Beqir Ajazi*

Ishte një natë vonë dhe, sipas ndërresave të rojave të jashtme, duhej të ishte pas orës tre të mëngjesit. Më doli gjumi, ndërsa Hafizi (Hafiz Musa Dërguti) luante buzët, sytë i kishte hapur, gjë që tregonte se nuk po flinte.

Duke i kaluar në paradë të tërë kobet që më kishin goditur si dhe ato që parashikoja se do të më ndodhnin pas lirimit, më kishte pllakosur një mërzi dhe një duf, të cilin nuk dija si ta largoja nga zemra… Komunistët të cilët e mohonin dhe e luftonin Zotin dhe rrugën e tij, i ndihmonte kurse neve që i kishim sjellë besim dhe i luteshim me përgjërime, na kishte kthyer shpatullat. Kisha rënë në një dëshpërim të madh dhe më kishte mbirë dyshimi në ekzistencën e Zotit…Atëherë, si ai që e ka humbur rrugën në mes pyjesh e shkurresh shekullore, më tha mendja se, duke iu kundërvënë komunistëve që s’të kishin as fe e as atdhe, unë e kisha humbur avenirin dhe veten time për një gjë që nuk ekzistonte fare.

Isha krejtësisht nën pushtetin e këtij dyshimi, kur u drejtova nga Hafizi dhe i thashë:

-Efendi! A thu se vallë nuk pati fare Zot dhe ne e humbëm veten kot duke iu kundërvënë komunistëve?

Ai e kishte kokën shumë më lart se unë, për shkak të tre jastëkëve që mbante nën të. Papritmas ai nxorri dorën e djathtë nga jorgani dhe, duke ma tundur gishtin kërcënueshëm para syve, sikur donte të më qëllonte, më tha, duke më shikuar me ata sytë e zjarrtë:

-Shiko këtu! Sa vjeç jam veta, sipas teje?

-Po nja tetëdhjetë e sa, ke thënë vetë zotëria jote, – i thashë.

-Dhe sa vjet më kanë mbetur akoma, – vazhdoi ai prapë?

-Nuk e mbaj mend, për besë; po një numër i madh prej tyre.

-A ta merr mendja ty atëhere se rron Hafiz Musaja, deri sa t’i bëjë tërë ato vite që më kanë mbetur akoma, dhe që të shkoj në Shodër e të vdes në shtëpinë time?

-Jo, për besë, – i thashë, – në të vërtetë jo.

-Shiko atëhere – më tha ai, – dhe mbaje vath në vesh këtë fjalë që po të them vetëm këtë herë, dhe s’kam për të ta përsëritur më kurrë! Për në qoftë se Hafiz Musaja lirohet dhe shkon e vdes në shtëpi të vet, atëhere, dije një herë e përgjithmonë se ekziston një Zot i Vetëm e i pashoq, i cili rregullon qellin dhe tokën, si dhe gjith punët e njerëzve në botë, sipas një plani që punon përjetësisht dhe që nuk e ndërpret kurrë punën e vet.

Ti sonte kë rënë krejtësisht në mohim, ke dalë fare nga imani. Prandaj pendohu dhe lutju fort Allahut që të ta falë këtë faj.

E ndjeja veten të penduar thellë për atë marrëzi që kisha bërë.

Pas më pak se dy vjetësh si isha liruar më vjen një telegram, që më njofton se Hafiz Musaja ishte kthyer në shtëpinë e tij, në Shkodër.

Atëherë nuk më kishte mbetur më asnjë dyshim se, atje në burgun e Burrelit, unë kisha patur fatin të njihja një njeri të madh, i cili ma kishte përcaktuar në mënyrë të përjetshme mendimin mbi ekzistencën e Zotit, duke më dhënë një provë materiale të padiskutueshme.

I ndrittë shpirti atij dijetari, atje ku i pastë rënë!

 

*Shkëputur nga libri me kujtime i autorit titulluar: ”Nga shkaba me kurorë tek drapëri me çekan”, publikuar nga “Mokra 2000”

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *