e-zani.

 

Këto ditë Kasandrave të rrezikut neo-otoman ndër shqiptarët ju shtua kontributi i një artikulli nga K. Blushi. Blushi Sr. e ka zënë me filmat turq dhe sheh tek to pjesë të programit të ringjalljes së Perandorisë Osmane. Asgjë e re në këtë batare turko-fobe, por interesantja është se qysh në titull dhe në konceptim të artikullit të tij, Blushi Sr. i referohet “një studimi interesant të K.Myftarajt.”

 

Jo vetëm Shqipërinë, por gjithë atë territor që e kjartëson përsëmbari shprehja”Ballkanadoll” (po huazoj këtë titull nga një studim interesant i K.Myftarajt) e kanë përfshirë muajt e fundit filmat turk, kryesisht telenovela, duke nxjerrë jashtë loje, me një lehtësi habitore, “Bjutifullët” amerikanë dhe melodramat sentimentale latino-amerikane. Një ndër to, “Sulltan Sulejmani i madhërishëm”, synon të ringjallë nostalgji për shekujt e robërisë osmane, një kërshëri historiko-artistike me harem duke synuar kulturalisht një lloj zaptimi të dytë të territoreve që dolën nga sundimi gati pesëshekullor. Kësaj here jo me shpatë e jeniçerë, por me kulturë “perandorake”, me film, me art, me intriga oborri, me ndikim fetar, me qasje propagandistike e me melhem-nostalgji, duke rigjallëruar idenë imperiale, ç’ka kërkohet nga “popujt mbetje të osmanëve” në platformën e ideologut të neoosmanizmit, z. Davutogllu, aktualisht ministër i Jashtëm. (Turqia) “… Duhet të hedhë hapa që e fuqizojnë marrëdhënien e ndërvarësisë reciproke, veçanërisht në fushat ekonomike dhe kulturore ku e ndjen veten të fuqishme…” (A.Davutogllu, “Thellësia strategjike: Pozita ndërkombëtare e Turqisë”.)

 

“Studimi interesant” të cilit i referohet Blushi mund të gjendet këtu dhe sërishmi është një batare raciste e islamofobe që kërkon të ndjellë frikë nga Islami, Turqia apo hija e supozuar e Perandorisë Osmane. Por le të kujtojmë se kush është “studiuesi” të cilit i referohet Blushi e nga ku mer mënd e terma.

 

Me rastin e vrasjes së gati 80 të rinjve norvegjezë nga terroristi Anders Behring Breivik, Kastriot Myftaraj, të cilit Blushi i referohet shkroi:

 

Atentatet e 22 korrikut të këtij viti në Norvegji, janë simptomë e shqetësimit të pjesës së përgjegjshme të shoqërisë norvegjeze për shkak të rrezikut ndaj të cilit e kanë ekspozuar stoltenbergianët Norvegjinë. Stoltenbergianët, kolaboracionistët islamikë, janë ata që po i detyrojnë qytetarët normalë norvegjezë të shtresës së mesme, si Anders Behring Breivik, autori i atentatit në kampin rinor në Utoya, që të ndërmarrin veprime të dhunshme të dëshpëruara. Por Anders Behring Breivik nuk është një terrorist, por një antiterrorist. Kampi rinor në Utoya i Partisë Laburiste të Stoltenberg ishte një qendër e indoktrinimit të të rinjve norvegjezë me idetë disfatiste të multikulturalizmit dhe të tolerancës religjioze, me theks tolerancën ndaj Islamit. Prandaj, kampi rinor në Utoya ishte një kamp i përgatitjes së agjitatorëve dhe propagandistëve terroristë të cilët do të shpërndaheshin më pas për të manipuluar mendjet e norvegjezëve. Prandaj atentati ndaj kampit rinor në Utoya është një aksion antiterrorist. Edhe atentati ndaj selisë së qeverisë norvegjeze është i tillë, se Stoltenberg e ka shndërruar atë në një qendër të kolaboracionizmit me invadorët islamikë të Norvegjisë.

 

Shkruajtëm në atë kohë në këtë blog se:

K. Myftaraj vetëm pak javë më më parë në shkrimet e tij ka celebruar genocidin në Sebrenicë, ka bërë thirrje të hapura për dhunë kundër muslimanëve shqiptarë dhe po mbron haptas nazizmin, por në shoqërinë tonë këto nuk përbëjnë asnjë asnjë alarm. Në një kohë kur bota shpreh solidaritetin e vet me dhimbjen e popullit norvegjez, ky agjitator i urrejtjes nderon terroristin Breivik si hero, promovon aktin e tij si normal dhe të moralshëm, dhe quan ata të rinj që u vranë brutalisht – ndër të cilët dhe një vajzë shqiptare – si terroristë. Shkrimin e tij Myftaraj e përfundon duke përkujtuar se edhe në Shqipëri ka “kuislingë proislamikë”, të njëjtë në fajësi me viktimat norvegjeze:

“Stoltenbergianët, ose kolaboracionistët e islamikëve ekzistojnë edhe në Shqipëri, dhe ata janë jo vetëm shqiptarë, të cilët deklarojnë se janë ateistë dhe laikë, por që postulojnë tolerancën ndaj Islamit, duke i ndarë muslimanët praktikues në radikalë dhe të moderuar”.

Kemi shkruar dhe më parë se shkrimet e Kastriot Myftaraj gjenden edhe në blogun Gates of Viena, ku vetë terroristi Breivik merte ushqimin ideologjik dhe së fundmi Kastriot Myftaraj informon dhe mendimin e Blushit, një opinionisti të rregullt të Gazetës Shqiptare.

Comments

  • Shkrimi i Kico Blushit reflekton mendesine totalitariste ku eshte formuar. Ai shkon deri aty sa i kundervihet tregut te filmave, thjesht per shkak te perkatesise etnike e kulturore te produksioneve qe synon te sulmoje. Sipas ketij shkrimi, tregu do te duhet te perjashtoje konkurencen turke.
    Shkrimi trajton me mllef, perhapjen e telenovelave turke, te cilat ai i sheh si armet e “ushtrise” neo-otomane, te cilat ai synon t’i pengojne te cajne tregun e tyre televiziv. Dhe kete nuk e ben ne emer te ndonje vlere kulturore, por ne emer te nje armiqesie gjenetike qe rrjedh ne venat e tij. Pra, jemi OK me telenovelat braziliane, pavaresisht c’edukimit qe ato sjellin ne shoqeri dhe jemi krejtesisht kundra telenovelave turke, megjithese, te pakten, nuk ofrojne degjenerimin moral te hedonizmit vulgar te Rios.
    Sipas tij, shqiptaret nuk duhet t’i shohin telenovelat turke, sepse turqit na kane pushtuar per 500 vjet. Pertej komizmit, pleqeria te nxjerr zbuluar ate cfare ke kultivuar ne mendje gjate gjithe jetes: racizmin armiqesor ndaj nje populli, me te cilin kemi ngjashmeri te medha kulturore. Dhe kjo urrejtje vjen ndoshta pikerisht per shkak te kesaj ngjashmerie, si nje urrejtje per ate pjese te races tende, qe nuk vuan nga komplekset e tua, per te transplantuar kulturen e vet.
    Nga ana tjeter, shkrimi behet qesharak, kur produksione te tilla kinematografike i trajton si projekte gjeostrategjike te qeverise se Erdoanit. Nga leximi i z. Blushi, te duket se skenaret e Gymyshit apo Ezelit, jane shkruar nga Davutoglluja. Ketu shkrimi behet i denje per t’u shnderruar vete ne subjekt skenaresh: por kesaj rradhe per shfaqje varite, per te gajasur miletin.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *