Fitim Zekthi.*

Ne jemi shumë kilometra larg nga territoret palestineze, ne i përkasim një vendi të vogël i cili nuk ka mundësi të ketë  një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Megjithëkëtë miliona njerëz në botë, që iu përkasin popujve të mëdhenj apo të vegjël, qindra shtete dhe  kombe të vogla dhe të mëdha, mijëra shkrimtarë, studiues, filozofë, politikanë,  studentë etj., janë në anën e popullit palestinez. Ne jemi këtu për të treguar se nuk jemi indiferentë. Indiferenca nga pikëpamja etimologjike ka kuptimin pa diferencë, është një gjendje e çuditshme dhe e panatyrshme për njeriun në të cilën mjegullohen kufijtë mes të errëtës dhe dritës, mes të zymtës dhe të bardhës, mes krimit dhe ndëshkimit mes mizorisë dhe mëshirës mes djallëzores  dhe të mirës. Kështu e përshkruan indiferencën Eli Vizel një shkrimtar i njohur fitues i çmimit Nobel dhe një prej të mbijetuarve të holokaustit. Indiferenca nuk është një virtyt ndonëse ajo mund të jetë joshëse pasi i ofron njeriut mundësinë të shohë punën e tij, të mos shohë dhimbjen e tjetrit, të mos  kuptojë vuajtjen e fqinjit,  mikut, apo gjithkujt që po e përjeton. Indiferenca e bën jetën e gjithkujt të pakuptimtë.

Aktualisht në Kombet e Bashkuara çështja e Palestinës rëndon mbi tryezat e çdo vendi. Kombet e Bashkuara si organizëm nuk kanë mundur për më shumë se 60 vjet të gjejnë një zgjidhje për padrejtësitë që i janë bërë dhe i bëhen popullit palestinez, nuk kanë mundur të ndihmojnë që miliona njerëz atje të ndjehen në vendin e tyre, të dërgojnë fëmijët në shkollë si shumë kush tjetër në vendet e tjera, të punojnë në tokat e tyre, të mjekojnë të afërmit, të kenë paqen dhe shtetin e tyre. Rrugët në Bregun Perëndimor janë të mbushura me postblloqe, me tela me gjemba, me gardhe, me makina ushtrie, njerëzit duhet të kontrollohen çast pas çasti, jetët e tyre janë krejtësisht nën këtë pushtet ankthi dhe frike  dhe kjo padyshim është dëshmi e dështimit të Kombeve të Bashkuara. Deri në vitin 1990 konflikti izraelito palestinez  ishte pjesë e rivaliteteve të mëdha të Luftës së Ftohtë dhe zgjidhja e tij ishte thuajse e pamundur në atë kontekst. Pas rënies së komunizmit dhe shuarjes së Luftës së Ftohtë në vitin 1993 u arrit një marrëveshje në Oslo ku Izraeli dhe Komuniteti Ndërkombëtar pranojnë krijimin e Shtetit Palestinez.

Që prej asaj kohe ka patur shumë bisedime, por edhe shumë luftë, shumë protesta e shumë revolta, shumë njerëz janë vrarë, janë vrarë edhe fëmijë, edhe gra edhe të moshuar krejtësisht të pafajshëm, por Shteti Palestinez nuk është krijuar. Ajo kategori e tmerrshme e sjelljes njerëzore, indiferenca, ka qenë elementi themelor i dështimit të Kombeve të Bashkuara. Më shumë se 690 rezoluta ka miratuar Organizata e Kombeve të Bashkuara për Izraelin, që prej vitit 1947 dhe më shumë se gjysma e tyre  kanë vdekur. Izraeli nuk i ka marrë fare në konsideratë. Kombet e Bashkuara kanë një histori të gjatë ndërhyrjesh, ato kanë ndërhyrë në Bosnje, Kosovë, Somali, Kuvajt, Irak, Afganistan, Liban, Sudanin e Jugut. Ndërhyrjet e Kombeve të Bashkuara përgjithësisht janë të ngadalta, për shkak të mënyrës se si ky organizëm më shumë se 150 shtetesh funksionon, por megjithatë kanë ndërhyrë.

Ne shqiptarët vijmë nga një diktaturë e gjatë dhe tmerrshme komuniste dhe e njohim mirë pushtetin e dhunës, por gjithashtu ne jemi pjesë e një populli ku thuajse gjysma jonë ka qenë nën sundimin e serbëve. Kosova sot është e pavarur, dhe roli i Komunitetit Ndërkombëtar është i jashtëzakonshëm. Kosova u bë e pavarur, sepse Komuniteti Ndërkombëtar nuk mund të pranonte që shqiptarët atje të jetonin në një shtet me serbët, nën Serbi pasi historia kishte dëshmuar përpjekjet për t’i shfarosur, kishte patur gjenocide, përzënie masive të shqiptarëve. Ministri i jashtëm francez në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës Bernard Kushner, tha se Kosova po bëhet e pavarur, për shkak se serbët kanë ushtruar gjenocid, kanë përzënë më shumë se një milion njerëz dhe tashmë është e pamundur që serbët dhe kosovarët të jetojnë së bashku në paqe në atë vend. Nuk mundet më Serbia të ketë kontroll mbi Kosovën. Nuk është një çështje të drejte historike tha ai, por një çështje të drejte njerëzore dhe  perspektive për paqe.

Vendet më të rëndësishme të botës perëndimore e njohën menjëherë pavarësinë e Kosovës në një prej akteve më fisnike të historisë, duke i dhënë një populli të vuajtur  të drejtën të ketë shtetin e vet dhe të mund të ndërtojnë një jetë në paqe me fqinjët dhe veten. Asnjë prej këtyre vendeve mike të Shqipërisë dhe Kosovës  nuk kërkoi që pavarësia e Kosovës të vinte përmes negociatave të saj me Serbinë, siç po ia kërkon sot Izraeli Kombeve të Bashkuara për Palestinën. Në thelb çështja e Kosovës është shumë e ngjashme me Palestinën, me gjithë diferencat që vijnë për shkak të rajoneve të ndryshme ku ndodhen, apo interesave gjeopolitikë të ndryshëm. Megjithëkëtë gjendje të rëndë në terren, çështja palestineze është tashmë më pranë aspiratave të popullit të saj se sa kurrë.

Presidenti Barak Obama në maj të këtij viti artikuloi për herë të parë një qëndrim të SHBA-së: “Izraeli duhet të ktheheT në kufijtë e vitit 1967.” Reagimi nga Izraeli qe’ shumë i ashpër dhe kryeministri Netanjahu tha se po vihej në rrezik ekzistenca e Izraelit. Pati edhe reagime të tjera por në përgjithësi deklarata e presidentit Obama u prit mirë në të gjitha shtetet. Aktualisht në Izrael është në pushtet një qeveri e brishtë koalicioni. Kryeministri Netanjahu ka një deputet më pak se partia kryesore e opozitës Kadima dhe ka ndërtuar një koalicion, i cili varet nga tre vota të partisë ultranacionaliste Shaz. Edhe partia e ministrit të jashtëm Liberman është një parti me qëndrime radikale, për shkak se kryesisht  votohet nga hebrenjtë që kanë ardhur nga Rusia.  Partitë e moderuara që kanë zhvilluar deri më tani negociatat për paqe janë në opozitë. Mes intelektualëve në Izrael, shtypit dhe shoqërisë civile ka zëra të rëndësishëm, që kërkojnë të jepet e drejta e shtet-formimit Palestinës. Gazeta Haaretz, nga më të mëdhatë, thoshte pak ditë më parë, se nuk ka kuptim kjo politikë, që nuk të çon asgjëkund e Izraelit. Shkrimtari izraelit  Amos OZ, fitues i çmimit Nobel, shkruante në Nju Jork Tajms pak kohë më parë, se Izraeli vazhdon të sillet si njeriu që ka një çekiç në dorë dhe mendon se çdo problem që i del përpara është gozhdë. Amos Oz thoshte se Palestina nuk është një lëvizje, nuk është një grup njerëzish, por është ide, aspiratë, ëndërr dhe kjo nuk mund të trajtohet, as me ushtri, as me bomba e as gardhe me tela dhe postblloqe. Populli palestinez ka dëshmuar se ai mund ta mbajë gjallë këtë aspiratë, këtë ëndërr, këtë ide, shtetin e tij të Palestinës.

Megjithëse në kushte të vështira, megjithëse të kërcënuar gjithë këto dekada nga bomba e luftime, të rrethuar nga të qara fëmijësh dhe vaje nënash ai popull ka arritur ta zhvillojë përpjekjen e tij në rrafshin e lartë të dinjitetit.  Megjithëse të përzënë nga territoret e tyre, shumë prej tyre jetojnë në kampe refugjatësh në Hebron apo Ramallah, në Jordani apo Siri, në Bregun Perëndimor apo diku tjetër ai popull nuk e ka shuar etjen e tij për liri, duke pirë nga kupa e urrejtjes dhe e dëshpërimit, këtë e dëshmon turma qindra mijëshe e mbledhur në Ramallah natën e dorëzimit të kërkesës së Palestinës në OKB për t’u njohur si shtet.  Palestinezët e dinë se ata duhet të jenë  njerëz qe rezistojnë me forcë, por dhe me kreativitet. Ata kanë krijuar një nga protestat më sublime të historisë së njerëzimit, Revoltën e gurëve.

Palestinezët kanë dëshmuar se nuk janë zhytur asnjëherë në luginën e dëshpërimit pasi ata e dinë se Zoti është me njerëzit edhe kur ata vuajnë. Palestinezët e dinë se ata janë në anën e të drejtës dhe ashtu siç thoshte Martin Luter King dikur për njerëzit që vuanin nga racizmi, ata e dinë se ata janë veteranë  të vuajtjes dhe veteran të rezistencës. Ata e dinë gjithashtu se ata  këto gjëra  shpërblehen nga Zoti.  Shumë shpejt siç tha presidenti Obama dhe tërë drejtuesit e botës demokratike  Palestina do të ketë shtetin e saj dhe  liria do të kumbojë  në kodrat e Jerusalemit, në kampet e refugjatëve në Hebron, në Xheriko, në shkollat e shkatërruara në Gaza, në  spitalet pa ilaçe për shkak të embargos, në rrugët e Ramallahut, dhe padyshim në zemrat e palestinezëve.  Ata do të thonë: Më në fund të lirë, më në fund të lirë faleminderit Zotit.

 

*Fjala e Mbajtur ne takimin e organizuar nga Forumi Musliman ne mbeshtetje te sovranitetit palestinez.

Comments

  • Your email address will not be published.