Lëvizja e studentëve: Ku humbi KMSh?





Siç dihet, prej ditësh studentët kanë braktisur auditoret, dhe për një sërë arsyesh protestojnë në rrugë, duke i kërkuar me vendosmëri qeverisë një numër kërkesash. Protesta për nga masiviteti dhe spontaniteti i manifestimit të saj, ku padyshim spikatin parrullat e larmishme, ka fituar menjëherë simpatinë e shumicës së qytetarëve. Sigurisht partitë opozitare apo grupime politike janë munduar të njehsohen me protestën, pse jo edhe ta uzurpojnë drejtimin e saj, që më pas ta pilotojnë drejt agjendave të tyre. Sakaq, një organizatë si Kisha Katolike, e cila rrallë përfshihet në përplasje sociale ku protagonist është qeveria, lëshoi një deklaratë në mbështetje të lëvizjes studentore. Pa hyrë në detajet programore apo në ngjyrimin ideologjik të protestës, Kisha Katolike deklaroi se studentët dhe rinia “janë pjesa më energjike e shoqërisë”. Po ashtu në tekstin e deklaratës, Kisha Katolike thotë se “mbështet çdo reformë që i vjen në ndihme shtresave të varfra të shoqërisë.” Megjithatë edhe kjo organizatë më pas ka bërë një kthesë U, kur i bën thirrje “palëve” të dialogojnë, një pozicion që hapur i shkon përshtat pushtetit.

Në këtë situatë të pazakontë social-politike, e cila ka zgjuar nga letargjia shumëvjeçare qytetarin shqiptar, mungoi me një qëndrim organizata fetare më e madh në vend Komuniteti Mysliman. Nuk është i domosdoshëm reagimi ndaj çdo proteste apo për cilindo konflikt social, pasi në një shoqëri demokratike është e natyrshme që disa grupe sociale apo interesi do të jenë të pakënaqura me qeverinë. Në këtë këndvështrim nuk është e thënë që KMSh të monitorojë rregullisht kalendarin e pakënaqësive popullore ndaj qeverisë, por është e thirrur që ta mbaj çelur njërin sy ndaj zullumeve të qeverisë, aq më tepër kur ky zullum po asfikson rininë universitare. Gjendja ku e ka katandisur qeveria arsimin e lartë përmes pseudoreformës së saj, saqë detyroi të nxirrte këto ditë të ftohta studentët dhe një pjesë të petagogëve në rrugë, kategorizohet në dështimet madhore të qeverisë. Është rrënqethëse teksa nga njëra anë dëgjojmë rrëfimet e mjerimit nga gojët e studentëve protestues, të cilët detyrohen të braktisin fakultetet për të siguruar me punë të hollat për të paguar vitin e ardhshëm akademik, dhe nga ana tjetër kumbon heshtja e gjithkujtë që bëhet palë me arrogancën e qeverisë.

KMSh ka ditur të bëjë shpesh deklarata për të dënuar akte apo fenomene kriminale që ndodhin shumë larg realitetit shqipëtar. Kreu i KMSh ka shpenzuar energjitë e tij për të kritikuar “paudhësitë” politike të një vendi tjetër i cili rrëmben bashkëqytetatët e tij në një vend të tretë. Gjithashtu ish nënkryetari i saj ka denoncuar indiferencën e besimtarëve shqiptar ndaj padrejtësive që i bëhen shumë qytetarëve turq nga qeveria në vendin e tyre. Këto pak rreshta për të kuptuar se KMSh kur dëshiron, është e gatshme të reagojë ndaj zullume të cilat ajo i konsideron parësore për t’u denoncuar nga institucioni i saj. Për fenomene negative, veprime arbitrare apo dhunime të ligjit, të cilat kanë qenë rutinore nga qeveria, sidomos dekadën e fundit, KMSh nuk ka pipërirë asnjë fjalë.

Jo vetëm që KMSh nuk ka kritikuar qoftë një herë të vetme qeverinë, por eksponentë të saj janë vënë në shërbim të propagandës së qeverisë dhe sukseseve të saj. Gara për t’u venë në shërbim të qeverisë apo të qeveritarëve të saj lokalë tashmë është shndërruar në normë, një fenomen i urryer dhe i neveritshëm. Shkalla e servilizmit të myftiut të kryeqytetit ndaj kandidatit në hije për kryetar të PS është prej vitesh në ngjitje, saqë është reduktuar në një personazh grotesk që shëtit në kronikat televizive të bashkisë herë si lulishtar, herë si kuzhinier e herë si klerik. Ndërkohë një tele-imam, udhëheqës i një produksioni bamirësie me producent një ish zyrtar të qeverisë, produksion që synon të zbusë varfërinë përmes solidarizimit patriotik, në një edicion të saj të fundit dëgjon gojëhapur monologjet e pushtetit dhe pozon buzagaz për audiencën e gjerë me kryeministrin që ka varfëruar si askusht tjetër shqiptarët e post-komunizmit. Rasti më flagrant i përdorimit të besimit fetar për të amnistuar zullumet e qeverisë është ajo e një imami Phd, i cili iu kundërvu opozitës, sepse sipas tij, një ish të dënuari që fiton tendera abuzive nga qeveria, opozita po i mbyllte dyert e mëshirës hyjnore. Sigurisht opozita ia ktheu kusurin imamit Phd duke i përmendur automjetin Toyota dhuratë nga “viktima”.

Drejtësia sociale është një nga shtyllat ku mbështet një bashkësi njerëzore, dhe autoritetet fetare duhet të jenë prej aktorëve garant për të stimuluar këtë gjendje ideale apo për ta zbutur me veprime konkrete. Prej kohësh KMSh dhe funksionarët e saj më të zëshëm janë inekzistentë kur vjen puna për të denoncuar paudhësitë e pushteti, i cili për nga natyra tenton të rrëshqasë në autoritarizëm nëse nuk sfidohet nga aktorë të ndryshëm në shoqëri. Përkundrazi, në vend se KMSh dhe funksionarët e saj të ushtrojnë këtë mision themelor të besimit islamik, shohim shpesh e më shpesh që autoritetet fetare myslimane të jenë dekor i aktiviteteve të pushtetit pa e vrarë mendjen për pasojat katastrofike të imazhit të tyre në publik. Pa dashur t’u kërkojmë të bëhen heroj jashtë kohe, është në nderin e tyre që nën dritën e mësimeve profetike të mbështesin moralisht përpjekjen e drejtë të studentëve, pjesës më të padjallëzuar të shoqërisë e cila duke i’u shmangur rrjetit të tregut të narkotikëve apo shtigjeve për të përfunduar në kampet e azilit, ka zgjedhur të kapet me thoj pas dijes, me shpresë dhe vizion të drejtë për të ardhmen e tyre.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *