Krizat që po na errësojnë





Xhodi Hysa

Është shumë e vështirë të flasësh për atë që po kalojnë ne sot si shoqëri, ka aq shumë gjëra për të cilat mund të shkruash edhe aq pak nerva për të duruar, vjen një moment ku mund të thuash pa frikë “s’di nga t’ia nis” dhe me këto mendime jam përplasur gjatë gjithë kësaj kohe, sidomos mbas atyre trazirave të dhunshme që shqetësuan ç’do shqiptar saqë edhe thirrja ironike e ndonjë pronari të një lokali nate “Ejani të festojmë përtej së majtës edhe së djathtës” nuk bëri efektin e pritur prej tij. Të gjithë e kishim ndjerë se si mund të shkonte ajo ditë edhe ishte shumë e thjeshtë ta mendoje atë dhunë edhe sikur të kishe zbritur para një jave në vendin tonë edhe të mos dije asgjë për historinë tonë. Natyrisht një javë e mbushur me dhunë verbale jo vetëm në parlament, por edhe në sallat e konferencave, një dhunë e nxitur nga të dyja palët, një dhunë që tentonte të tregonte më të fortin. Natyrisht që dhuna e shfrenuar verbale krijon tensione tek turmat.. Jo më kot është shprehja “Fjala vret më shumë se plumbi”.

Mendoj që shoqëria jonë vuan nga një krizë e trefishtë: kriza morale, intelektuale dhe politike. Mendoj se të tria këto kanë korruptuar zemrat edhe arsyetimin tonë, duke na futur në këtë gjendje ku ndodhemi. Ti marrim me rradhë.

Në vitin 1967 regjimi komunist zhduku religjionin dhe shkatërroi kishat edhe xhamitë, duke bërë të ditur se tashmë nuk kishte më vend për dy morale, por kishte vetëm një, morali komunist. Ç’do burim tjetër morali ishte asgjesuar tek njeriu i ri, i cili duhej të kultivohej në një homogjenitet të plotë moral, kulturor e ideologjik, që rrjedh prej një burimi të vetëm që përhapej në çdo skaj të “atdheut” për të premtuar parajsën tokësore, duke davaritur besimin tek ajo qiellorja. Kjo ishte goditja përfundimtare që Enver Hoxha dhe komunizmi i dha shoqërisë shqiptare, e cila kishte pranuar pa reagim dhunimin e pronës, fjalës së lirë, mendimit ndryshe. Partia në fakt zëvendësoi Zotin në të gjitha aspektet dhe madje pushtoi edhe ato hapësira lirie që feja i garantonte. Paria ishte Zoti i ri, që mendonte për gjithcka, dhe gjithkush ishte i detyruar vetë të bindej.

Rrëzimi i regjimit komunist erdhi si një dëshirë e madhe për të ndjerë lirinë, por, edhe pse u rilejua besimi në Zot, brenda vetes sonë mbeti ajo që isht gatuar gjatë komunizmit. Zoti i ri filloi të bëhej pak nga pak, paraja. Po kështu modele të reja të importuara nga Evropa u bënë tabutë e reja dhe shoqëria filloi të kalbej duke humbur trashëgiminë dhe traditat e saj. Ndër të tjera, relativizmi i së vërtetës, i moralit dhe promovimi i modeleve të tilla prej mediave, tentojnë të burgosin njeriun e sotëm brenda mureve të një bote joreale, duke krijuar një realitet shoqëror, që zhytet gjithnjë e më tepër në varfërinë e vet shumëplanëshe. Shoqëria jonë është e mbushur me sofistë që turbullojnë mendjet e qytetarëve duke e orientuar keq opinionin. Vetë pushteti, politika, kultura, mediat, kanë nevjë për shërbimet e tyre, duke promovuar një klimë intelektuale pa lidhje me kërkesat morale të çdo shoqërie. Klasa, politike dhe intelektuale që i imponohet sot publikut është e varur prej pushtetit të parasë dhe kjo prej dijes, moralit dhe lirisë, ndaj dhe individët pjesëmarrës në këtë klasë shndërrohen në ushtarë llogoresh të gatshëm të ndeshen me bajoneta mes tyre. Nga ana tjetër sistemi i edukimit është poaq i rrënuar. Ai nuk nuk prodhon qytetarë të denjë dhe të aftë për ti shërbyer këtij vendi, por vetëm individë të certifikuar për të kryer çfarëdolloj pune, në mos, më tepër individë të trajnuar për t’i dredhuar sistemit. Universitet që po përshpejtojnë me ritme marramendëse tregtinë e diplomave prodhojnë vetëm parazitë që presin tu qepen me çdokusht pjesëve të dobta të makinerisë shtetërore, për të përfituar, në saj të aftësisë së tyre korruptive. Gjithnjë e më shumë shohim studentë që mundohen të fitojnë shkollat, notat apo edhe vendet e punës jo më përmes forcave të tyre intelektuale, por përmes integrimit tek ndonjë forcë politike apo përmes njohjeve, lidhjeve të gjakut apo parave.

E sunduar nga mediat dhe kultura vizuale, e cila duke u ngritur në kult po mbyt me gaz e hare ndërgjegjen dhe reagimin shoqëror, shoqëria shqiptare po venit vlerat e sidomos trashëgiminë e saj, duke e reduktuar kulturën në atë cka përbën elementët më sipërfaqësorë e më periferikë të saj, të përmbledhur në botën e spektaklit mediatik e konsumist. Nga ana tjetër, ligjërimi intelektual sundohen nga individë që ofrojnë këtë produkt, si të vetmin dimension të kulturës shqitpare, duke flakur tej çdo vlerë përtej saj. Në këtë realitet, shpirti ynë mbetet thellësisht i korruptuar duke betonuar jetën tonë, ndërkohë që mendja mbetet e verbuar prej shkëlqimit të rremë që rrjedh nga mediat, apo edhe sofizmat e inteligjencës që kujdeset të mbajë nën sundim ndërgjegjen shoqërore.

E gjithë kjo ndikon në atë që quhet politikë, e cila, mund të thuhet pa frikë se është imazhi i përpiktë i asaj që fshihet në zemrën dhe mendjen e shoqërisë sonë. Politika shqiptare nuk mund të jetë më e mirë, për sa kohë të gjitha pjesët e tjera të kësaj shoqërie janë në këtë gjendje. Politika jonë, pasqyron gjendjen reale dhe ajo nuk mund të ndryshojë, nëse nuk përpiqemi të ndryshojmë atë cka është më thelbësore për një shoqëri, që fillon në vlerat morale e intelektuale të saj. Ndoshta kjo do të ishte edhe kuptimi i shprehjs së urtë, që në fakt ka edhe një burim providencial, sipas të cilës, cdo popull meriton atë qeveri që ka. Në këtë kuptim, politika shqiptare është produkt i asaj që kjo shoqëri mban brenda vetes.

Comments

  • Your email address will not be published.