Dy herë kurban, një herë bajram.*





Ramadan Ramadani.

Bajramet janë shkase të mira që të përmendet feja. Ashtu me këtë rast do ishte e udhës që të shkruhet diçka mbi qëndrimin e neve shqiptarëve këtu ndaj fesë së shumicës së shqiptarëve në Maqedoni; islamit. Por kjo është vështirë për mua nga shumë arsye prej të cilave e para është se kam shkruar shumë herët për këtë temë dhe kam pasë “fatin” të shohë “fatkeqësitë” të cilat i kam shkruar në shkrimet e mia. Që nga numrat e para të javores “Lobi” në vitin 2002, ku në saje të qenurit im hoxhë me vokacion, kisha filluar të shkruajë mbi këtë temë. “Fati” im ishte se shumë herët arrita të paralajmëroj për shumë trende negative që mund të shfaqeshin ndër myslimanët e Maqedonisë e që patjetër na tangonin edhe neve shqiptarëve që jemi shumicë e myslimanëve këtu. Prej tyre më fatkeqe ishin politizimi i fesë dhe mundësia e shfaqjes të qëndrimeve ekstreme që do buronin nga decentralizimi i skajshëm i autoritetit fetar, e që do mundësohej vetëm nëse nuk do kishte autoritet fetar të institucionalizuar legjitim. Krejt ata që kanë lexuar fragmente nga kabllot e wikileaksit për vendin tonë në këtë temë dhe kanë parë aty se si gjërat kishin qenë në të vërtetë dhe po ashtu kanë dëgjuar politikanët tonë kur flasin për fe, tani më janë shumë të vetëdijshëm për simptomat e diagnozës të kësaj “fatkeqësie”. I përmenda shkrimet e mia të shumta dhe të hershme dhe Wikileaksin si referencë pasi është e pamundur një muhabet kaq të gjerë ta përmbledh në një shkrim të vetëm, që është vështirësia ime e dytë. Vështirësia e tretë ndoshta mund të ishte edhe ajo se unë vet kisha rol, edhe si analist e edhe si protagonist, në zhvillimet e jetës fetare islame në Maqedoni. Kjo gjë përveç se më bën kompetent më pamundëson anashkalimin e kësaj teme; sidomos jo, tani për kurban bajram.

Por çka nuk arrihet e tëra, nuk lihet e tëra thotë një rregull i artë fetar, andaj t’ia nisim prej fillimit duke analizuar kontestin se ku zhvillohen gjithë këto ngjarje që kanë të bëjnë me Maqedoninë, islamin dhe shqiptarët. Fakti i parë ka të bëjë me kushtin rrethanor më të madhin; shtetin. Popullata shumicë që ende vazhdon të mban zvarrë funksionimin e shtetit duke dashur të sigurojë mbarëvajtjen e përpjekjeve të tyre për formim të identitetit të veçantë kombëtar, fetarisht si komb dëshirojnë të i përkasin vetëm një kishe, kurse e njëjta; KOM-i, është e formuar me urdhër politik. Fe kombëtare të bërë nga politika. Ky fakt e politizon tejmase çdo perceptim mbi fetë në Maqedoni dhe kjo i vë shqiptarët, që nuk e kanë këtë gjë dhe bile e ndajnë edhe myslimanllëkun me një përqindje të konsiderueshme me torbeshë, turq dhe boshnjakë, dhe që në parim bëjnë politikë më sekulare, në pozitë më të disfavorshme. Ashtu shqiptarët edhe duke mos qenë shumicë politike në këtë vend duhet njëkohësisht të mbrojnë sekularitetin e tyre por edhe të ruajnë balansin mes feve në Maqedoni. Ashtu shqiptarët në këtë shtet për këtë temë janë si një familje e cila ngushtohet çdo vit për kurban bajram; pasi pati apo nuk pati, pret nga dy kurbanë për çdo vit. Dhe krejt kjo ngase e dishin prej llafeve të plakave se ashtu duhej pasi zonja e shtëpisë kur kishte ardhur nuse kishte sjellë miras të bollshëm me vete!

Poashtu popullata sllave pas luftës së dytë botërore kishte punuar mjaft edhe në asimilimin e shqiptarëve ortodoks dhe në dëbimin fizik ose politik të atyre katolik. Kjo në vete nuk është ndonjë favor ose disfavor por i bie shqiptarët përballë një pozite ku ata janë tërësisht të definueshëm vetëm si myslimanë. Kjo në rastin kur popullata shumicë vetëdefinohet, ekskluzivisht vetëm si e krishterë (edhe pse ka myslimanë që flasin të njëjtën gjuhë, krishterë të kishave tjera si dhe shumë komunistë-ateistë) i jep kontestit, i cili është politik dhe ndëretnik, premisa edhe ndërfetare.
Krejt ky zor dhe problematikë do duhej ti shtynte shqiptarët që kur politikisht i artikulojnë gjërat këtu në Maqedoni të kenë së paku dijet e nevojshme mbi fetë. Kurse mu kjo dije dhe ekspertizë shifet se është elementi që më së shumti mungon. Kjo para se gjithash mungon te politikanët shqiptarë; gati në disproporcion me vetëdijen fetare që kanë shqiptarët në Maqedoni. Kjo mosdije dhe injorancë i bën ata të jenë qesharakë aq sa të përmenden në nëntituj sarkastik brenda disa kabllove që publikoi Wikileaks nga Maqedonia sikur që ishte rasti me nëntitullin: sekularistët e Maqedonisë i shkruajnë letër Papës!

Por përveç përqeshjes kjo mosdije i bën ata të mos munden politikisht ti përgjigjen artikulimit të çështjes së fesë dhe me atë pamundësojnë atë që është dhe mbetet esenciale për shqiptarët këtu e ajo është; që të ndajnë këtë shtet prej fesë, së paku aq sa vet shqiptarët e kanë të ndarë kombin prej fesë.
Por ajo prej ku nis çdo zgjidhje është zgjidhje edhe e jona këtu. E ajo është që të shtohet dija mbi temën e cila të paraqitet si çështje për tu trajtuar. Këto punë nuk janë gjëra që mund të relativizohen ose të kapërcehen me sajime dhe improvizime të ndryshme pasi me vete sjellin pasoja shumë të rënda. Ashtu nëse do shtohej dija fetare do dihej edhe ajo se mjafton nga një kurban për një familje, pavarësisht faktit se çka ka sjellë nusja me vete në çejz. Kështu pa dije, duke ndëgjuar fjalët e plakave të katundit, mund të vazhdojmë të ngushtohemi duke prerë kurbane, pa nevojë. Deri sa një ditë të kuptojmë se kemi qenë vetë ne; kurban i mosdijes. Gëzuar Kurban Bajramin!

Marre nga Zhurnal.mk

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *