@font-face { font-family: “Cambria Math”; }@font-face { font-family: “Calibri”; }@font-face { font-family: “MS Mincho”; }p.MsoNormal, li.MsoNormal, div.MsoNormal { margin: 0in 0in 10pt; line-height: 115%; font-size: 11pt; font-family: Calibri; }.MsoChpDefault { font-size: 10pt; font-family: Calibri; }div.WordSection1 { page: WordSection1; }

Sabaudin Jashari

“Problemi nuk qëndron tek kolonizatori, por tek prirja e popujve për t`u kolonizuar” (Malik Ibn Nebij).

Ky pohim i teoricienit të madh, Malik Ibn Nebij, vinte pas një studimi të thellë të historisë islame, por edhe të aktualitetit islam nën hijen e versetit kuranor: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populi, derisa të ndryshojnë vetet e tyre” (Rrad: 17). Ndryshimet e fundit rrënjësore që po ndodhin në Lindjen e Mesme islame, nuk i shpëtuan atribuimeve klasike konspiracioniste.


Jo në pak raste dëgjon apo lexon, se këto ngjarje janë komplote dashakeqe amerikano-izraelite. Madje këto pohime i gjen të shoqëruara me një “bindje të sigurt”, se s`mund të jetë ndryshe, siç i gjen të shoqëruara edhe me akuza ndaj faktorëve të brendshëm aktiv në këtë revolucion, për bashkëpunim me “komplotin” amerikano-izraelit.

Sipas këtij pohimi, këta popuj nuk kanë rrugë tjetër për të shpëtuar nga këto lloj akuzash përveç mosndryshimit.

Ky tip akuzash ka një prapavijë të rrezikshme deterministe. E theksoj të rrezikshme, sepse ky lloj determinizmi konsiston jo me pritjen e ndryshimit vetëm nga Zoti, por konsiston në adhurimin e të fortit duke i atribuar atij çdo të madhe e të vogël. Këtij lloj determinizmi pa t`u dridhur gjuha mund t`i thuash, se është idhujtari, një shokvurje ndaj Zotit.

Të pohosh se gjendja në të cilën je, e mirë apo e keqe qoftë ajo, nuk duhet ndryshuar, sepse është prej Zotit e nëse përpiqesh të ndryshosh do të thotë të ndryshosh dëshirën e Zotit, të pohosh këtë do të thotë të akuzosh Zotin për padrejtësi ndaj njeriut. Ndërsa hataja më e madhe është të pohosh, se fati i muslimanëve është i lidhur në mënyrë absolute me këtë apo atë komplot. Kësaj i thonë, t`ia atribuosh të mirën e të keqen, e madhe apo e vogël qoftë ajo, krijesave të Zotit.

Pohimi i Malik Ibn Nebiut i inspiruar nga shikimi i thellë i historisë nën hijen e Kuranit na mundëson që të krijojmë përshtypjen, se pohime të tilla janë sintezë e përjetimit të dhimbshëm të një atmosfere të brendshme inferioriteti.

Thënë ndryshe pazotësia për të ndryshuar veten, çon natyrshëm në atribuimin e ngjarjeve ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj të fortëve.

Injoranca me të gjitha derivatet e saj është i vetmi burim i kësaj ndjenje robëruese. Mosnjohja e ligjeve të Zotit, mosnjohja e rolit të vetes, mosnjohja e historisë, mosnjohja e tjetrit, të gjitha këto natyrshëm kanë si rrjedhojë bindjen, se çlirimin e pengjeve nuk mund ta bëjë tjetër kush, veç “Rambos” apo dorës së tij të fshehtë.

Nuk duhet të çuditemi, nëse një ditë dëgjojmë se edhe Jermuku, Kadisija, çlirimi i Egjiptit, triumfet në Andaluzi, Sind e Indi, Hitini, Ajn Xhaluti, Kostandinopoja, beteja e Kosovës e shumë e shumë të tjera triumfe historike kanë pasur ndikime të jashtme e nuk janë realizuar nga vetë muslimanët. Madje nuk duhet të hutohemi, nëse dëgjojmë, se Abdurrahman Dalil, Salahudini, Kutzi, Muhamed Fatihu, Umer Muhtari, e shumë të tjera kanë pasur lidhje të fshehta e janë ndikuar nga masonët, mongolët, hindusët, francezët apo zionistët.

Për këtë tip psikoze nuk bën dobi e nuk hyn në punë si argument i aftësisë së muslimanëve për të ndryshuar e reformuar, as shekuj historie të prosperitetit politik e shkencor të muslimanëve në botë.

Pas betejës së Hittinit, Salahudin Ejubi duke shëtitur në brigjet e Mesdheut, në Palestinë, i tha këshilltarit të tij të mençur, Abdurrahim Bejsanit: “Në më pak se tre muaj arritëm t`i thyejmë kryqtarët e tani ndodhemi pranë mureve të Kudsit”. Këshilltari i mençur, që e dinte mirë se si ndodhin ndryshimet, me shumë edukatë e delikatesë i përgjigjet: “I nderuar mbret, mendoj se Kudsi është çliruar që në momentin që ka rënë në duart e kryqtarëve. Që në atë çast nënat kanë ushqyer foshnjat e tyre me qumështin e përzier me brengën për Kudsin. Sa qindra e mijëra muslimanë kanë rënë e janë ngritur me hallin e Kudsit, sa pena e sa bojë është harxhuar duke shkruar për të, sa mësime, predikime e sa fjalime janë mbajtur për të, sa bashkime e ndarje janë bërë për të, sa beteja, triumfe e fitore janë bërë vetëm për të dhe sa e sa jetë e shpirtra janë dhënë vetëm për të. Kështu ne, duke ngjitur këto shkallë, kemi ardhur deri këtu.”

“Ke shumë të drejtë”, – i tha Salahudini këshilltarit të tij të mençur, të cilit i pohoi, se pikërisht për këtë ai këmbëngulte, që ta kishte gjithmonë pranë.

Për të mos mbetur peng i historisë, gjatë arsyetimit të këtyre ngjarjeve aktuale le t`i kthehemi sadopak dinamikës bashkëkohore të muslimanëve për të qenë vetja e tyre, duke i kërkuar ndihmë edhe urtësisë së Abdurrahimit, këshilltarit të Salahudinit.

Dialektika e jetës së muslimanëve pas rënies së Hilafetit osman tregon realisht, se muslimanët filluan të ngrihen pikërisht në momentin kur ra ky Hilafet.

Kryengritjet e ndryshme popullore, spontane dhe të organizuara në Lindjen e Mesme kundër kolonizatorëve treguan, se nuk kemi të bëjmë me popuj të vdekur apo të fjetur, por me popuj që e duan lirinë dhe e dinë se duhet të jenë vetvetja. Mobilizimi i muslimanëve për çlirimin e Palestinës në vitet 40-50 qe treguesi më i fuqishëm, se këta janë popuj të gjallë. Lëvizje popullore, përpjekje intelektuale, opozita ndaj diktaturave të të gjitha ngjyrave treguan vitalitetit e këtyre njerëzve në përpjekjen për të formësuar të ardhmen e tyre, të ndryshojnë gjendjen e tyre si parakusht që Zoti të ndryshojë gjendjen ku gjenden.

Përpjekja e sektorëve fetarë në nxitje drejt demokratizimit dhe hapjes politike, ekonomike e kulturore të vendeve muslimane që nga Indonezia, Malajzia, Afrika Veriore apo në rastin më të qartë këto vite në Turqi janë dëshmi e determinimit të popujve muslimanë për të qenë të lirë dhe për të ndërtuar një të ardhme me prosperitet në përmbushje të rolit që u ka dhënë Zoti si mëkëmbës të Zotit, si bij të Ademit, si dëshmues e nxitës për të virtytshmen dhe si forcë kundër të keqes. Fitoret e revolucioneve që po dëshmojmë janë fryti i përpjekjeve të popujve muslimanë dhe jo rezultat i konspiracioneve amerikano – zioniste, sic pretendojnë tiranët viralë që kanë burgosur gjer më sot të ardhmen e popujve të tyre.

Ajo që konkretisht urojmë është, se kjo që po ndodh të jetë sintetizimi i kësaj përpjekjeje thuajse shekullore të këtyre popujve për t`iu kthyer vetes.

Sic thotë poeti tunizian Kasim el Shabij, “Nëse një ditë populli vendos të jetojë edhe kaderi do t’i përgjigjet”

Comments

Your email address will not be published.