Edhe një herë “E-zani i Naltë”





Prej kur nisi, gati një dekadë më parë, askush nuk e mendonte që e-zani do të shndërrohej në atë medium që lexuesit, miqtë, vëzhguesit, bile dhe kritikët duket të kenë rënë dakord se është shndërruar pak nga pak. Nuk kemi ndërmend t’i japim asnjë notë vlerësimi rezultatit të këtij shndërrimi, përveçse ndonjë cilësor që ka lidhje me përmasat, teknikisht: e-zani u zmadhua shumë në vite. Së këndejmi, pesha e përvojës së akumuluar, me vështirësitë e keqkuptimet e pashmangshme, në një shoqëri e kulturë në transformim të pandalshëm, na ka detyruar shpesh të ndalemi për të soditur objektin kolektiv formuar sa prej punës tonë e bashkëpunëtorëve tanë, aq dhe prej pluralitetit të leximeve e lexuesve.

Heshtja e fundit u bë shumëmujore, por pas saj, sot, platforma jonë rinis edhe një herë komunikimin me miqtë dhe lexuesit e saj, duke shpresuar të kontribuojë në rigjallërimin e mendimit në mjedisit tonë. Ky pushim,na jep mundësinë neve dhe shumë prej bashkëpuntorëve tanë të hershëm, tashmë edhe me angazhime të tjera në sferën e komunikimi, të risjellin në vëmendjen e publikut përthyerje të mendimit dhe të përvojës, edhe njëherë, në përmbushje të bukurisë, të asaj që po humb pandalshëm.

Në këtë rikthim, e-zani i është nënshtruar një rikonceptimi i cili rreket t’i kanalizojë kontributet t’u shkojnë më të thellë dukurive, fjalëve dhe ngjarjeve që na rrethojnë, si dhe në një shpërndarje më harmonike të temave dhe qasjeve që do të trajtohen. Në platormën e re të ridizejnuar parashikohet që temat të grupohen në katër rubrika. Sëpari tek “përkufizime” do të trajtojmë teorizime e shpjegime mbi terma e tema që i gjejmë si të rëndësishme, të debatueshme apo të mbetura në hije. Së dyti tek rubrika “lexime” do të rreshtojmë përzgjedhjet tona me pasazhe apo kritika nga botime të reja apo të vjetra që na pëlqejnë apo intrigojnë. Së treti në rubrikën “përmendje”, sipas kuptimeve që dhe i përmban kjo njësi,do të zgjedhim tekste që ndihmojnë ndërgjegjësimit dhe përkujtimit për çështjet thelbësore të qenies dhe gjallimit: me pak fjalë kjo është rubrika e punëve poetike, shpirtërore e mistike. Nën kolonën “ditar” do të grumbullojmë çka na bën përshtypje nga kronika, çka duam të mbetet në kujtesë prej dëshmisë e vëzhgimit tonë. Së fundi në aneksin “blogu” do të përpiqemi të japim kryesisht atë që lexuesi na sugjeron për ta shfaquar në gjithë rubrikat e mësipërme.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *