Regjistrimi i popullsisë filloi pas polemikash të nxehta ku oponentët, duke vënë theksin tek regjistrimi etnik, akuzuan qeverinë për as më pak e as më shumë se tradhëti kombëtare. Përgjigja e qeverisë shpesh pati konotacione fetare. Kryeministri Berisha i quajti oponentët “njerëz pa zot,” ndërsa ministri Pollo i quajti “haxhiqamilistë.” Në sytë e qeverisë, me sa duket, oponentët janë ose ateistë ose regresistë islamikë!!! Gjithë kjo tregon dhe një herë – a thua se kishim nevojë për një tjetër demonstrim – nivelin e debatit publik.
Në anën tjetër, prej vitesh propozohet një regjistrim fetar, që kërkohet të reflektojë rikonfigurimin që diktoi inkuizicioni kundra fesë i regjimit komunist, me qëllim që, siç shprehet sociologu Fatos Tarifa, të thyhet klisheja e një shumice myslimane e Shqipërisë. Një regjistrim që do tregonte se Shqipëria nuk ka më një shumicë myslimane gjykohet se do i shërbejë imazhit të vendit në sytë e Evropës. Edhe këtu, gjykimi mbi fenë nuk ka të bëjë në mënyrë primare me shkallën e religjiozitetit të popullsisë, por me gjykimin e fesë si të ndërvarur me politikat identitare që pasuan rrëzimin e murit të Berlinit. Përkundër kërkesës së mbajtjes larg të fesë nga politika, gjykimi dhe veprimi mbi identitetet fetare është kryekëput i politizuar.
Jose Casanova, një nga sociologët më të njohur sot në studimin e sociologjisë së religjionit, shkruan në një artikull studimor (në Rethinking Secularism, Oxford University Press, 2011) se “ne dimë në mënyrë faktike se amerikanët ashtu si evropianët u gënjejnë mbledhësve të sondazheve [ për fenë ]. Amerikanët egzagjerojnë religjiozitetin e tyre, duke pretenduar se shkojnë në kishë e falen më shpesh nga sa ndodh faktikisht… dhe se nuk duhet besuar religjioziteti i tyre i vetë-deklaruar.” Arsyeja e këtij egzagjerimi, sipas Casanova, shpjegohet nga besimi i të pyeturve se të jesh amerikan modern përfshin, gjithashtu, të jesh fetar.
Ndërsa evropianët, nëse dhe kur gënjejnë e bëjnë këtë në drejtim të kundërt, duke u përpjekur të minimizojnë religjiozitetin e tyre. Kjo mospërputhje shpjegohet, sipas Casanova, me idenë se të qenit religjioz nuk shihet si një atribut pozitiv në një kulturë predominante sekulare, meqënëse në Evropë, në dallim nga ShBA, meret i mirëqënë identifikimi i të qenit modern dhe të qenit i sekularizuar dhe ku të qenit i sekularizuar kuptohet si të kesh lënë pas krahëve fenë.
Teksa artikulli adreson zhvillimet aktuale të idesë së sekulares, mund të na shtyjë të mendojmë rreth çfarë pritshmërie kemi nga vetëdeklarimi i fesë dhe çfarë përfytyrimi është ngritur mbi të qenit një shqiptar modern dhe evropian, se çfarë përfytyrimi mbi të qenit modern dhe evropian, u është predikuar shqiptarëve nga elitat politike dhe kulturore, ekskluzivisht në lidhje me fenë.
Maria Todorova, në librin e saj Imagining the Balkans (Oxford University Press, 2009), citon ish-kryeministrin Gramoz Pashko të deklarojë se: “”[E vetmja shpresë për Shqipërinë është gjenerata e re], që e ka dashur civilizimin evropian dhe vlerat e krishtera.” Ky apel i sinqertë ndaj vlerave të krishtera nga një vend që përpara se të bëhej ateist ishte 70% mysliman,” shkruan Todorova, “indikon naivitetin dhe mungesën e llustrës së ligjërimit të ri politik shqiptar, që nuk ka zotëruar ende fasadën e nderuar të fjalorit pluralist. Është, gjithashtu, tregues i instiktit të drejtë politik të elitës së re politike, që nuk është mashtruar nga pretensa mbireligjioze, joracore dhe joetnike e universalizmit dhe pluralizmit të ligjërimit të Evropës apo Perëndimit.”
Le të përmendim këtu, gjithashtu, disa qëndrime e deklarime të njohura në adresë të këtij dimensioni të ndërlidhjes së fesë me të qenit evropian për shqiptarët pas komunizmit. Një figurë ikonë e kulturës shqiptare, si Ismail Kadare, i sugjeroi kreut të fundit komunist, Ramiz Alisë, që kur Shqipëria po merte hapin e lejimit të fesë, të lejonte hapjen e kishave, por jo të xhamive, duke lidhur identitetin fetar me qënësinë evropiane. Në 2005, ish presidenti Moisiu deklaroi në Angli, siç është ndërkaq e mirënjohur, se shqiptarët janë në esencën e tyre të krishterë, duke përshkruar islamin si një fe të mbi-vendosur në shtratin natyral, por gjithsesi sipërfaqsor dhe i huaj. Presidenti Topi, në përshëndetjen drejtuar Konferencës Ipeshkvore të mbajtur në Tiranë këto ditë, i atribuon Papa Klementit XI projektimin e zgjimit kombëtar të shqiptarëve në Kuvendin e Arbërit (1703), një copë kohë të mirë përpara se ideja e “zgjimit kombëtar” të ishte perceptuar në ndonjë cep tjetër të botës. Por shkarjet historike të Presidentit Topi, apo disbalancat në kuriz të barazpeshës dhe neutralitetit të shtetit ndaj fesë nuk janë çështja më e rëndësishme këtu. Ajo që vlen të dallohet në këtë proçes regjistrimi është se elitat në Shqipëri nuk po ndërmarin thjesht regjistrimin e një realiteti të shtratit social të periudhës post-komuniste. Elitat në mënyrë të qartë kanë ndërmarë krijimin e një realiteti fetar të shtratit social, që përputhet me vizionin e tyre për qënësinë evropiane e për rjedhojë moderne të shqiptarëve.
Mbi këto premisa mund të kuptojmë dhe thirjen e politikanit Zef Bushati kohët e fundit në mbështetje të ambicjeve presidenciale të kreut të parlamentit, Jozefina Topallit, drejtuar “vëllezërve myslimanë,”që të kuptojnë rëndësinë e zgjedhjes së nje presidenteje katolike: “Duke kërkuar mirëkuptimin e vëllezërve tanë shqiptarë të komunitetit mysliman, me të cilët na bashkon gjaku, gjuha e kombi, kërkojmë që edhe ata të mbështesin kandidaturën e zonjës Topalli për Presidente të Republikës së Shqipërisë.” Është për tu vënë në dukje, se jo shumë kohë më parë shqiptarët patën në të njëjtën kohë jo vetëm presidentin (Moisiu) por edhe kryeministrin (Nano) me origjinë ortodokse dhe nuk pati ndonjë revoltë myslimane dhe as nuk u kërkua aprovimi i tyre paraprak. Por duhet vënë në dukje se, e veçanta e asaj që Bushati po propozon është që prejardhja fetare e një politikani të konsiderohet si kredi politike në rezumenë e një politikani. Sipas një editoriali tek gazeta Korieri pak vite më parë, mbiemri “Islami” i politikanit Kastriot Islami e bënte të papërshtatshëm për ministër të jashtëm e për rjedhojë, mund të themi se konsiderohet si njollë në biografinë politike.
Është sigurisht e tepërt të shtojmë se këto qëndrime ndaj fesë nuk motivohen nga ndonjë shqetësim për të ardhmen në amëshim të shqiptarëve, por nga instrumentalizimi i fesë për politika të ditës, ku pretensa e laicitetit është nxjerë prej kohe nga dritarja.
[five-star-rating]
Comments
Shkrim shume i mire. Trajtimi i kesaj teme delikate nga autori dallon dukshem nga trajtimet bajate qe jemi mesuar te shohim cdo dite ne gazetat shqipetare. Me pelqen qe ketu thuhet troc arsyeja e vertete e futjes se deklarimit te fese ne formularin e rregjistrimit.Duke mare shkas nga ky shkrim dhe duke iu referuar angazhimit te muslimaneve ne nenshkrimin e peticionit te Aleances Kuq e Zi per heqjen e deklarimit te fese dhe kombesise nga formulari i rregjistrimit,tingellon e cuditshme thirrja e Lidhjes se Hoxhallareve lidhur me rregjistrimin !!!
( me poshte teksti)
“Lidhja e Hoxhallareve”
Thirrje drejtuar te gjithe muslimaneve te Shqiperise ne lidhje me regjistrimin e popullsise!
1-Per te penguar brenda mundesive tona abuzimin me shifrat, eshte detyre fetare dhe kombetare qe te regjistroni fene dhe kombesine.
2-Tregohuni te vemendshëm kur te shënohen keto dy elemente në formular.
3- Mos pranoni te plotesoni formularin e regjistrimit nese punonjesit e regjistrimit e tejkalojne ceshtjen e fese dhe kombesise si te pa rendesishme.
4-Nese eshte e mundur, kerkoni qe ne fillim qe te behet shenimi i fese dhe i kombesise para se te jepni te dhenat e tjera.
Vetem duke u regjistruar masivisht dhe duke plotesuar fene dhe etnine eshte e mundur te shmanget -brenda mundesive tona- manipulimi i shifrave.
Fakti qe edhe pas kesaj perseri nuk ka garanci nuk do te thote qe ne te mos bejme maksimumin qe kemi mundesi. Zoti nuk e ngarkon njeriun pertej mundesise, ndaj nese nuk kryhet edhe qe ajo qe eshte e mundshme, atehere kemi hyre ne gjynah para Zotit.
Mua nuk me duket asgje e habitshme ne cfare shkruan Lidhja e Hoxhallareve. Regjistrimit po behet dhe Lidhja po adreson ne menyre pragmatike nje situate reale. Nuk me duket se ka ndonje kontradite me cfare thote artikulli por po adresojne aspekte te ndryshme.
Nje i njohuri im ne Tirane me coi kete shenim nga eksperienca e tij e regjistrimit:
“Po ju tregoj historine time personale me censusin erdhe dy persona ne shtepi dhe filluan te merrnin informacionin. Te gjitha informacionet i shenuan ne nje fletore shkolle dhe kur i pyeta pse nuk po i shenoni direkt ne formular me thane qe kishin frike se mos benin gabim. Me pas i thashe ok kur ta plotesoni formularin mund te ma bini ta shoh dhe ta firmos, jo me thane nuk mund ta biem sepse nuk ka vend per firme. Dhe me e bukura fare ishte se nuk me pyeten fare per fene dhe kombesine nese doja te shprehesha apo jo dhe u justifikuan qe eshte me deshire te shprehesh dhe ata do te rregjistronin vetem ata persona qe do t’i kerkonin vete ta deklaronin. Pasi bera deklarimin e fese dhe te kombesise ata e shenuan edhe kete ne fletore. Me pak fjale ky censusi eshte katastrofe per nga menyra si po zhvillohet. Nje rast te ngjashem me timin degjova po ate dite dhe kur personi kishte deklaruar veten musliman, anketuesja e kishte pyetur se cfare ritesh kryente. Personi i kishte thene qe festonte bajramet.”
Blendi une nuk po ve paralele te drejperdrejta midis shkrimit te mesiperm dhe thirrjes se Lidhjes se Hoxhallareve per deklarimin e fese e as nuk thashe qe ka kontradikta te drejperdrejta midis te dyve. Megjithate nje gje mund ta themi, logjika e shkrimit nuk te con ne perfundimin se muslimanet duhet ta deklarojne fene e tyre ne formularet e rregjistrimit!
Ne fakt, kontradita qendron midis qendrimit qe moren muslimanet shqipetare perkrah Aleances Kuq e Zi dje dhe thirrjes ( me detyrim, percaktim) qe behet nga Lidhja e Hoxhallareve sot. Pak kohe me pare tek Xhamia Dine Hoxha u mblodhen firmat e besimtareve muslimane te cilet shprehnin kundershtine e tyre ndaj perfshirjes se deklarimit te fese dhe kombesise ne formularet e rregjistrimit te popullsise.(nuk po futem tek arsyetimi mbi te cilin u mor vendimi per te kundershtuar deklarimin e fese dhe kombesise ne census sepse tashme keto arsye jane mese te ditura ) Ata qe realizuan ose mbeshteten mbledhjen e ketyre firmave kunder deklarimit te fese dhe kombesise jane pak a shume te njejtet qe sot po bejne thirrjen e kundert !!! Qendrimet jo-konseguente te Lidhjes se Hoxhallareve ndaj deklarimit te fese ne kete census vene ne dukje jo vetem paqartesine dhe mungesesn e vizionit nga ana e tyre, por edhe seriozitetin me te cilin ata po i gjykojne keto zhvillime te rendesishme per muslimanet shqipetare.
Pragmatizmi i pretenduar nga Lidhja e Hoxhallareve nuk me duket se qendron. Le ta zeme se te gjithe muslimanet do te deklaronin fene e tyre, A do te ishte kjo zgjidhja ? Une them qe Jo.
Se pari, numri i muslimaneve te cileve u drejtohet kjo thirrje, pra atyre praktikante, eshte i vogel ne krahasim me muslimanet e tjere (jo praktikante) te cilet veshtire se do ta kuptonin rendesine e deklarimit te fese ne kete rregjistrim e aq me pak ti pergjigjen pozitivisht thirrjeve te tilla. Deklarimi i fese nga pjesa praktikante do te behej e pavlere dhe thjesht do te justifikonte ne menyre fiktive vlefshmerine e numrave rrumpalle qe do te dilnin nga ky census!!!
Se dyti, duke lexuar eksperiencen e mesiperme qe sjell Adi mendoj se behet naïve tentativa Lidhjes se Hoxhallareve “per te bere maksimumin qe kemi mundesi”.
Se treti, situata e krijuar nder vite dhe te cilen me se miri e pasqyron artikulli i mesiperm eshte elementi thelbesor, pra ‘qershia mbi torte’, qe e ben kete beteje te humbur apriori.(per me teper lexo artikullin)
Ne lidhje me kategorizimin e mos-deklarimit te fese si ‘gjynah!!!’ nga Lidhja e Hoxhallareve te Shqiperise mund te them se ne rastin me te mire eshte, IRRITUES…
Pjesa e formularit qe ka te beje me deklarimin e fese dhe kombesise duhet bojkotuar jo vetem nga muslimanet por nga te gjithe shqiptaret. Ky census eshte anti-fetar, anti-kombetar dhe mbi te gjitha anti-shqipetar!
Sfidimi i legjitimitetit te rezultateve te censusit mund te arrihet vetem me ane te bojkotit te deklarimit te fese dhe kombesise! Bojkoti eshte aksioni i vetem qe na ka mbetur per te kundershtuar ne menyre civile dhe aktive kete turp.
Ne nuk duhet te pranojme te jemi pjese e ankandit fetaro-kombetar ne te cilin (pu)shteti shqipetar e ka nxjerre popullin e tij!