Shije elektorale






Xhodi Hysa

Çuditërisht këtë vit nuk e kam ndjerë aspak “dhunën” psikologjike që të sjell fushata elektorale në Shqipëri. Kam qenë shumë i ftohtë dhe mospërfillës ndaj një sërë ndodhish dhe ngjarjesh që kanë ndjekur këtë fushatë, e pranoj që kam patur ftesa për të lëvizur apo për të dëgjuar një kandidat apo edhe për tu bërë pjesë e stafit të tij, por realisht nuk kam dëshiruar dhe nuk kam pranuar që t’i bëhem palë ndokujt ndërsa kam shkuar të dëgjoj aty ku e kam parë më të arsyeshme se duhet bërë.


Si përherë nuk kam pasur as dëshirën dhe as pasionin për të hapur një debat politik në çaste zgjedhjesh edhe nëse e kam bërë kam zgjedhur vendin dhe mexhlisin, fjala vjen nuk kam hapur debate politike me individë që e di që nuk kanë pikëpamjen time mbi një ndodhi, apo nuk kanë “shijet” e mia mbi politikën. Megjithatë disa biseda me të njohur të mi, më lanë mbresë, e cila më bën të habitem me mënyrën e tyre të të menduarit. Ajo që e bën serioze këtë situatë është fakti se kjo kategori nuk vjen nga shtresa të paarsimuara apo të indoktrinuara nga propaganda e regjimit të vjetër. Përkundrazi ata janë të rinj dhe janë jopak të arsimuar. Shumë prej tyre kanë kryer studime pasuniversitare dhe nuk mund të thuash se janë të pakultivuar në formimin e tyre.

a. Shqiptarët dhe komunizmi

Ja si shprehet një prej tyre: “Unë ndjehem krenare që im gjysh ka qenë komunist dhe i ka shërbyer komunizmit, ndjehem krenare dhe nuk më vjen aspak keq. Familja ime ka qenë një familje e shtresës së mesme në atë kohë dhe po kështu është e shtresës së mesme dhe sot. Im atë ka qenë me shkollë të lartë dhe ky Sali qelbësira kur erdhi në 1992 e hoqi nga puna tim atë ndërkohë që ai ishte drejtor i madh në polici deri në atë kohë. E unë, i dashur, prandaj do votoj PS-në, sepse nuk e duroj dot Salën”.

Kur dëgjova këtë fjali u stepa, u habita dhe nuk po arrija dot të kuptoja asgjë. Nga biseda e mëtejshme, vura re se asgjë nuk bazohej në argumente, apo në ndonje analizë racionale, për të peshuar gjërat. Për të, e vërtetë ishte gjithçka që thoshte PS-ja, ndërsa e gënjeshtërt, gjithçka që thoshte PD-ja. Në këtë rast, e vërteta varet nga subjekti që e shpreh, ndërsa gjykimi politik, nga përkatësia politike. Në këtë mënyrë, vota si dhe e vërteta orientohej mbi bazë të interesit familjar dhe jo mbi bazë të kritereve më objektive. Jo pa indinjatë për mungesën e parimeve në orientimin e gjykimit dhe zgjedhjes së saj politike u shpreha:

Nuk mund të jesh krenare për gjyshin tënd që i ka shërbyer si oficer një regjimi antinjerëzor si ai që ndërtoi Enver Hoxha. Gjyshërit e mi janë kalbur në burgje, im atë dhe ime më nuk bënë dot shkollën sepse kishin njollë në biografi, gjyshit tim i vinte spiuni për drekë në shtëpi ndërkohë që hetuesi që e ka rrahur për një vit e gjysmë në hetuesi e kërcënonte hera-herës. Familjes sime iu vodhën pronat padrejtësisht dhe nga një shtëpi me qira mes Tiranës u denigruan të jetonin në bodrumet e shtëpisë së tyre. Stërgjyshi im që strehoi partizanë në shtëpi, jo vetëm që u burgos, por iu burgosën dhe bijtë e tij, gjyshi nga mamaja u tall dhe u ofendua si kapitalist vetëm se kishte disa toka më shumë. Familje të tjera u kapën prej leckash dhe u dërguan nëpër fshatrat e humbura të Shqipërisë ndërkohë që u poshtëruan vetëm e vetëm sepse baballarët apo gjyshërit e tyre kishin bërë universitet jashtë shtetit, të tjerëve iu vodh pasuria dhe iu sekuestrua shtëpia duke përfunduar në bodrumet e shtëpisë së tyre, ndërkohë që “pararoja e proletariatit” i zuri dhomat e tyre. Komunizmi që ngriti katundarin dhe e bëri kryetar, të pashkollin e bëri mësues dhe kështu nisi krijimin e njeriut të ri socialist…!

U ndjeva keq. Fillova të mendoj se si është e mundur që persona të rritur në një shoqëri të lirë, persona që kanë parë aq shumë dhe kanë dëgjuar aq shumë mbi atë periudhë akoma të kenë një nostalgji ndaj asaj për të? Jam mjaft i bindur që në shumë raste ajo mund të ketë dëgjuar nga familjarët se në kohën e Xhaxhit njerëzit ushqeheshin, shkolloheshin se nuk kishte më analfabetë, se shteti ishte shumë social dhe nuk i linte njerëzit pa punë siç bën sot ky horri Berisha, nuk kishte verior nëpër këmbë. Por ajo që më goditi më shumë ishte diçka tjetër, kjo trashëgimi vote (pra votë pa menduar, por vetëm me urrejtje artificiale të ushqyera edhe padrejtësisht nga familja) po kalonte tek brezi i ri, e kuptoja se sa larg isha. Më vinte keq ta pohoja, por isha shumë larg dhe shihja se si një person i tillë, me aq potenciale, ishte kthyer në një “vegël” që manipulohej lehtësisht.

b. Shqiptarët dhe racizmi

Gjatë një bisede tjetër me një mik të vjetër mes të tjerave më tha: “Ej, janë zgjedhjet. Unë s’do votoj për këtë Salën…na solli gjithë malokët, na solli gjithë skocezët, na solli gjithë çeçenët. A ke pa ndonjë që të flasë Shqip?” Mbeta i shtangur dhe e pyeta: “Me këtë do të thuash se ata nuk janë shqiptarë?” dhe përgjigja ishte pohuese, nuk janë Shqiptarë. “Maloku, bëri rrugën Durrës-Kukës që të na vijnë ata kosovarët e poshtër të na qelbin neve këndej. Përse nuk hap rrugë nga jugu ai? Jugu duhet zhvilluar sepse aty ka vende të bukura….ku ka vende të bukura veriu? Më thuaj ndonjë qytet me kulturë të veriut! Apo s’kanë një gjuhë të shpifur që me zor e kupton. Serbët e qelbët”. Tashmë mbeta pa fjalë. Më erdhi ndot nga vetja për faktin se po qendroja me të. Nuk e kuptoja se si ka mundësi që dikush të ketë përfunduar shkollë të lartë dhe master jashtë vendit, e të ketë këto ide raciste ndaj vetë bashkombasve të tij. Më erdhën ndërmend ato histori mbi shpëtimin e hebrenjve nga ana e Shqiptarëve, çfarë të besoj? Vërtet i kemi shpëtuar? E kemi bërë ndoshta për faktin se kemi jetuar gjatë në një perandori, pa dallime racore, përtej faktit se kishte një diversitet të jashtëzakonshëm etnik, fetar e kulturor. Natyrisht që diktatura enveriste ka ndikuar jo vetëm në krijimin e një produkti njerëzor totalitarist, por edhe në ndarjen e thellë mes tipareve të njerëzve. Mendoj që ka ndikuar edhe në këtë “urrejtje” ndër vetë ne të cilët të shtyrë nga një perifrazim për tjetrin e ulim atë, por ta ndash votën tënde përmes një racizmi të kulluar është me të vërtetë për të ardhur keq. Si mundemi ne të mendojmë në këtë mënyrë?

“Unë s’do t’ia jap votën atij derisa të zhduket. E ka mbushur Tiranën me disa që s’dinë të flasin as shqipen, më thuaj një krahinë të bukur në veri? Më thuaj një krahinë me kulturë në Veri? Ata kanë pas kanun more, kanë pas gjakmarrje….” shumë e dhimbshme të dëgjosh këto fjalë. E pyeta: “Ti mos je gjë Tiranas autokton? Mos je gjë ndonjë pronar tokash që të kanë marrë pronat të ardhurit e veriut?” Më buzëqeshi dhe më tha: “Unë kam ardhur në Tiranë kur erdhi demokracia!”. Aty mu duk se fillova të kuptoja diçka më shumë: “Aha kuptoj, nga vitet 90’…”. Por jo, ai ma preu aty për aty: “Çfarë thua… demokracia në Shqipëri erdhi në ‘97!”. Tani po, që është e qartë, demokracia mund të vijë vetëm e tytën e pushkës, dhe demokraci do të thotë të përjashtosh veriun.

c. Epilog

U ndjeva sërishmi keq, njerëz të rinj, të cilët ishin ndërtuar mbi këto parime, që vendosnin të votonin, jo sepse mendonin për vlerat e kandidatit, por sepse ishin mbrujtur me bindjet e tyre fikse në familje apo sepse ishin të mbushur me mllef racist për racën e tyre… Të votosh për inat të të tjerëve.

E kuptova se edhe pse nuk ishim më analfabetë ishim më keq. Ndoshta sot mund të lexojmë dhe mund të shohim më shumë. Sot jemi më të hapur drejt botës, dhe na duket se besojmë në ideale që nuk njiheshin në të shkuarën. Jemi me pranë Evropës, por në të vërtetë jemi po aq të ideologjizuar sa ç’ishin prindërit tanë. Jemi bijtë e një qenieje të tmerrshme që quhet “njeriu ideologjik” e derisa ta “mbysim” këtë qenie nuk shoh asnjë dritë në horizont. Befas pyeta veten “E rrëzuam bustin…apo vazhdojmë të qëndrojmë nën hijen e tij?

Comments

Your email address will not be published.