Bashkëjetesa me Islamofobinë*





Ka kaluar vetëm pak kohë nga ndodhia e masakrës në Christchurch të Zelandës së Re, ku mbetën të vrarë 50 besimtarë mysliman të pafajshëm, dhe vala e solidarizimit të shqiptarëve me viktimat pothuajse është shuar. Më shpejt se ky solidarizim njerëzor, është shuar indinjata dhe denoncimi i fenomenit të terrorizmit me burim ideologjinë e ekstremit të djathtë që inspiroi Brenton Terrant, autorin e masakrës. Përveç një mbulimi mediatik të përciptë, reflektim i pashmangshëm i përmasës globale që mori ngjarja, si dhe ndonjë emisioni të dedikuar, ku në sfond të panelit shfaqeshin imazhet makabre të masakrës, identifikimi i Islamofobisë në mesin e shoqërisë tonë pothuajse mbeti i patrajtuar në mënyrë profesionale. Është e pafalshme për segmente të veçanta të shoqërisë sonë, kryesisht media dhe shoqëria civile, të neglizhojë deri në harresë dhe mos të trajtojë fenomenin e Islamofobisë, si një nga shtyllat e ideologjisë së ekstremit të djathtë.

Pjesë e kësaj kërshërie mediatike ndaj ngjarjes, shërbeu dhe fakti i stampimit nga ana e terroristit të emrit të heroit tonë kombëtar në armën e krimit. Sakaq, nuk ndodhi një thellim ndaj faktit se si mbërriti emri i Skënderbeut në armën, dhe mbi të gjitha në mendjen e një terroristi në Zelandën e Re. Vizitat e terroristit disa herë në vendet përreth nesh, sërisht u trajtua si fakt kronike, pa një reflektim serioz, se përse pikërisht ky rajoni ynë furnizon me ideologji një terrorist nga një kontinent shumë larg nesh, aq sa të ndërmarrë një sulm të tillë me kaq shumë viktima. Bashkëshoqërimi i emrit të heroit tonë kombëtar me disa personazhe të tjerë mesjetar, rezultoi pjesë e një kolazhi imagjinar të ideologjisë ekstremiste antimyslimane, ku armiku është “turku”, domethënë myslimani. Megjithatë ky shfletim i përciptë i katalogut të heronjve të ekstremistëve të djathtë, nuk ndihmon publikun të mësojë sintezën  ideologjike të Islamofobisë dhe kontributorët e saj. Përfshirja e Skënderbeut në këtë katalog të urrejtjes, nuk është kontribut vetëm i qarqeve ekstremiste përreth nesh, pa pasur një mbështetje ligjërimore edhe nga vetë shqiptarët.

Instrumentalizimi nga ekstremistet e djathtë europianë i historisë mesjetare, dhe mbi të gjitha glorifikimi i konflikteve të fundshekullit 20 në Ballkan, që krijon një përfytyrim të “përplasjes së qytetërimeve”, është një temë të cilës pothuajse i shmanget opinioni publik tek ne. Përkundrazi, si pasojë edhe e linjave kryesore të historiografisë të rregjimit komunist, ku Skënderbeu qendërzohet si “mbojtës i Europës”, ka një akomodim ligjërimor të këtij përfytyrimi interpretativ, i cili përkon me theshtëzimin tematik të ideologjisë së ekstremistëve. Është e mirënjohur tashmë se ka qarqe dhe individë ekstremistë shqiptar, që kërkojnë të transformojnë ideologjikisht narrativën kombëtare rreth heroit. Prej tyre Skënderbeu përshkruhet si një kryqtar në luftë me Islamin dhe myslimanët. Narrativa e islamofobisë, me heroin kombëtar në qendër, po gjen gjithjnë e tepër terren në ligjërimin publik, duke tulatur studjuesit e aftë për të mbajtur një lloj higjene intelektuale ndaj ndotjes me efekte shkatërrimtare për kohezionin shoqëror. Kjo lloj narrative e Islamofobisë, e shtyn edhe më tej agresivitetin ideologjik duke i portretizuar më pas en-block të gjithë myslimanët në vend, ata me të cilët sipas tyre luftoi në mesjetë Skënderbeu, si “tradhëtarë” të heroit kombëtar, dhe rrjedhimish si komunitet me identitet të dobët kombëtar, deri në akuza për identitet tjetër etnik, etj. Shembulli më i freskët i një fushate mediatike të paprecedentë antimyslimane në lidhje me identitetin kombëtar u ndërmor në 2017, në të ashtuquajturin “incident i mbulimit” të përmendores së Skënderbeut gjatë kremtimit të Bajramit.

Luftrat e ish-Jogusllavisë ishin luftra ku përkatësia fetare e palëve ndërluftuese shfaqej përmes linjave të konfliktit. Mijëra civilë myslimanë u shfarosën kryesisht nga formacione paramilitare serbe, shpesh në praninë neglizhuese të ushtrive “paqeruajtëse” të Europës. Në vende të ndryshme europiane, qarqe antimyslimane e mbështetën moralisht misionin kriminal të çetnikëve serbë, dhe rrjedhimisht stimuluan përfshirjen në konflikt të dhjetra ekstremistëve europianë. Konfliktet në Ballkan janë një faqe e freskët e narrativës ideologjike të rrjetit botëror të së djathtës ekstreme. Frymëzimi terrorist me sfond ballkanik, u pa dhe në kolonën zanore të sulmit në xhamitë e Christchurch, ku i thureshin lavde në serbisht një krimineli lufte si Radovan Karaxhiç. Brenda këtij konteksti, “Foreign Policy” e klasifikoi Ballkanin si “kryeqendrën botërore të Islamofobisë”. Artikullshkruesi Yiannis Baboulias, pasi përshkruan lidhjet e ekstremistëve të djathtë me masakrat dhe fushatat e spastrimit etnik në luftrat e ish-Jugosllavisë, arrin në përfundimin se: “në Perëndim, e djathta ekstreme e sotme, e imagjinon Ballkanin, rajonin ende me më shumë myslimanë jashtë Azisë dhe Afrikës, si një fushëbetejë kryesore”. Nuk janë ekstremistët nacionalistë serbë ndër të vetmit artikulues dhe frymëzues me ndikim të gjerë të ideologjisë të ekstremit të djathtë, ku islamofobia është shtylla kurrizore. Edhe në Greqi ekstremi i djathtë, nën siglën e “Agimi i Artë”, ka rritje politike duke u përfaqësuar edhe në parlament. Pre e dhunës ekstremiste të “Agimi i Artë” prej kohësh kanë rënë edhe shqiptarët, një lloj “turku” tjetër në përfytyrimin e tyre islamofob, ku sëfundmi thirrjet histerike antishqiptare buçitën edhe në territorin tonë, me rastin e varrimit të Kostandin Kaçifas, një idhtar i tyre që mbeti i vrarë nga përplasja e armatosur me policinë shqiptare.

Ende Islamofobia nuk perceptohet si fenomen i cili mund të ketë zënë rrënjë edhe në shoqërinë shqiptare. Përkundrazi, islamofobia shpesh mohoet si fenomen në shoqërinë shqiptare, apo edhe si fenomen. Është e mirënjohur deklarata e gazetares Albana Xharra, tashmë politikane, se “nuk ka Islamofobi, por Albanofobi”, duke aluduar si nëntekst polemik një kundërshti ekstreme mes Islamit dhe shqiptarisë. Në një studim të tij të para pak viteve, Enri Hide shprehet se “Islamofobia si fenomen nuk është shfaqur asnjëherë në Shqipëri”. Sipas tij, arsyeja përse Islamofobia nuk është shfaqur asnjëherë tek ne, është prania e “harmonisë ndërfetare”. Ai këmbëngul se diskriminimi fetar, i cili sipas tij është i papërfillshëm në vend, duhet ndarë nga Islamofobia, pa u përpjekur të hulumtojë nëse ka apo jo lidhje mes Islamofobisë dhe diskriminimit me bazë fenë. Ndërsa për Dimal Bashën, Islamofobia “është një term i shpikur dhe pa asnjë kuptim”. Për të, Islami është një ideologji, dhe fobia ndaj tij, si për çdo ideologji, është normale përderisa përbëhet nga rregulla dhe ligje, por kjo nuk do të thotë se ekziston fobi ndaj myslimanëve. Përcaktimi si ideologji i Islamit mund të përkufizohet si rast tipik tërësisht manipulativ dhe dashakeqës. Duke e thelluar më tej analizën, ai përdor një krahasim vulgar, që në vetvete tregon shumë për konsideratën dhe ndjeshmërinë e tij ndaj temës. Ai Islamin e krahason me duhanin dhe myslimanët me duhanxhinjtë!? Rrjedhimisht nuk urrehet duhanxhiu, viktima e idologjisë, por duhani si fenomen. Sakaq, në raporte monitorimi, denoncimi i ekzistencës së Islamofobisë konsiderohet alibi e ekstremistëve myslimanë për të legjitimuar ligjërimin e tyre ekstremist. Pra ekziston rreziku që kushdo që hulumton fenomenin dhe përmasën e Islamofobisë, lehtësisht mund të konsiderohet ekstremist, i cili përdor konkluzionet e tij si një platformë për tezat e supozuara si ekstremiste. Kjo në vetvete është një nga dimensionet e Islamofobisë.

Normalizimi i Islamofobisë është shndërruar në rregull, i cila pothuajse nuk përbën shqetësim për opinionin e specializuar publik, por edhe për institucionet shtetërore që e kanë për detyrë mbrojtjen e qytetarëve apo komuniteteve nga gjuha e urrejtjes dhe nga demonizimi i tyre. Media është platforma kryesore ku ushtrohet islamofobia në Shqipëri. Redaksitë e mediave kryesore, për të mos përmendur mediat online, nuk kanë pothuajse asnjë filtër për të frenuar gjuhën e urrejtjes ndaj Islamit apo portretizimin e myslimanëve si rrezik. Sa për ilustrim mund të përmendim se Xhamia e Ethem Beut në qendër të Tiranës është quajtur “garnizon xhihadistësh”, ndërkaq thirrjet absurde për mbylljen e saj për publikut janë shtuar. Në një tjetër artikull, në shkallën poshtëruese të gradëve të devocionit, besimtarët myslimanë më të përkushtuar janë klasifikuar ata të cilët “hedhin veten në erë”. Vlen gjithashtu të përmendim thirrjet për shfarosjen e myslimanëve ditën e Bajramit, të cilëve më parë u vishet masivisht kostumi i xhihadistit, si justifikim për nevojën ekstreme. Shpengueshmëria e personazheve të caktuar në përdorimin e retorikës Islamofobe, është shndërruar pothuajse në gjendje natyrale në shumë platforma mediatike kryesore.

Ndërkohë, institucioni i cili përfaqëson besimtarët myslimanë është shumë i dobët në përballjen me Islamofobisë. Kryetari i ri i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu, në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjes, nënvizoi se parasëgjithash do të “jetë në pararojë të luftës kundër çdo ekstremizmi”. Ky zotim i tij programatik, përkoi me deklaratën e parë institucionale që iu adresua sulmit terrorist në Zelandën e Re. Megjithatë, ky ishte një rast i pashmangshëm dhe sporadik për të adresuar problematikën e shumëanshme të Islamofobisë. Zyrtarët e saj në mënyrë periodike marrin pjesë në promovimin e raporteve që monitorojnë ekstremizmin fetar (kupto mysliman), shpesh edhe duke kontribuar në këto raporte të njëanshme, ku me “fetaren” nënkuptohet vetëm Islami. As institucioni i KMSH, dhe as universiteti i tyre “Bedër”, nuk e kanë trajtuar fenomenin e Islamofobisë në nivelin që e kërkon realiteti. Asnjë konferencë shkencore për identifikimin e fenomenit, asnjë raport për ligjërimin Islamofob në media dhe asnjë nismë për të adresuar tek institucionet shtetërore rekomandime dhe sugjerime që të luftohet ky lloj ekstremizmi nuk rezulton të jetë ndërmarrë nga institucioni që zotohet se do të luftojë ekstremizmat.

Sakaq, shoqata dhe institucione nga shoqëria civile me frymëzim mysliman, me ndonjë përjashtim, nuk e kanë Islamofobinë në fokus të veprimtarisë së tyre. Ndërsa marrin fonde të fryra për aktivitete kryesisht të ndihmës humanitare, ndërtimin e objekteve të kultit, botime dhe të mbështetjes arsimore, asnjë organizim sensibilizues dhe asnjë vëmendje nuk i kushtohet Islamofobisë në vend. Shumica e drejtuesve të këtyre organizatave, apo e liderëve komunitarë, megjithëse e kuptojnë klimën përkeqësuese të Islamofobisë në vend, nuk kanalizojnë fonde dhe burime njerëzore për të trajtuar seriozisht problemin, pasi politikat e financimit nga donatorët e huaj nuk e përfshijnë si hapësirë veprimtarie trajtimin e Islamofobisë. Krerët e këtyre organizatave nuk janë të aftë t’i sfidojnë donatorët e tyre me idenë se; edhe shoqëri ku myslimanët janë vetëdeklaruar shumicë, si këtu në Shqipëri, nuk janë të imunizuara nga trajta të Islamofobisë. Gjithashtu, të rehatuar në pozitat e shoqërisë civile, një pjesë e tyre e ka të vështirë të përballet me estabilishmentin në vend, nga gjirin i së cilës burojnë dhe frymëzohen klishet e Islamofobisë.

Në disa raste, bashkëpunimi dhe akomodimi nga liderë apo organizata myslimane në veprimtarinë e tyre të individëve me rekorde Islamofobie, është dëshmia e prekshme e përshtatjes së tyre ndaj kulturës dominuese antimyslimane në vend. Përshtatja me Islamofobinë e aktivistëve myslimanë, është tipar i një modeli të strukturuar shoqëror që funksionon vertikalisht nga lart poshtë. E gjithë narrativa e elitës kulturore, e konkretizuar si një ideologji pothuajse shtetërore, nuk arrihet të sfidohet nga myslimanët shqiptarë, në ato segmente të cilat burojnë nga përfytyrime orientaliste, dhe që lehtësisht mund të shndërrohen në koncepte Islamofobie. Boshti i kësaj narrative, përhapjen e fesë Islame mes shqiptarëve e konsideron “aksident fatal”, dhe kontributin e Islamit në kulturën dhe kombformimin shqiptar e minimizon apo e shpërfill. Në rrafshin personal, fyerjet apo linçimet, si ai ndaj Myftiut të Tiranës nga një politikan i njohur, mundohen të kalohen si polemika normale apo si keqkuptime. Një imam i njohur në Tiranë, pasi mori fyerje të rënda në drejtim të tij gjatë një emisioni televiziv lider, duke e reklamuar si një gjest zemërgjerësie, deklaroi se e përcolli më pas në shtëpi replikuesin me rekorde Islamofobie. Emblematik për të kuptuar fenomenin e përshtatjes me Islamofobinë, është rasti kur një shkrimtare e njohur, që veshjen “me detyrim” në plazh të një gruaje myslimane e konsideron “sadizëm”, apo “logjistikë për sulme terroriste”, pak kohë më pas shfaqet si ikonë që promovon këtë veshje, e ftuar në një nga aktivitetet e shoqërisë civile me frymëzim mysliman. Ky shembull, por edhe të tjerë, na tregojnë se nevoja e aktivistëve myslimanë për legjitimim më të gjerë shoqëror, kërkon domosdoshmërisht edhe konsensusin apo aprovimin e individëve dhe institucioneve që promovojnë ligjërim Islamofobik.

*Artikulli ndalohet rreptësisht të publikohet në media të tjera pa lejen paraprake të administratorit të ezani.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *