Klodi Smajlaj

Kur flitet për të, nuk jepet askund numri i kilogramëve që kishte në trup. Nuk përmendet as era e gjellës apo aroma e parfumit. Nuk thuhet as që e mbante veten apo palestrohej.

Kur flitet për të, kupton se në ç’mendime të shfrenuara varaviten mendjet e sotme mashkullore teksa flasin e kërkojnë prej grave të tyre.

Kur flitet për të, kupton thelbin e të qenurit grua. Kupton se çfarë do të thotë të jesh një njeri i lirë.

Ajo është Hatixha bint Kuvejlidi, gruaja e Profetit Muhamed a.s. Kurdo që diskutohet për çështjet e gruas sot, më vjen në mendje figura dhe karakteri i saj. Do të kisha dhënë gjithçka vetëm që të mund të punoja e të udhëtoja me Hatixhen. Do ta ndërroja makinën me një deve e do të hiqja dorë nga laptopi, në këmbim të shitjes së mallrave të saj. Sa shumë gjëra do të mësoja prej saj sikur t’i rrija nga mbrapa si hije, qoftë edhe për një ditë të vetme!

Në dallim nga kohët e sotme kur më së shumti janë burrat ata që punësojnë gratë, Hatixhja r.a ishte punëdhënëse e burrave. Biznesi i saj qe i suksesshëm, dhe për shoqërimin e karvaneve të saj ajo punësonte burrat më të besueshëm. Ajo ishte e zgjuar, kishte intuitë të fortë dhe dinjitet të lartë. Pikërisht prej këtyre cilësive, thirrej me emrat më të bukur: Amirat-Kurejsh (Princesha e Kurejshëve) dhe el-Tahira (E pastra).

Hatixhja (r.a) e dinte se ç’ishte tregtia korrekte. Ajo s’e cenoi kurrë modestinë a integritetin e saj për të arritur sukses në atë botë tregtie të dominuar nga meshkujt.

Para martesës së saj me Muhamedin a.s, Hatixhja r.a kishte refuzuar disa propozime. Duke qenë se ishte gruaja më e suksesshme në atë shoqëri, e pasur në karakter e në të mira materiale, shumë burra i kërkonin dorën. Ajo qe martuar dy herë përpara martesës me Muhamedin a.s. Nga të dyja ato martesa, kishte patur fëmijë dhe nga të dyja kishte mbetur e ve. Karakteri i lartë e kishte bërë Hatixhen r.a të ishte kërkuese. Duke mos dashur të vuante humbje të tjera, ajo hoqi dorë nga martesa dhe iu përkushtua plotësisht vetes dhe familjes së saj. Kështu vazhdoi deri sa i kërkoi Profetit a.s që të martohej me të.

Në dallim nga sot, kur përgjithësisht martesat bëhen për dashuri (ndonëse jo gjithmonë), në atë kohë, ato bëheshin kryesisht për të siguruar jetesën. Por Hatixhja r.a s’kishte nevojë për një burrë që ta mbante. As Muhamedi a.s nuk i kishte kushtet për të kërkuar grua për martesë. Hatixhja, si shpirt i lirë që ishte, u dashurua me të dhe nëpërmjet një ndërmjetësi, i kërkoi të martoheshin.

Ajo që të lë pa fjalë, e që t’i neverit ato çka thuhen për gruan sot, për linjat, freskinë, e perfeksionin që presupozohet se duhet të ketë, është fakti se Hatixhja ishte 15 vjet më e madhe sesa Muhamedi (a.s). Kur u martuan, ajo ishte 40 vjeç, ndërsa Profeti (a.s) 25.

Kjo martesë theu e vazhdon të thyejë çdo stereotip të mundshëm mbi dashurinë e martesën, mbi marrëdhëniet në çift e mbi kriteret që duhet të plotësojë secili nga partnerët.

Ajo që të habit edhe më shumë, e që të bën të lemerisesh nga mendimet përçudnuese të burrave të sodit për të marrë gra të dyta, apo për të pasur dashnore, është fakti se ndonëse në atë kohë poligamia kryhej rëndom, sërish martesa e Hatixhes (r.a) me Muhamedin (a.s) qe monogame deri kur ajo vdiq, pas 25 vjetësh. Muhamedi a.s nuk deshi e as nuk vlerësoi njeri tjetër sikurse Hatixhen!

Hatixhja r.a nuk spikati e as nuk la gjurmë në histori për bukurinë, për linjat elegante a për stilin e veshjes, por me sjelljen e dinjitetin e saj të lartë, ajo i tregoi botës se ç’mund të arrijë një grua e përkushtuar, modeste dhe guximtare.

Sa larg këtij modeli jemi sot, kur grave, që në të shumtën e rasteve luftojnë për mbijetesë, kërkohet t’iu vihen barra, që as shpina s’ua mban dot më! Sa larg Profetit a.s. janë ata që rolin primar të martesës e reduktojnë, madje deri në përdhosje, në aftësitë joshëse fizike të grave!

Ja, cilësitë e kësaj gruaje të lartë janë etalon për mua. Janë për të gjitha gratë. Cilësitë e kësaj fisnikeje duhet të jenë etalon edhe për ata ligjërues fetarë që guxojnë e marrin përsipër të bëjnë analiza e trajtesa mbi gruan.

Comments

  • Zoti jua shperblefte autores, dhe ju qe postoni shkrime te tilla te bukura.
    Sikur te kishte si mbyllje edhe nje mini keshille per grate, qe nen shembullin e Hatixhes, t’ja rrisin vleren vetes duke bere zgjedhjen me te mire, do te ishte nje perle e vertete.
    Po edhe keshtu hyn te shkrimet qe rilexohen me kenaqesi

  • Përshëndetje Motër e nderuar Klaudi Smalaij.
    Me pëlqeijn veprat apo shkrimet e mrrekullueshme tuajat.
    Dua të lexoij nga ju më shum se kaq a keni libër të botuar të kem për lexim.
    Zoti ju bekoft .

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *