Territori i Terrorizmit.






Besnik Sinani

Gjenden në gjuhët perëndimore një sërë titujsh alarmantë librash që paraqesin Ballkanin si baza e Islamit militant, i cili përbën një rrezik ekzistencial për Evropën. Përgjatë gjithë vitit të kaluar, Maqedonia u paraqit në një sërë artikujsh të shtypit ndërkombëtar si një prej vendeve të Ballkanit ku shtrihet influenca e ekstremizmit islamik. Vetëm se argumenti për këtë rrezik të ri është mbështetur në ngjarje dhe fenomene që nuk kanë ndodhur fare në këtë rajon.

Një artikull i Associated Press në shtatorin e vitit të kaluar, botuar dhe në të përditshmen izraelite Haaretz me datë 18 Shtator, 2010, me titull “Radical Islam on the Rise in the Balkans,” i cili rezonon argumentet e ngritur në shumë artikuj të tjerë të së njëjtës periudhë, përdor si ilustrim të radikalizmit në Maqedoni një kengë në shqip të postuar në internet, e cila lavdëron kreun tashmë të vdekur të Al Kaidas, Osama bin Laden; rast tjetër i cituar është ai i vëllezërve Duka të dënuar në ShBA nën akuzën se planifikonin të sulmonin bazën ushtarake të Fort Dix në New Jersey. Këtë vit, pas sulmit vdekjeprurës të një të riu të quajtur Arid Uka ndaj ushtarëve amerikanë në Gjermani, revista prestigjoze The Economist titulloi artikullin e vet rreth kësaj ngjarjeje me datë 3 Mars, “The Kosovo Connection.” Por a janë këto ngajrje indikues të zhvillimeve në rajon dhe përkitazi në Kosovë dhe Maqedoni?

Postimi i këngës për bin Laden nuk na tregon autorët e këngës, as datën dhe as vendin e incizimit, sa veta janë përfshirë, as nëse këta janë përfaqësues të një trendi më të gjerë apo jo etj., etj. I vetmi pretendim se ky inçizim mund të jetë bërë – theksojmë, mund të jetë bërë – prej shqiptarësh të Maqedonisë, në një nga xhamitë e lokale, vjen nga autoritetet maqedonase, të cilat nuk kanë pretenduar kurrë të kenë informacion të sigurtë për këtë çështje. Në anën tjetër, autoritetet maqedonase kanë përdorur shpesh ligjërimin e militantizmit islam në demonizimin e popullsisë shqiptare në këtë vend. Nuk kemi asnjë argument që të mund të na tregojë nëse ky incizim nuk është bërë prej emigrantësh shqiptarë në ndonjë cep tjetër të botës dhe postuar në hapësirën e internetit. Nëse ky incizim do kish qenë, për shembull, në Zelandën e Re, a do ishte ky incizim indikacion i cfarë ndodh në Ballkan apo në Azinë juglindore?

Edhe më i qartë është rasti i vëllezërve Duka, të dënuar në ShBA me akuzën e planifikimit të një sulmi ndaj bazës ushtarake të Fort Dix, New Jersey, baza ku u strehuan refugjatët nga lufta e Kosovës. E gjithë familja Duka me origjinë nga Dibra e Maqedonisë ka shumë vite që jeton në ShBA e vëllezërit Duka janë rritur aty. Në planet e tyre për sulme, ata po bashkëpunonin me një tjetër shqiptar, që doli të ishte duke punuar për FBI-në, si dhe me një të ri me origjinë jordaneze e një tjetër me origjinë turke. Investigimi nuk gjeti ndonjë lidhje të këtyre të rinjve me ndonjë komunitet shqiptarësh, ndonjë lidhje ideologjike apo logjistike me Maqedoninë e në fakt nuk u gjet as ndonjë lidhje domethënëse me ndonjë xhami, prandaj mendohet se ideologjikisht burimi i tyre ishte në internet, në web faqe në gjuhë angleze.

Revista The Economist, vë në dukje se Arid Uka është lindur dhe ritur në Gjermani. Të dhënat për anësimin e vet ideologjik revista i merr nga faqet e Facebook që ai pasonte, të cilat nuk janë me autorësi shqiptarësh. Pavarësisht se vihet në dukje se atentatori është me origjinë nga Mitrovica dhe se ka vizituar Kosovën, nuk gjendet asnjë e dhënë që të na tregojë se ajo që The Economist quan “the Kosovo connection,” ka ndonjë domethënie në lidhje me aktin e z. Uka.

Nëse këto ngjarje janë të lidhura me individë që jetojnë, janë rritur ose dhe kanë lindur në vende si ShBA dhe Gjermani, nëse baza e tyre ideologjike nuk indikon asnjë lloj lidhje me Ballkanin, Kosovën, apo Maqedoninë, atëherë si mund të sillen këto raste si ilustrime të tendencave fetare dhe politike në rajon, vetëm për shkak të origjinës së prindërve apo vendlindjes së individëve të përfshirë në këto ngjarje?

Paradoksi u vu në dukje nga Ramadan Ramadani, një imam në qytetin e Shkupit dhe opinionist i gazetës Koha e Re, me datë 7 Mars të këtij viti me titull “Kur do djali e do çika, sun i ndal as Amerika:

Pasi ndodhi kjo shqiptarët u përkujtuan përveç për atë që kanë ditur që moti se askush nuk mund të bën zapt dynjanë e tërë; tani edhe atë se në kësi botë globale nuk mundesh të bësh zapt as veten. Ashtu sipas raportimit në media një shqiptar me prejardhje nga Kosova dhe shtetësi gjermane, me nofkë arabe, që falej pas një hoxhe maroken, kishte dashur që sipas tij të hakmerret për çështje nderi në Afganistan, të cilat i ka parë në Jutube amerikan!”

Ramadani, në fakt, po vë në dukje atë cfarë Olivier Roy, një nga studiuesit më të njohur në botë të këtij fenomeni, ka vënë në dukje në librin e tij Globalized Islam: The Search for a new Umma. Roy vë në dukje që militantizmi islamik është një fenomen gjithnjë e më në zbehje edhe vetë në tokat qendrore të Islamit, me cfarë ai nënkupton vëndet arabe në Lindjen e Mesme dhe gjendet më së shumti në periferi si në Lindjen e Largët apo në Evropën perëndimore. Militantizmi, thotë Roy, bashkëshoqërohet me një proçes çkulturalizimi, ku eksperienca fetare është e ndarë nga shtrati kulturor prodhuar në vendet me traditë islame. Është e ndërlidhur, sipas tij, dhe me problemet e integrimit dhe margjinalizmit të popullsive muslimane në Evropë. Por mbi të gjitha, sipas Roy-t, ky lloj militantizmi ka një cilësi çterritorializimi, që sipas Roy-t do të thotë se ky lloj militantizmi dhe ata që janë të përfshirë në të, nuk kanë as atashim e as nuk luftojnë për ndonjë lloj territori të caktuar.

Kjo na çon të vëmë në dyshim lidhjet e supozuara të ngjarjeve që ndodhin në New Jersey, ShBA apo Gjermani apo dhe në territore të panjoura por të ndeshura në internet, si tregues dhe indikues trendesh e realitetesh të Maqedonisë, Kosovës apo Ballkanit.


Por ky bashkëshoqërim i ngjarjeve të ndodhura gjetkë, si në rastin e Arid Ukës në Gjermani, me realitete shqiptare në Kosovë e më gjerë në hapsirat e Ballkanit, për të cilat ndërkaq nuk kemi asnjë tregues ekzistence lidhjesh reale, nuk kanë qenë vetëm produkt i gazetarisë së huaj. Artikuj gazetash në hapsirat shqiptare jo vetëm ngulën këmbë se këto ngjarje reflektojnë realitete të shoqërive shqiptare në Ballkan, por dhe përdorën këto ngjarje për demonizimin e bashkësive muslimane në vend.


Në gazetën Shqip me datë 9 Mars të këtij viti, Gëzim Basha, në artikullin me titull “Fantazma e Mullah Omarit dhe hijet e imamëve tanë,” shkruan: “Vëllezërit Duka apo A. Uka janë produkt i familjeve ku jetojnë dhe i qendrave fetare që frekuentonin. Ata u bënë terroristë, nuk lindën të tillë… Uka dhe vëllezërit Duka janë raste tipike të të rinjve shqiptarë që e kanë humbur identitetin kombëtar dhe në vend të tij kanë vënë identitetin fetar… Sa të rinj të tjerë shqiptarë janë viktima të këtij procesi, sa prej tyre po manipulohen për të pasur vetëm një vokacion, vokacionin islamik..? Ajo që më shqetëson mua si shqiptar është se shoqëritë shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nuk po shfaqin vendosmëri në përballjen e fanatizmit islamik, po e lënë atë të mahiset dhe në vazhdoftë kështu një Zot e di se me çfarë lajmi të tmerrshëm do ta zgjojmë një ditë veten dhe botën.”


Këto ngjarje janë bërë material për lojën e demonizimit ndërshqiptar e nuk është për t’u habitur që autori i mësipërm sheh këto ngjarje si legjitimuese të fjalimit famëkeq të Dom Anton Kcirës. Por këto raste duhet të nxisin jo vetëm një rivlerësim të mënyrës sesi kuptojmë ngjarje si ato të vëllezerve Duka apo z. Uka me rritjen e komuniteteve me origjinë shqiptare në vende të tjera të botës, por dhe të rimendojmë natyrën fluide të identiteteve në një kohë shënuar nga proceset globalizuese. Kjo shërben dhe për të analizuar natyrën e ligjërimit të konfliktit me tone fetare ndër shoqëritë shqiptare, gramatikën e mendimit të demonizimit ndërshqiptar, por dhe të shtojë vëmendjen ndaj medias dhe literaturës së huaj që ngre imazhe e perceptime negative dhe alarmante mbi popullsitë shqiptare në Ballkan.

Comments

Your email address will not be published.