Xhamia që duam





Mes besimtarëve myslimanë, këto ditë është përhapur lajmi mbi ekzistencën e një projekti që parashikon shembjen e xhamisë “Haxhi Mahmud Dashi” (e njohur gjerësisht si Dine Hoxha) me qëllim ndërtimin e një xhamie të re. Edhe më herët kanë qarkulluar opinione dhe lajme që pikëtakonin në idenë e një projekti të tillë. Shtesat ndërtimore, apo ndërhyrjet në strukturën arkitektonike të ndërtesave janë histori normaliteti që shoqëron xhamitë tona. Vlen për t’u përmendur këtu Xhamia e Tabakëve, e cila ka një identitet hibrid arkitektonik, ku vetëm minareja informon publikun mbi funksionin e kompleksit ndërtimor. Në rastin e xhamisë Dine Hoxha, më shumë se një vit më parë një llogari në facebook e quajtur “Xhamitë e Tiranës”, publikoi një spot televiziv promocional, që nxiste besimtarët të dhuronin donacione për blerjen e një sipërfaqje trualli ngjitur me xhaminë. Rreth të njëjtës periudhë jemi vënë në dijeni të një projekti të detajuar maket, të cilin nuk e vërtetonim dot nëse ishte njëmend i porositur për t’u ndërtuar në truallin e xhamisë në rrugën e Kavajës apo diku gjetkë. Por tani lajmi mbi ekzistencën e një projekti ndërtimorë në truallin e Dine Hoxha, megjithëse ende jo plotësisht i konfirmuar, ka një bazë të fortë vërtetësie.

Për të konfirmuar pohimin e burimit tonë, nëse projekti është negociuar me autoritetet, ezani iu drejtua për informacion Bashkisë Tiranë, institucioni që ka në juridiksion aprovimin dhe paisjen me leje të subjekteve të ndryshme, por deri tani nuk na është kthyer përgjigjje. Ndërkohë pyetëm funksionarë pranë KMSh, duke qenë se projektet e ndërtimit të xhamive, medreseve, etj aprovohet paraprakisht në kryesinë e ketij institucioni si propozime që vijnë nga myftinitë e ndryshme në vend. Nga KMSh sërisht nuk konfirmohet mundësia e një projekti të tillë, dhe fillimisht menduam se këto zëra janë në vazhdën e atyre që i kemi konsideruar si spekulime apo projekte të pa mbështetura. Megjithatë, duke qenë se përgjithësisht këto projekte nuk nisin nga institucioni qëndror, por nga bashkësitë lokale që lobojnë pranë KMSh, menduam t’i drejtohemi imamit të xhamisë së rrugës së Kavajës, z. Ahmed Kalaja nëse një lajmi i tillë është i vërtetë apo jo.

Në komunikimin mes nesh, z. Kalaja paraprakisht e mohoi prerazi ekzistencën e një projekti të tillë, por la të kuptohet se mendime dhe shkëmbime idesh rreth një projekti zhvillimor nuk kanë munguar. Imami shprehet se kjo është edhe dëshira e tij, pasi në komunikimin tonë ai shpreson që ky ndryshim të ndodhë , duke e argumentuar me faktin se ndërtesa ekzistuese e xhamisë “po shembet”, gjithashtu edhe me faktin se frekuentuesit e saj janë shtuar ndjeshëm. Nisur nga pohimi i imamit se rreth projektit zhvillimor, “mendimet” dhe “dëshirat” nuk kanë munguar, ne u interesuam për të mësuar nëse kjo ndërmarrje është në ndonjë fazë aktualizimi, apo thjeshtë ka mbetur në nivel hamendësimesh. Nga interesimi ynë na u konfirmua se drejtuesit e xhamisë kohët e fundit janë duke u marrë me dokumentacionin pronësor të xhamisë, moment paraprak ky për të siguruar një leje nga autoritetet. Sakaq me iniciativën e tyre, pothuajse prej një viti janë kontaktuar inxhinjerë dhe arkitektë, për të marrë mendime të specializuara mbi idetë dhe mundësitë e një projekti zhvillimor.

Për të mësuar më shumë rreth kësaj iniciative, do të duhet të presim ende pak kohë, pasi natyra e punëve të tilla është ngjashëm si në projektet publike apo private në Tiranë, që si normë mbahen larg syrit të publikut. Aq më tepër që idea dhe shtysa e projektit nuk vjen nga institucioni qëndror i myslimanëve, por nga bashkësia dhe individët që frekuentojnë xhaminë. Eksperienca e biznesit të ndërtimit në kryeqytet shpesh tregon se projekte të tilla fillimisht konkretizohen formalisht në biseda, takime, ndërhyrje, negociata dhe qoka, për të pëfunduar pasi janë “kopsitur” të gjitha problematikat e projektit. Në rastin në fjalë është e domosdoshme që vetë nismëtarët, para së të ndërmarrin hapin e rradhës në realizimin e projektit tek Dine Hoxha, të interesohen pranë specialistëve kompetentë nëse ndërtesa e xhamisë mbart apo jo vlera arkitektonike, historike etj.  Edhe nëse Xhamia e Dine Hoxhës nuk është zyrtarisht monument kulture, ajo padyshim për shumë banorë të Tiranës është një monument kulture, në një ansambël arkitektonik harmonik në rrugën e Kavajës, segment ende i padëmtuar rëndë nga transformimi i dhunshëm urban. Gjithshtu duke i mbijetuar stinës shkatërrimtare komuniste, Xhamia e Rrugës së Kavajës është një simbol i ringjalljes fetare tek myslimanët shqiptarë pas rënies së regjimit ateist. Në ambjentet e saj, brezat e parë të besimtarëve kanë përjetuar ndjesitë spirituale, kanë mësuar rregullat dhe konceptet bazë të besimit si dhe janë socializuar mes tyre duke konkretizuar eksperiencën e besimit. Edhe nëse do të ndërtohen dhjetra xhami të tjera në kryeqytet, xhamia e Dine Hoxhës, sëbashku me ato dy tre xhami që i mbijetuan komunizmit, me simbolikën e fortë identitare që mbartin, do të mbesin të pazëvendësueshme në memorien e bashkësisë së besimtarëve.

Është e natyrshme që bashkësitë fetarë të ndëmarrin projekte zhvillimore në dobi të besimtarëve dhe të publikut, por në një kohë kur mungon vëmendja e duhur ndaj trashigimisë kulturore, ambjentit si dhe hapësirave publike, transparenca është jetike, për të mos thënë detyrim moral dhe qytetar për të ruajtur të mirën e përbashkët. Kur një projekt i tillë projektohet për t’i ardhur në ndihmë komunitetit dhe jo për biznes, një debat i shëndoshë mes specialistësh dhe dashamirësish do të ishte i domosdoshëm për të shoshitur me kujdes nëse projekte ndërtimore të reja në zona urbane autentike dhe si zëvendësuese të ndërtesave me sadopak vlerë arkitektonike dhe historike janë të nevojshme apo të dëmshme.

I gjithë interesimi ynë është për të sensibilizuar publikun, dhe më ngushtësisht besimtarët, për rrezikun e projekteve njëdimensionale që neglizhojnë, apo shkatërrojnë trashigiminë historike dhe shpirtërore të myslimanëve shqiptar. Një rast i ngjashëm u regjistrua disa kohë më parë në qytetin e Pogradecit, ku një xhami shekullore u shemb për të ndërtuar në truallin e saj një xhami të re, e cila megjithëse i lehtëson disi kushtet besimtarëve të zonës, varrosi përfundimisht një objekt material të së kaluarës sonë historike. Gjithashtu në rrjetet sociale prej muajsh spekullohet rreth idesë se pas përfundimit të restaurimit të Xhamisë së Et’hem Beut në qendër të Tiranës, ajo do të shndërrohet në muze për vizitorët e huaj. Këtë hamendësim publik e rëndojnë më tej edhe thirrjet e herëpashershme histerike të disa ekstremistëve për mbylljen e kësaj xhamie simbolike për tiranasit dhe shqiptarët. Ndërkohë vetë imami Kalaja me të drejtë ka denoncuar tjetërsimin në muze për zonën, të xhamisë në Nivicë të Tepelenës, për faktin se ajo si objekt ende nuk i është rikthyer KMSh nga autoritetet shetërore.

Xhamia e Dine Hoxhës ka një historik interesant. Ajo është ndërtuar në fillim të viteve 30’ të shekullit të kaluar për nevojat e asaj që për kohën quhej “Lagja e Re”. Edhe një admirues mesatar i arkitekturës do ta kalsifikonte arkitekturën e saj si një zgjatim racional i frymës monumentale të xhamive të periudhës osmane. Edhe pse xhamia e Dine Hoxhës nuk është trajtuar profesionalisht në studimet e arkitekturës historike të Tiranës, ajo është dëshmi konkrete e veçantisë në ndërtimtarinë fetare të periudhës së pavarsisë. Gjithashtu kjo arkitekturë fetare myslimane e materializuar në disa projekte në qytetet tona, dëshmon edhe filozofinë autentike të fetarisë dhe të organizimit strukturor të myslimanëve shqiptar. Në regjimin komunist xhamia do të shndërrohej në një ambjent për nevojat e ndërmarrjes së dekorit të qytetit, mbase ngaqë shfrytëzohej mirë lartësia e konsiderueshme e ndërtesës. Struktura e saj pësoi ndryshime të forta duke i shembur minaren si dhe duke i mbuluar kupolat. Edhe në gjendjen e sotme ajo ende nuk reflekton origjinaltetin e saj arkitektonik, pasi ende nuk janë restauruar katër gjysmëkupolat e saj, si elementë që konkretizojnë zbutjen e harmonike nga kupola qëndrore drejt mureve të fasadës, siç shihet edhe në fotot e para luftës. Kështu, secili frekuentues apo vizitor i vëmendshëm, kur ndodhet në sallën qëndrore të lutjeve, vëren anomalinë e ekzistencës së gjysmëkupolave, dhe maskimin e tyre jashtë, me lartësimin e murit të fasadës në të katër anët, mur i cili mbyllet me një çati rrethore me tjegulla. Gjithashtu ndërtimet dhe sistemimet e shpeshta të dekadave të fundit, ndërmarrë për të akomoduar sa më shumë besimtarë, ku më shumë e ku më pak, kanë tjetërsuar identitetin fillestar të objektit në nivel përkeqësues.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *