidhje, pra i ka dhene nje shpjegim teorik nevojave praktike. Sa vlen teoria e sipercituar nuk me takon mua ta vendos. Ama nevojitet nderhyrja praktike.
Bota e sotme nuk eshte ajo e shekujve te hershem, jo vetem per zgjerimin demografik, por edhe per transformimet kulturore te atyre qe quajme tradita. Ka metropole dhe aglomerate urbane te jashtezakonshme. Popullsia vjen dhe perqendrohet. Kjo nenvizon akoma me teper problemin e varrezave. Nese nuk heqim dore nga tradita e monumenteve ose e “gjurmeve” fikse dhe nese nuk pranojme, per shume arsye – doktrinale ose jo -, metodat alernative, zgjidhja e mundshme eshte spostimi i varrezave ne shkretetirat demografike te Shqiperise. Por a eshte kjo e realizueshme?
Kushdo qe ta kete shkru, hallall i qofte!
Dy paragrafet e fundit jane fenomenale
“Imami i Xhamisë së Tabakëve dhe Drejtori i Thirrjes në KMSH Elvis Naçi u shpreh në Vizion Plus për “riciklim varresh”, ku një “varr mund të zëvendësohet nga një tjetër”. Sipas tij, është e lejuar që kjo të mund të bëhet për nevoja të ndryshme, për një periudhë kohore prej 40 vjetësh pas vdekjes së personit që zhvarroset.”
IMAM I NDERUAR KU ESHTE ARGUMENTI PER KETE QE THUA DHE KUJT I REFEROHESH PER KETE GJE? AJO QE UNE KAM LEXUAR PER KETE CESHTJE NE LIBRAT E FIKHUT ESHTE SE PA JU TRETUR KOCKAT TJETRIT NUK MUND TE PREKESH TE VDEKURIN, SEPSE PROFETI (ALEJHI SALATU UE SELAM) KA THENE: “Thyreja e kockave te muslimanit te vdekur eshte njelloj si t’ia thyesh atij kur eshte gjalle” (Muslimi) ndaj dhe pa iu tretur kockat ska kush te drejte tia preke atij varrin. rastete e jashtezakoshme dhe perjashtimore nuk prishin rregullin e pergjithshem dhe nuk vlejn ne rastin tone sepse kodra e brigje ka sa te duash tirana ndaj dhe qofte Bashkia qofte KMSh le tua blejne tokat pronarve dhe te sigurojne varreza per njerezit ashtu sic i kemi pasur deri me sot, dhe te mos prekin shenjterine e trupave qe dergjen tashme prej vitesh ne keto varreza.
Z Naci i jep qesim fetva te tilla sepse ka pas dhe nje eksperience te ngjashme tek xhamie e “vet”, duke “avulluar” varrezat aty ne kembim te nje bunkeri te vogel qe nuk e marr vesh se cfare funksioni ka, ndoshta piceri.
Shiko kete perlen qe ka thene sot Selim Muca, qe ka fillu me dhene fetva ne vakt te pleqenise: “Edhe sipas fesë, një parcelë e mbushur me varreza që i ka kaluar, deri 33 vjet është afati, por që i ka kaluar 33 vjet dhe në këtë parcelë toke nuk është bërë asnjë varrim tjetër, ato mund të prishen, mund të futet autokombajna apo traktori të punohet toka, por tek ne nuk është vepruar kështu, sepse në varreza të vjetra, meqenëse ka qenë ngushticë për tokën, gjithnjë kanë varrosur njerëz të rinj, gjithnjë kanë varrosur të vdekur të rinj dhe nuk mund të përcaktohet se cila parcelë ka mbetur minimumi 33 vjet e papërdorur”.
Ky e ka hallin vetem se ne varreza mund te jete perzier nje varr 33 vjecar me nje tjeter 15 vjecar. Pra, halli i Muces eshte vetem se digjet i njomi me te thatin, pasi vetarisht e ka ndare kete muhabet. Nga ana tjeter, ky eshte edhe me ekstremist se ata qe kerkojne varreza murale. Sepse bashkia propozon qe, varret mbi 30 vjecare, ti zhvendosim neper varre murale, duke i zhvarrosur eshtrat, per t’i spostuar ne varrezat murale. Kurse ky thote qe nuk ka problem me fut edhe traktore e autokombajna (Nje Zot e di sesi mund te punohet toka me autokombajne 🙂 , po hec mo). Dmth. Muca eshte per t’ua grire eshtrat fare te vdekurve!
Haha, ku e ka thene Muca ket pash Zotin se qenka valut fare???
Po me keta prijes qe kemi ne tamam qe jemi rehat fare, edhe kockat do na i perdorin per fertilizator organik tokash qe do punohen me autokombajne e do korren me traktor 🙂
http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=114475