Prangat e iluminizmit





E. Mërtiri.

Iluminizmi është një prej pikëpamjeve me ndikimin më të madh në historinë e mendimit njerëzor, e cila ka ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme në ndërtimin e botës moderne. Shumë prej dukurive shoqërore që shohim sot, nuk do të mund të ekzistonin pa ndikimin e kësaj pikëpamjeje, dhe pa të, ndoshta sot bota jonë do të ishte krejt tjetër. Në fakt moderniteti për aq sa është e kushtëzuar nga mendimi, filozofia, arti dhe “kultura e lartë”, i ka rrënjët në këtë botkuptim. Iluminizmi është aspirata më e madhe dhe më jetëgjatë që ka prodhuar filozofia moderne dhe ai qendron në kulmin e kthesës së madhe që qytetërimi perëndimor ka bërë menjëherë pas epokës së rilindjes europiane.

Gjithashtu, inteligjenca shqiptare, duket e ndikuar ndjeshëm prej pikëpamjeve të tilla. Atë e hasim masivisht, në qasjet e çdo tentative për të prodhuar kritkë shoqërore e morale, si dhe në çdo sprovë intelektuale për të ofruar orientime për zhvillimet e nevojshme. Ndikimi iluminist në Shqipëri zë fill që me lëvizjet e para nacionaliste, pararendëse të Rilindjes Kombëtare, dhe që atëherë ai ka zënë rrënjë thellë në paradigmat intelektuale, duke u veshur me teori të ndryshme që fillojnë që nga nacionalizmi, socializmi, komunizmi, e deri tek liberalizmi modern. Intelektualë të ndryshëm në Shqipëri, ashtu si edhe shumë të tjerë në botë, e shohin ende iluminizmin si një nevojë të domosdoshme për të shkuar drejt zhvillimit të shoqërisë, madje shumë prej tyre, e shohin mungesën e tij në lindje, si problemin themelor që sjell paaftësinë e këtyre shoqërive për tu përfshirë në ritmet moderne të zhvillimit. Zëra të tillë bëjnë fjalë shpesh për iluminizëm fetar në shoqëritë muslimane, si e vetmja mënyrë që Islami, ashtu si edhe krishtërimi, të “zbutet”, të “racionalizohet”, të “relativizojë pohimet e veta”, madhe pse jo edhe të “laicizohet”, duke i hapur rrugë zhvillimit. Ky besim në fakt, buron nga kulti i modernitetit, i cili ekziston tek një sërë intelektualësh që e marrin modernitetin për të mirqenë, si diçka që nuk duhet mund të vihet në dyshim dhe nuk mund të bëhet objekt i gjykimit kritik.

Në të vërtetë, ajo që ndodh në perëndim, të paktën që pas Luftës së Dytë Botërore, është fakti që iluminizmi është vënë në qendër të kritikave debateve. Shumë atuorë evidentojnë utopinë që qëndron në themel të teorisë së tij, për probleme të shumta shoqërore që burojnë prej kësaj mënyre të menduari, për zhgënjimet në lidhje me aspiratat e realizimit të idealit të tij. Për këtë arsye autorë të ndryshëm flasin për diskreditimin e kësaj pikëpamje dhe për nevojën e reformimit duke korrigjuar iluzionet me të cilat ai e ka veshur mendimin perëndimor.

Për ta bërë sa më të qartë diskutimin tonë, po sqarojmë se iluminizmi, në esencë nënkupton kultin e arsyes, besimin se nëpërmjet saj bota do të gjejë parajsën tokësore. Deri këtu, çdo gjë duket në rregull, por arsyeja, sipas këtij botkuptimi, nuk qendron në vetvete si një aparat njohës, por ajo vendoset në një plan krahasues, qytetërimor. Ajo vendoset konceptualisht përballë një realiteti ku arsyeja mungon. Ky realitet ky arsyeja është e përjashtuar, nuk është një realitet i veçantë, çfarëdo dhe i rastësishëm. Përkundrazi, ai përbledh të gjithë botën tradicionale, një periudhë kohore nga lindja e njerëzimit deri në kohën kur lind iluminizmi. Sipas tij, bota ka qenë në një errësirë. Ajo sundohej nga forca të errëta që pengonin zhvillimin e arsyes, duke e ndrydhur mendimin pas hekurave të dogmës, miteve, bestytnive, fesë, paragjykimit, pra pas iracionalitetit. Në këtë mënyrë, pota kish stopuar prej zhvillimit dhe progresit, duke mbetur në një gjendje barbarie. Në këto kushte, iluminizmi vjen si një ndriçim, si një zgjim nga përgjumja shekullore, si një revolucion i të menduarit, i cili gjen shpërthimin e dritës së arsyes, për të ndërtuar jetën njerëzore. Ideali illuminist bëhet kështu, ideali i një shoqërie që fillon të çlirohet nga dogmat e vjetra, për të nisur ndërtimin e një shoqërie të emancipuar, të aftë të shkojë drejt idealit të saj. Nëpërmjet racionalizimit të jetës së njeriut, iluminizmi shpreson të bëjë të mundur ndërtimin e një shoqërie ku më në fund njerëzit do të jetojnë të lirë, të pasur, të zhvilluar, të lumtur. Rendi illuminist, do të ishte rendi kur vuajtja, padrejtësia, shtypja dhe e pavërteta do të jenë eleminuar ndërsa mbi popujt do të mbretërojë arsyeja, i vetmi sovran që duhet të qeverisë jetët e njerëzve. Pra arsyeja që predikon iluminizmi shihet në një plan antagonist, përballë “botës së vjetër”. Ajo e ndan botën në “të ndriçuar” dhe “të errët”, ku, e para është bota që ajo synon të sjellë, ndërsa e dyta është bota paraardhëse, të cilën ajo kërkon ta largojë.

Megjithatë, që herët efektet e kësaj pikëpamjeje ishin problematike. Produkti politik më i aftërt, ishte padyshim Revolucioni Francez, i cili, sipas shumë autorëve bashkëkohës dhe të mëvonshëm, është një nga ndërmarrjet transformuese më të errëta në historinë e perëndimit. Autorë të tillë si Burke, De Mastre, jo vetëm denoncuan mizoritë e tij, duke denoncuar edhe filozofinë ku u ngjiz, por parashikuan edhe mënxyra më të mëdha, nëse kjo filozfi do bëhej sunduese në shoqëritë europiane. Në fakt, në një masë të konsiderueshme ndodhi pikërisht kështu. Autorë të shumtë konkludojnë se jo vetëm që ideali iluminist nuk u realizua, por ai prodhi një mori ideologjish e utopish, të cilat e çuan Europën në kasaphanën e dy luftërave botërore, si dhe në instalimin e pushteteve totalitare që ngrysën jetët e pjesës më të madhe të globit. Ska dyshim se marksizmi, fashizmi, imperializmi, ashtu si edhe të gjitha ideologjitë e mëvonshme, duke përfshirë edhe nacionalizmin në variantin e vet ideologjik e shovinist, i kanë rrënjët në iluminizëm. Pa dashur të bëhemi nihilistë, mund të themi se bilanci i këtyre ideve, rezulton në një përmasë shkatërrimtare të frikshme.

 

Ajo që përbën një prej problemeve kryesore të evidentuara prej shumë filozofësh, është fakti që iluminizmi, pretendon çlirimin e dogmave, por shndërrohet vetë në një dogmë, duke i hapur rrugë shpesh totalitarizmit. Duhet të kuptojmë se kulti i arsyes, nuk sjell domosdoshmërisht posedimin e një arsyeje të shëndoshë. Është tjetër gjë të adhurosh arsyen dhe tjetër gjë të jesh i arsyeshëm. Dekarti, themeluesi i racionalizmit, apo Volteri babai i iluminizmit francez, nuk janë më të arsyeshëm se Shën Agustini apo Thoma d’Akuini. Iluminizmi e shndërron arsyen në një kult dhe këtu ai shfaq kontradiksionin e vet të parë, që përbën edhe një problem themelor në lidhje me ndërtimin e dijes që ai ofron. Ai i jep arsyes vlerën e mekanizmit dominues në procesin e njohjes. Ai e sheh atë si burimin themelor të ndërtimit të kuptimeve mbi botën, madje shpesh-herë, duke e vlerësuar si të vetmin burim. Kjo bën që njohja, e për rrjedhojë edhe objekti i njohjes, vetë bota, të shndërrohet në një objekt racional, gjë që nuk i përgjigjet realitetit të saj të vërtetë. Së pari, shumë aspekte të botës e tejkalojnë arsyen dhe së dyti, arsyeja nuk është i vetmi burim i njohjes ndaj dhe reduktimi i saj në arsye, do të thotë reduktim dhe eleminim i burimeve të tjera, siç janë, intuita, përvoja, ndjenja etj.

Kjo nuk do të thotë se Iluminizmi nuk ka vlera. Natyrisht, ka shumë autorë illuministë, të cilët kanë ofruar vlera monumentale që i kanë shërbyer njerëzimit. Bilanci ka edhe anët e veta pozitive. Nga ana tjetër, arsyetimi ynë këtu është i thjeshtësuar dhe mohimi, patjetër që nuk është kaq radikal tek të gjithë filozofët iluministë. Autorë të ndryshëm, si psh. Kanti kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshme në lidhje me teorinë e njohjes. Për këtë arsye autorë të ndryshëm, duke dashur të mbrojnë iluminizmin, ofrojnë argument për të sqaruar se ai nuk synon reduktimin e dijes në këtë nivel njohjeje. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme të bëhet është reflektimi i duhur mbi problemet teorike që burojnë prej këtej dhe efekti që ato kanë sjellë në filozofinë dhe zhvillimet sociale të mëvonshme.

Praktikisht antagonizmi që iluminizmi ka ndaj sistemit tradicional, buron pikërisht në një logjikë të tillë. Nga ana tjetër ajo çfarë rrodhi më pas, tregoi se kulti që solli iluminizmi kontribuoi pikërisht për reduktimin e njohjes, e për pasojë edhe të fushës së dijes në dimensione kaq të ngushta dhe të cekëta sa e komplikuan jashtëzakonisht mundësinë e arsyes për të ofruar ndonjë farë rendi. Kulti i arsyes kalon nëpërmjet pozitivizmit, në utilitarizëm, pragmatizëm e pastaj degjeneron në shkencizëm e materializëm. Filozofët si, Rusell, Witgenstein apo në tërësi shkolla e Vienës, e shndërruan filozofinë në logjikë formale të shartuar me linguistikë. Etika doli jashtë loje. Metafizika po ashtu. Ato ishin fusha të pazbërthyeshme prej gjykimit racional, ndaj mbetej vetëm të prjashtohen prej njohjes. Vetëm Bergsoni u mundua të ndryshonte diçka, por vetëm kaq. Bota e fundshekullit XIX dhe e gjysmës së parë të shek. XX gëlonte nga utopitë dhe mund të thuhet se kanë qenë kohët më të turbullta për mendjen njerëzore përgjatë gjithë historisë së saj. Të gjitha këto padyshim që janë në një nivel të konsiderueshëm rrjedhojë logjike e transformimeve që solli iluminizmi.

Si përfundim, bota e re nuk ishte aspak më e arsyeshme se e vjetra. Përkundrazi, u bë e marrë dhe madje e mbushur me energji e pasion për ta çuar deri në fund marrëzine e vet. Turmat që Hitleri i karikonte në mitingje për ti hedhur në luftë për purifikimin e species, nuk ishin aspak më të arsyeshme se ato që dëshmuan flakët që dogjën të gjallë Xhordano Brunon. Njeriu modern, duke shkatërruar botën tradicionale, nuk arriti ta ndërtojë parajsën e synuar, por përkundrazi, bota që prodhoi arsyeja e tij, solli vetminë, të cilën “njeriu i ri” u mundua ta vriste duke u strehuar në turmat iracionale që grumbullon racionaliteti i institucionalizuar politikisht. Njeriu sot, është paradokaslisht më i robëruar se kurrë. Është i robëruar nga vetmia e vet, në pamundësi të ndërtojë qenien sociale, si fushë e ushtrimit të lirisë.

Natyrisht, arsyeja më e shëndetshme, është ajo që njeh kufinjte e veta dhe arrin të kuptojë mosarsyet e arsyes si edhe arsyet e mosarsyes. Kulti i arsyes është në vetvete shumë i paarsyeshëm. Jo vetëm filozofikisht, por edhe psikologjikisht, të paktën që prej Frojdit, kemi arritur të kuptojmë se qenia njerëzore nuk mund të reduktohet në një qenie të arsyeshme. E pandergjegjshmja që Frojdi u mundua të zbardhë, ruajti, shumë kohë më pas, konceptimin e njeriut si një qenie e veshur me mister.

Një tjetër iluzion që ushqen iluminizmi është ai i çlirimit. Në njëfarë mënyrë, më tepër se lirinë, ai predikon çlirimin, i cili në fakt është një koncept dialektik, që nuk mund të mendohet pa iu pranëvënë një robërie. Pra krijohet një iluzion i dyfishtë: e para mbi robërinë që prodhon rendi tradicional, e dyta mbi lirinë që ai ofron vetë. Në këtë mënyrë, iluminizmi krijon iluzionin se bota paramoderne, bota tradicionale ishte e robëruar, – ndaj dogmave, besimeve, miteve, traditave dhe strukturave sociale, kurse bota që ai sjell, është e lirë dhe e emancipuar. Në fakt ky është një debat që del nga kornizat e këtij diskutimi ndaj po mjaftohemi të tregojmë se ajo që duhet sqaruar është se çfarë kuptojmë me liri. Për çfarë lirie bëhet fjalë, shoqërore apo individuale? Prej këtej, pyetja shtrohet: a mund të jetë njeriu i lirë në mënyrë individuale, jashtë një konteskti social?
Ka autore si Nisbet, të cilët shprehen se sot njeriu është më i robëruar se kurrë. Është i robëruar nga paaftësia për të ndërtuar jetë shoqërore, me lidhje të forta dhe të qendrueshme, ku të mund të realizojë qenien e vet sociale. Njeriu modern është i izoluar, individualizuar, atomizuar dhe kjo e bën të jetojë në burgun e vetmisë dhe ankthit të vet.

Comments

  • Kam pershtypjen se nuk hap asnje debat, pasi ata qe jane me te infektuar me mite te tilla, i shoh gjithashtu edhe me te paafte intelektualisht t’u pergjigjen kritikave. Megjithate, them se po del nje brez i ri, qe do ti diskutoje me vone keto debate. Diskutimi mbi nje teme te tille, ne shkrimin “Islami me direktive nga lart”, i bere ne kete blog, me Fisnik Bashen, ishte interesant. Ndersa brezi aktual i intelektualeve, eshte krejtesisht jashte mundesive per te shtruar debate te tilla.
    Falemnderit per vleresimin.

  • Urime te ngrohta autorit, per nje artikull/studim/punim qe duhej te ishte shfaqur ne shqip me 1990, por me mire vone se kurre. Vlen te vihet ne pah edhe me teper fakti se post-modernizmi, qe e ka zhvleftesuar “nga poshte” modernizmin, ka sjelle per pasoje edhe rrenimin e bazueshmerise se iluminizmit si projekt ndopak me i arsyeshem se ato dukuri socio-historike qe pretendonte te korigjonte. Historia njerezore deshmon tejet kthjellet se njeriu – si qenie tokesore – eshte teper i paqendrueshem per te mundur te sherbeje si parim, dhe arsyeja, perendia e modernizmit, nga vete etimologjia e saj nuk mund te pretendoje hic me shume se arritje te vertetash te pjesshme, te kufizuara e fragmentare. Sic thote nje metafizikan gjerman, arsyeja sheh vetem segmente, jo rrethin.
    Sa per klasen e “inteligjencise” shqipfolese, ajo eshte e zene me imitimin e verber te modave te castit matane detit, thjesht nga asocimi feminor i bazueshmerise se dickaje me produktet e saja te sukseshme e te fuqishme te jashtme. Kane makina e lavatrice te bukura => duhet ta kene drejt!

  • …falenderoj autoret per leksionin e koklavitur, per marrjen ne konsiderate te nje prej dhjete personaliteteve me te demshme ne historine e njerezimit-Frojdi-per mesazhin e habitshem se: kulti i arsyes na qenkerka me teper i demshem se sa i dobishem…etj
    lus autoret te lexojne sa me shume Kuran dhe libra te tjer te shenjt…

  • …falenderoj autoret per leksionin e koklavitur, per marrjen ne konsiderate te nje prej dhjete personaliteteve me te demshme ne historine e njerezimit-Frojdi-per mesazhin e habitshem se: kulti i arsyes na qenkerka me teper i demshem se sa i dobishem…etj
    lus autoret te lexojne sa me shume Kuran dhe libra te tjer te shenjt…

  • selam…Pjese nga kap. III (Shvejku para gjykates)

    – Pra ju qenkeni ai zoti Shvejk?
    – Une mendoj se ai duhet te jem,meqe edhe babai im quhej Shvejk dhe nena gjithashtu thirrej zonja Shvejk.Une atyre s’mund tu bej nje turp te atille sa tu mohoj edhe emrin.

    Hetuesi i gjykates:

    – Ama ju keni bere shume pune te bukura! Shume gjera jua rendojne ndergjegjen.

    -Une gjithmone kam shume gjera ne ndergjege- tha Shvejku-
    Une ,ndoshta,kam ne ndergjegje shume me teper gjera se c’mund te keni ju,shkelqesi.

  • Lexo lutjen e shkrimtarit te Faik Konices, Shqipe/Zana. Mbase kthjellohesh.
    O autor mos jep leksion kaq te koklavitur, se harrojme dhe emrin si e kemi.

  • Selam Zana! Jam shume e interesuar te di aresyet per te cilat Frojdi eshte cilesuar si nje nga 10 figurat me te demshme ne historine se njerezimit. Faleminderit dhe selam.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *