E. Mërtiri /* Style Definitions */ table.MsoNormalTable {mso-style-name:”Table Normal”; mso-tstyle-rowband-size:0; mso-tstyle-colband-size:0; mso-style-noshow:yes; mso-style-priority:99; mso-style-qformat:yes; mso-style-parent:””; mso-padding-alt:0in 5.4pt 0in 5.4pt; mso-para-margin-top:0in; mso-para-margin-right:0in; mso-para-margin-bottom:10.0pt; mso-para-margin-left:0in; line-height:115%; mso-pagination:widow-orphan; font-size:11.0pt; font-family:”Calibri”,”sans-serif”; mso-ascii-font-family:Calibri; mso-ascii-theme-font:minor-latin; mso-fareast-font-family:”Times New Roman”; mso-fareast-theme-font:minor-fareast; mso-hansi-font-family:Calibri; mso-hansi-theme-font:minor-latin;}

Kriza e mendimit mund të thuhet se përbën faktorin kryesor që pengon zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Vlerat shoqërore dhe orientimet kulturore burojnë në një masë të madhe prej mendimit, dhe paaftësia intelektuale e një shoqërie për t’iu përgjigjur realiteteve me të cilat përballet, do të rëndojë së tepërmi në kompleksitetin e problemeve shoqërore. Si rrjedhim, duhet thënë se rrënjët e krizës së sotme shoqërore do të duhet ti kërkojmë pikërisht tek mendimi dhe raporti i tij me proceset e zhvillimit shoqëror.

Në fakt, nuk mund të themi se burimet intelektuale kanë munguar në shoqërinë shqiptare. Që në gjenezën e kombit shqiptar e deri më sot, – përjashto këtu periudhën 50 vjeçare komuniste, ku mendimi ishte burgosur në prangat e një ideologjie të verbër ndaj çdo realiteti, – ka pasur jo pak elementë të aftë për të adresuar drejt problematikën e kohës. Natyrisht, të tillë ka edhe sot, megjithëse produktet e tyre humbasin në zallamahinë e përditshme që prodhojnë burimet e mjegullës kulturore që sundon opinionin shqiptar.

Në mes të kësaj zhurmënaje vulgare që zbrazet çdo ditë nga burimet e komunikimit, të ndodh të ndeshësh jorrallë në shkrime që vërtetë të japin kënaqësi dhe që ofrojnë vërtetë qasje me vlerë për tu trajtuar. Herë pas here në këtë rrjedhë masive të shpërdorimit të fjalës mund të gjesh oaze të vërteta, që arrijnë ti japin sadopak ngjyrë realitetit gri të jetës intelektuale shqiptare. Në të tilla raste, nuk mund të mos ndjesh njëfarë çlirimi, për të mbajtur sadopak frymën nga kaosi që të rrethon. Megjithatë, kjo zgjat fare pak dhe gjithçka davaritet sapo fillon dhe ndesh në feedback-un që përcjell publiku. Në të shumtën e rasteve, nuk mund të mos vëresh se vlerave të tilla u zihet fryma nga balta e përditshme, duke bërë që, ato të rezatojnë shumë pak përreth nga kthjelltësia e tyre. Ajo që vlen të konstatohet në të tilla raste është se, më tepër se burimet e mendimit, në krizë janë kanalet e komunikimit si dhe niveli i receptimit kolektiv të këtyre burimeve.

Jo vetëm përgjigjet që u jepen opinioneve të tilla në shtypin e përditshëm, por edhe komentet e lexuesve në blogjet dhe faqet e ndryshme ku këto shkrime publikohen , të krijojnë një përshtjellim që ta zbeh shijen e përftuar. Ngushtësia me të cilën sheh të receptohen idetë, por dhe agresiviteti që shoqëron reagimet e audiencës, nuk të lë shumë vend për optimizëm. Në një masë frikshëm të madhe, terreni i debatit publik, në të gjitha nivelet e tij, duket armiqësor me çdo ide që ofron një nivel më të lartë pjekurie se ajo e vulgaritetit që prodhon në përditshmërinë e vet komunikimi publik në Shqipëri. Në përgjithësi ky mjedis, nuk duket hiç mikpritës ndaj mendimit, dhe shohim sesi ai qëllon me gurë e baltë çdo ide të re, që del nga kornizat e ngurta konceptuale ekzistuese. Në këto kushte, kemi të bëjmë me një realitet ku mendimi është kundra mendimit duke mbytur edhe ato pak zëra të kthjellët që arrijnë të krijojnë sadopak shtigje komunikimi në këtë mjedis të shurdhuar nga indoktrinimi, protagonizmi e vulgariteti.

Ajo që vërehet masivisht në reagimet e shumta, qoftë në shtyp, qoftë në blogje, është në rradhë të parë paaftësia e lexuesit për të kuptuar drejt atë çfarë komunikohet. Përgjithësisht, lexuesi shqiptar ka prirjen të keqkuptojë çdo iniciativë që rreket të ofrojë mendim kritik mbi shoqërinë. Ai priret ta zbresë çdo ide në vulgaritetin e përditshëm, ku vlerat përthyhen në kanalet e rëndomta të vlerësimit. Edhe idetë më brilante hidhen poshtë me lehtësi shpërfillëse. Kjo vjen, jo vetëm nga indoktrinimi ideologjik dhe redukcionizmi, që karakterizon mendimin në Shqipëri, por edhe nga impulsi i protagonizmit, që i bën shumë njerëz të ndjehen kompetentë për gjithçka. Kjo shfaqet në të gjitha nivelet, duke filluar që nga analistët që marrin përsipër të certifikojnë çdo ide të shfaqur në opinionin publik, në pavarësi nga profili apo kualifikimet e tyre, e deri tek komentuesit më të thjeshtë të blogjeve on line. Në thelb, kjo vjen më tepër edhe për shkak se shoqëria jonë nuk e vlerëson mendimin dhe shumica e njerëzve priren të besojnë se zgjidhjet gjenden gjithmonë në veprimet praktike. Për këtë arsye, idetë, pikëpamjet e artikuluara mirë ngjajnë në syrin e tyre si llafollogji pa vlerë. Në fakt, një gjë e tillë është karakteristikë e shoqërive që nuk besojnë tek idetë, parimet apo vlerat dhe ku vlerë kanë vetëm paratë dhe pushteti. Kjo ndodh tek shoqëritë që nuk besojnë në vlera përtej atyre materiale.

Lexuesi shqiptar, ka prirjen të mos i qaset objektivisht pikëpamjeve me të cilat ndeshet, por më tepër t’i qaset çdo teksti duke e shfrytëzuar për të gjurmuar elementët armiqësorë të fshehura pas ideve të paraqitura. Ai nuk lexon tekstin, por nëntekstin e hamendësuar, duke u përpjekur të na zbulojë profilin stereotipik ku bën pjesë autori. Pothuajse shumica e debateve në media apo komenteve në blogje, të ofrojnë gratis, në mënyrë të atypëratyshme, diagnozën politike, ideologjike, kulturore apo klanore të autorit, edhe kur ai është i panjohur për ta, duke shpërfillur mendimet e shprehura prej tij.

Këtu mund të dalim në një problem që është jopak i mprehtë, dhe që është objekt diskutimi i studiuesve të komunikimit, sociologjisë apo edhe filozofisë. Dikush mund të thotë se subjektiviteti është diçka normale dhe e pashmangshme në natyrën e komunikimit njerëzor, dhe se është e natyrshme që njerëzit ti kuptojnë gjërat në varësi të formimit dhe prirjeve të tyre.

Është e vërtetë, të lexuarit është në një masë të madhe një akt subjektiv, përderisa ai kryehet midis njerëzve që, siç ka pohuar Bergson, janë qenie unike, të pa depërtueshme tek njëra-tjetra. Autorë të tillë si Foucault, kanë vërejtur se çdo tekst, që në momentin që i ekspozohet një publiku, fillon jetën e vet të pavarur nga autori, duke marrë forma të shumta kuptimore, në varësi të mënyrave të leximit të tij. Ky është një debat i gjatë dhe i dobishëm për një diskutim komunikimin publik në Shqipëri, por ajo që mund të thuhet me pak fjalë, është se, subjektiviteti i lexuesit shqiptar, nuk është i kushtëzuar nga vështirësitë e komunikimit që lidhen me tiparet e ndërgjegjes njerëzore, por nga dhuna ideo-kulturore që i imponohet opinionit nëpërmjet mekanizmash shantazhues si shpërfillja publike, denoncimet, skemat ideologjike, sloganet, etj.

Për pasojë, ky subjektivitet nuk vjen nga liria e të menduarit, por nga ndrydhja që sjell një ligjërim publik i ngurtë dhe përjashtues që përpiqet të sundojë të gjithë skenën e debatit publik në Shqipëri. Ky është një subjektivitet reflektiv, i përftuar nga kushtëzimi veprues që elitat sunduese ushtrojnë tek lexuesi shqiptar. Natyrisht, njerëzit janë të lirë të shprehin mendimet e tyre dhe të reagojnë kur nuk pajtohen me një ide, por ata nuk munden të mendojnë lirisht, për sa kohë nuk shkëputen dot nga skemat e imponuara nga një klasë intelektuale që trashëgon nga regjimi i kaluar, së bashku me pushtetin e fjalës dhe mendimit, edhe mënyrën e të menduarit. Në këto kushte mendimi nuk mund të jetë i lirë për sa kohë që ky mjedis nuk garanton mundësitë e zhvillimit normal të tij, dhe për sa kohë në Shqipëri nuk ka kritikë, por vetë linçim publik.

Një mjedis i tillë nuk mund të jetë në frymën e një shoqërie demokratike. Sipas Giovanni Sartorit, liria e të shprehurit parakupton një “atmosferë sigurie” e cila duhet të jetë e mbrojtur nga frikësimi apo kërcënimi publik. Ai shprehet se atje ku, nëse shmangesh nga ortodoksia mbizotëruese, të marrin me sy të keq (në mos të lenë mënjanë), liria e shrpehjes ngurtësohet dhe, rrjedhimisht shtrembërohet edhe vetë liria e mendimit: “Kush trembet të thotë atë që mendon, arrin të mos mendojë atë që s’mund ta thotë”.

Në kundërshtim me këtë, dhuna mediatike që ushtron establishmenti kulturor në Shqipëri, ofron frymën e vet totalitare në diskursin publik. Duke vijuar mendimin e Sartorit dhe shumë studiuesve të tjerë, sipas të cilëve, diktaturat kanë gjithmonë nevojë për mobilizim dhe tension, mund të themi se agresiviteti në debatin publik shqiptar vjen pikërisht për shkak të veneracionit totalitarist që ende ujit rrënjët tona ideo-kulturore. Agresiviteti është mjeti i vetëm për të kontrolluar mendimin, në kushtet kur inteligjenca, duke qenë e paaftë për t’iu përgjigjur realitetit, trembet nga çdo alternativë konkuruese. Për t’ia arritur kësaj, ajo ka nevojë të paraqesë rreziqe imagjinare ndaj publikut, të cilat synojnë të legjitimojnë ikuizicionin kulturor të saj ndaj lirisë intelektuale. Mendësia totalitare sjell gjithmonë konfliktualitet, si të vetmin mjet me të cilin mund të kompensojë paaftësinë e saj për të përballuar diversitetin si dhe për t’iu përgjigjur realitetit. Për këtë arsye, ajo prodhon paragjykimet e nevojshme, për të diktuar leximet e veta stigmatizuese ndaj çdo alternative që nuk përputhet me konstruktin e saj doktrinor. Si rrjedhim, ajo i përthyen pikëpamjet e kundërta në lexime subjektive që diktojnë “armiqtë e popullit”, për ti vënë më pas lehtësisht në bankën e të akuzuarve në gjyqin publik. Në këtë mënyrë, kriza e të lexuarit, vjen si paaftësi kolektive për të njohur objektivisht dhe qetësisht, në mënyrë që debati publik të mund të orientojë mendimin drejt qasjeve më realiste. Ajo që të ofron kjo skenë, është paaftësia për tu marrë vesh, në kushtet kur leximet e aktorëve ndaj njëri-tjetrit, nuk i përgjigjen pikëpamjeve që ata mbrojnë në të vërtetë. Kjo situatë sjell jo vetëm paaftësi për të njohur dhe kuptuar idetë që përplasen në opinionit publik, por edhe paaftësi për të gjetur dhe pranuar ide të reja, që do të mund ta orientojnë shoqërinë shqiptare në kahun e duhur.

____________________________

Ky shkrim eshte botuar ne revisten Shenja

Comments

Your email address will not be published.