Gazaliu klasifikues i njohurivet





Baba Rexhepi*

Gazaliu në veprat e tija kallzon se qysh i klasifikon njohurit. Tregoj se cilat janë njohuri të përfituara dhe deduktive dhe cilat janë të frymëzuara ose të dhuruara me anën e frymëzimit. Në librat e tija tregon gjithashtu se cilët janë pasonjësit e këtyre kalsifikimevet. Këto shpjegime i jep në librin e tij me titullin “El Munkidh minel dalal” (Shpëtimtari nga errësira). Kjo vepër pasqyron krejt jetën shpirtërore te Gazaliut, me sinqeritetin më të plotë. Vë në dukje çdo gjë që i ka shkuar nga zemra, mërzitjet shpirtërore që ka patur, dhe të gjitha dritat që i kanë lindur.

Ndjeksit e njohurivet, me të cilët merret Gazaliu, janë katër: theologët, filozofët, batininjt dhe mistikët. Theologët janë ata që, me theologjinë e tyre, kërkojnë të mbrojnë besimin e popullit nga njerëzit heretikë (bidad), të cilët kanë nxjerrë disa norma fetare të reja që nuk kanë qenë më parë, me të cilat kërkojnë të ngatërrojnë mendjen e popullit inocent. Mirëpo, sipas Gazaliut, sistemi dhe mjetet që përdorin për këtë qëllim janë shumë të dobëta dhe mendimet e tyre të kllasin dyshimin.

Sa për filozofinë e filozofëvet, Gazaliu thotë se: me gjithë se nuk e mohon vlerën e stërvitjes së mendimit të tyre dhe rëndësinë që kanë, sidomos shkenca e mathematikës dhe shkenca natyrale, ata janë kundër të gjitha atyre parimeve fetare që vinë në kundërshtim me natyrën.

Gazaliu Aristotelin, që përmëndin Farabiu dhe Ibni Sinaja në librat e tyre, në pjesën e shkencës divine (hiqmeti ilahije) e shikonte si armikun e Islamit. Materialistët, thoshte Gazaliu, kanë mohuar Zotin dhe shpallin eternitetin e dheut dhe të qellit.

Natyralistët, duke parë këtë mjeshtëri të bukur e të përsosur nga çdo pikpamje, me të cilën është krijuar bota, pranojnë ekzistencën e një fuqije krijuëse, potenciale e sunduëse, që është Zoti, por për njerinë thonë se ai bën ç’bën kur është i gjallë, pastaj s’besojnë më për ‘të. Jetën tjetër, hesapet dhe qitapet ata s’i njohin fare.

Përsa u përket filozofëvet fetarë (ilahijunë), Gazaliu thotë se ata e njohin Zotin, por theksojnë se bota është e vjetër dhe eterne dhe Zoti di vetëm punët në përgjithësi dhe nuk merret me hollësira. Ata thonë gjithashtu se njeriu nuk do të ringjallet me trup, pasi shpirti i tij është i gjallë dhe s’vdes kurrë. Të gjitha këto pretendime të filozofëvet Gazaliu i refuzon, duke i akuzuar ata si qafirë, afetarë.

Sa për Batininjt (dogma e të cilëve është e errët dhe merret vetëm me kuptimin e brendëshëm të versetavet dhe të jashmet s’i njeh fare) Gazaliu thotë se këta nuk dijnë gjë përveç asaj që u thotë Imami i tyre i patruar (Maasum). Ata të vetëmin ndriçim kishin atë, dhe nuk dinin gjë tjetër. Këta i ka kritikuar Gazaliu dhe i ka refuzuar pikpamjet e rrugës së tyre në librin e tij “Huxhxhetul Hak” (Dokumenti i së vërtetës). Në librin e tij: “El Munkidh mined dalal” nuk bën fjalë fare për ‘ta.

Tani mbeten vetëm mistikët tek të cilët Gazaliu ka drejtuar me gjithë shpirt sytë e tij. Ndjen në zemër se çdo përparim dhe sukses që ka patur në jetën e tij ua detyron atyre. Me suksesin dhe përparimin që përmend, ka për qëllim përparimin e besimit të tij të paisur me njohuritë e shkencavet hyjnore (ilmi ledun). Gazaliu, në librin e tij “El Munkidh mined dalal”, shpjegon gjer’ e gjatë rrugën mistike. Në ‘të thotë se, pasi studioi më parë rrugën e theollogëvet, të filozofëvet dhe të batininjet, i gjeti të gjitha të çala, të meta dhe afetare dhe u hodh me gjithë fuqinë e tij në misticizmë. Kuptoi se atje nuk vlente vetëm njohuria, por edhe punimi ose veprat. Me veprat, thotë ai, ka për qëllim të vendosi vetveten siç duhet. T’i heqë të gjitha pengesat dhe të çvishet nga të gjitha veset dhe gjërat e dobëta. Gazaliu ishte i mendimit se në këtë mënyrë pastron zemrën dhe e pregatit fronin e Zotit që të rrijë si mysafir në ‘të, duke e ushqyer me përmëndjen e Tij.

Gazaliu filloi të lexonte librat e mistikëvet të mëdhenj si “ Kuvvetul kulub” (Fuqia e zemravet) të Mekiut dhe librat e Muhasibiut. Ndiqte me vëmendje fjalët plot këshilla e porosi të Xhunejdit, Shibliut dhe Bestamiut dhe, më në fund, si mori vesh gjithë qëllimin dhe përmbajtjen e tyre, kuptoi se nuk ishte qëllimi të kuptonte njohurinë e tyre, por dhe të përmirësonte vetveten me anën e pehrizit dhe veprimeve të tjera, që bënin ata, dhe kështu t’ia arrinte qëllimit të dëshiruar. Dhe me këtë qëllim iu shtrua, me gjithë fuqinë e tij, lutjeve të Zotit dhe nuk  u nda më.

Gazaliu, si mori vesh të gjitha këto dhe pa se misticizma ishte rruga e vetëme që të shpije në objektivin e dëshiruar, ishte më e përsosura nga të gjitha pikpamjet morale dhe shpirtërore, kuptoi edhe se të gjitha lëvizjet e jashtme dhe të brëndëshme të mistikëve ishin të ndriçuara prej dritës profetike, në të cilën pruri bindje se ishte e vetmja dritë që mund të ndriçonte të gjithë shpirtrat njerëzore në botë.

 

*Shkëputur nga vepra e tij “Misticizma Islame dhe Bektashizma”.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *