Edi Rama stis fashizmin oriental





e-zani.

Insistimi i Edi Ramës për ta portretizuar Sali Berishën si oriental është i tillë, që edhe pasi ta anashkalosh herën e parë, të dytë dhe të tretë, Edi Rama e bën këtë edhe për herë të katërt e të pestë, brenda pak javësh. Padyshim, Rama është i lirë të sillet si të dojë me shokun e tij të preferuar të lojës, mirëpo do thënë se termat që ai përdor në lojë, janë të diskredituar tashmë si evokues dhe acarues të dasisë fetare, nga e cila nuk dëmtohet mbase ai, as Berisha, por shumëkush tjetër ndër shqiptarë.

Pasi e rimori me seri termin “fashizëm oriental” për të përshkruar me të si regjimin e Sali Berishës, edhe atë të Kadafit apo atë të Mubarakut, në editorialet e ditëve të fundit, Rama i kthehet sërish lakimeve të reja të orientales berishiane kur shkruan:

“Ne e duam integrimin europian për të kundërtën e arsyeve që nuk e do Saliu dhe pushteti i tij oriental në frymë, në metodë qeverisëse, në punëra të mbrapshta që pasurojnë marramendësisht oborrin dhe shkatërrojnë pakorrigjueshmërisht Shqipërinë”.

Në një tjetër editorial të këtyre ditëve, orienti berishian bëhet kompleks, përmes kontrastit dritë-errësirë, djall-temjan kishtar, Nastradin anakronik-Bashkim Europian:

“Vazhdimi i rrugës drejt BE-së bie ndesh me projektin e tij të një shteti pa institucione të pavarura, pa rend ligjor, pa pengesa për pasurimin e oborrit të vet në dëm të pasurisë kombëtare e të çdo qytetari që jeton jashtë oborrit të pushtetit. Ashtu siç bien ndesh, thikë më thikë, ëndrra europiane me ëndrrën e çmendur orientale të neutralizimit të mundësive të rrotacionit politik përmes asgjësimit de facto të lirisë së zgjedhjeve.

(…)

“Vijuam ngulshëm me mosvotim në një parlament të dalë nga zgjedhje të vjedhura që i trembej si djalli temjanit.”

“Oferta jonë për një pakt që duhet të jetë pikënisja e një marrëdhënieje të re politike në Kuvendin e Shqipërisë e në jetën publike, s’është pazar i pistë siç e pagëzoi një altoparlant i Saliut në parlament, po vizion i kthjellët europian.”

(…)

“Me shkopin e Nastradinit nuk ecet më tutje. E nëse Nastradini shkopin ka dhe asgjë tjetër, Shqipëria as ka vetëm Nastradinin e as mund të mbetet e vetme jashtë portave të Europës me shkopin e Nastradinit në dorë në vend të flamurit të Bashkimit Europian në qiellin e saj”.

 Sali Berisha portretizohet nga Rama si edhe “mik adhurues” i Kolonel Kadafit. Përpjekja e sforcuar për ta paraqitur Berishën si “pro-arab, më tepër se pro-perëndimor” është vënë re edhe nga diplomatë të huaj (“ the Opposition, (…) tries to paint PM Berisha as  more pro-Arab than pro-Western”). Me anë të “miqësisë” me Kadafin dhe paraleles me të, Rama kërkon t’i verë Berishës në gojë edhe emrin e Allahut, emër të cilin Berisha në fakt ka zgjedhur të mos e përmendë, sidomos në deklaratën e tij të njohur, të cilën parodizon pa nevojë Rama në editorialin e vet.

 “Ngutja e Saliut për t’i dhënë popullit shqiptar lajmin e gëzuar të fundit të regjimit të mikut të tij të adhuruar vite me rradhë, lidhet në të vërtetë me nevojën e mundimshme që ai ka për të bërë dallimin me gomarin e madh të Tripolit, për të shkëputur veten nga çdo lloj asociacioni me atë satrap delirant që (…) pakashumë si Saliu s’linte rast pa thënë se sa shumë e donte populli e sa gjatë do rrinte akoma në pushtet për t’i shërbyer popullit nëse Allahu lavdiplotë s’do ta merrte ndonjëherë në qiell.”

E gjitha kjo, filloi me një intervistë verore të kryesocialistit, dhënë të përditshmes “Shekulli”:

“Nuk është befasi që Saliu të mos dojë të prekë ndryshimet, që siç e thashë u bënë për mirë nga ana jonë, por që prej tij përdoren si instrument për të fuqizuar pushtetin abuziv me të cilin po instalon në Shqipëri një fashizëm oriental”.

Nuk është, pra, një fashizëm dosido ky berishiani, por fashizëm oriental, i cili, gjykuar nga veçoria shtesë, duhet të jetë më i keq se ai origjinal.

Që të nesërmen  pas kësaj interviste, lexuam se kishte dalë  Ngjela kundër Ramës: Duhet rruga e forcës thoshte ai, duke e qortuar ashpërsisht aleatin e tij socialist për braktisje të luftës dhe disfatizëm:

 “Nëse Edi Rama hyn në negociata me Saliun, do të veprojë njëlloj sikurse veproi Chamberlen-i në Munchen. Me një fashizëm oriental si ky që përfaqëson Saliu, nuk mund të ketë bisedime. Duhet të kujtoni historinë: Hitleri, sa herë që pushtonte një vend në Europë, i kërkonte anglezëve negociata. Por Churchill-i ia theu hundët”.

Këtu shohim edhe një herë Spartak Ngjelën të projektojë mitologjitë anglo-saksone në përditshmërinë politike shqiptare,  duke i thyer hundët me to Berishës. Por fantazitë e cekëta historike nuk na interesojnë këtu më tepër se rimarrja, mbase e koordinuar, e termit “fashizëm oriental”, përdorur një ditë më parë nga Rama.  Pasi e përmend edhe Ngjela këtë togfjalësh, nuk mund të jesh më i sigurtë për autorësinë e vërtetë të tij.

Kryesocialisti ashtu si Ngjela nuk e shtjellojnë më tej veçorinë orientale të fashizmit që po instalon Sali Berisha. Ata shpresojnë se kuptohet vetvetiu se përse bëhet fjalë. Megjithatë, duke e bërë oriental fashizmin, ne nuk kuptojmë dot ndonjë specifikë të tij, po thjesht zbulojmë se po përplasen dy fjalë të suksesshme propagandistike, në mënyrë që të bëjnë sa më shumë zhurmë. Kuptojmë se gjendja e opozitës ka arritur në një vend të tillë ku kërkohet alarm më i madh si zakonisht. Ramës e Ngjelës iu duket pak fashizmi dhe kërkojnë ta degradojnë më tej duke e bërë oriental. Mbase ngurrojnë ta quajë thjesht fashist Berishën, nga frika se mos e europianizojnë kështu.

Dy politikanët e sipërpërmendur, nuk e kanë për herë të parë, as të dytë, përdorimin e stigmave identitare-fetare për të sulmuar armikun e tyre të zemrës dhe sigurisht nuk janë të vetmit. Disa e bëjnë edhe më haptas duke i përmendur përkatësinë islamike, disa “anadollake”,  dhe të gjitha këto përcaktime, bashkë me orientalen e sipërpërmendur, komentojnë njëra-tjetrën, sa kohë i drejtohen po Sali Berishës. Vëzhgues e studiues të ndyshëm, të vendit dhe të huaj, kanë kritikuar shpesh shpërdorimet publike të  fjalëve tashmë bosh si “oriental”, apo më tej, të fjalëve që fajësojnë përkatësinë muslimane të oponentit, por me sa duket nga insistimi, kjo është tashmë norma e ligjërimit politik në vend. Efekti më i shpejtë i kësaj strategjie, ku politikanët parapëlqejnë ta ngjyrosin ligjërimin me simbolika identitare përçarëse, është se qytetari thërritet të aktivizojë veçoritë e tij komunitare a krahinore, dhe jo të vërë në punë shqisën politike të zgjedhjes midis ideve apo sjelljeve më të denja në treg.

Nëse ka arsye pse qytetarët shqiptarë nuk reagojnë ndaj padrejtësisë në vend, një nga më të rëndësishmet është pikërisht loja identitare me prejardhjet “biologjike” të aktorëve politikë, sepse kjo lojë aktivizon frikën ndaj dominimit komunitarist prej të ndryshmit. Kjo frikë e mirëmbajtur periodikisht prej liderëve politikë dhe sekserëve të tyre mediatikë, qoftë edhe me aludime pa shije si ky për orientalen tek fashizmi, bën të grumbullohen njerëzia me çdo kusht rreth barinjve protektorë që flasin me të njëjtin dialekt apo mbajnë mbiemra të ngjashëm me ta. Oportunizmi identitar, duke vazhduar të ushqejë kështu politikën,  një ditë mund të çojë vërtet në fashizëm.

 

 

Comments

  • Rames nuk i ka ngelur gje tjeter vetem te gjeneroje steriotipe, metodologji kjo cinike dhe jo shtetformuese, por forme e liderve cinik dhe frikacak. Sali ka nje mije e nje te zeza te cilat Rama nuk ja sheh se ka po aq, dhe ky i fundit, si shume lider te post komunizmit, sheh propaganden e tipit komunist apo flet rrufe te mbushura me fjale kyce, dje ‘revizionist, borgjez’, sot ‘oriental, fazhist oriental’, shiko kur te nxjerri mbas humbjes ne 2013 ‘nazist oriental’; pastaj ‘holokaust oriental’; ciftezime, qe si ngjyrat ne Tirane, i kupton vetem Rama dhe kundershtari-tashme bashkeluftetari Ngjela. Fakteqesia e fatkeqesise eshte se Rama nuk po meson te behet politikan dhe po tregon qe vertet ne politike e futen te tjere dhe tashme vetem se ka marre rrugen per te dale—ndaj per kete po i bie fyellit ne melodine e rradhes se per te gjitha ‘fajin e ka Saliu, fashisti oriental’.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *