Është krijuar një situatë absurde pas reagimeve që pasuan sulmet kundër imamit të Xhamisë së Pazarit dhe disa artikujve në faqen tonë. Së fundmi, në faqen në FB të imamit të rrugës së Kavajës, Ahmed Kalaja, janë shfaqur dy postime pasuese të dy shkrimeve të fundit të Elton Hatibit.

Le të sjellim disa sqarime paraprake. Ne nuk e dimë kush është autori i postimeve, por ‘të huazuara’ nga imami në fjalë, ato sillen si reagime të cilat ai i mbështet dhe i promovon. Dhe kjo është për të ardhur keq se tregon nivelin e diskursit të udhëheqësve tanë fetarë. Pse e themi këtë?

Së pari, autori anonim pretendon se ka kërkuar t’ia postojmë si shkrim apo si koment por kjo është rrefuzuar prej nesh. Kjo nuk është e vërtetë: shkrimi nuk është sjellë e as nuk është postuar si koment. Jo se do kishim ndonjë detyrim për ta botuar, por kjo sa për të sqaruar lexuesit. Vlen të kujtojmë se edhe në shkrimin e fundit të Elton Hatibit ne përfshimë linkun nga faqja e imamit në mënyrë që lexuesit të mund të njihnin vetë shkrimin e debatuar.

imagesSë dyti, në të dyja shkrimet, tregohet mjerisht se vetë muslimanët kanë përtypur dhe përqafuar qëndrimet orientaliste qoftë të Kinostudios Shqipëria e Re, qoftë të disa studiuesve në Perëndim, që nga mendimi i ulët për Islamin kanë besuar se sufizmi nuk mund të jetë produkt i brendshëm musliman, por i huazuar. Ky qëndrim nuk është më i pranuar as nga studiuesit seriozë perëndimorë. Ata që kërkojnë të dinë më shumë mund të konsultojnë – fjala vjen – librin e historianit të periudhës së hershme të Sufizmit, Ahmet Karamustafa.

Por ajo që është edhe më serioze është përfshirja me terma dhe qasje që as autori e as promovuesi me sa duket, nuk i njohin. Le të sjellim një shembull: Autori anonim thotë se asnjë tekst i Islamit nuk predikon misticizmin. A predikon Islami besimin se nëpërmjet dorëzimit ndaj Zotit mund të arrihet dije që nuk mund të arrihet në mënyrë të pavarur nga intelekti? Çfarë është eksperienca profetike në shpellën e Hirës? Çfarë tjetër është misticizmi? Mund të sjellim përplot shembuj të tjerë të mirënjohur e të pranuara në literaturën e sunizmit por le të sjellim në vëmendje edhe pasazhin kur autori përmend ‘gnosticizmin’ si huazim sufi nga krishtërimi. A e di autori se ‘gnosticizmi’ është përkthim i fjalës ‘ma’rifa,’ dhe ai që posedon ma’rifa apo gnosë, quhet Arif, i njohur edhe si emër njeriu në bashkësi muslimane, përfshi mes shqiptarëve. Imam Neveviu, fjala vjen, do i vinte titullin një prej librave të tij ‘Bustan el Arifin’ (Kopshti i Gnostikëve). Po aq qesharak është përsëritja e slloganit se ‘Islami është fe racionale’ sepse selefizmi në origjinë të vetë nuk beson se Zoti mund të njihet racionalisht, e pra i pavarur nga shpallja. Pretendimi se Zoti mund të njihet racionalisht, e për rrjedhim pa nevojën e shpalljes, është qëndrim i mutezilitëve, të konsideruar të devijuar nga selefitë. A e njohin selefitë selefizmin?

Nuk ka rëndësi se çfarë shkruajnë anonimë nëpër FB, por kur këto promovohen si qëndrime të një imami, kjo është shqetësuese. Pretendimet për paraqitjen e origjinave të huaja të sufizmit nga budizmi, krishtërimi, hinduizmi me pretendimin se njeh këto religjione aq sa të diktojë origjinat e sufizmit, kjo është shqetësuese sepse njerëzit i besojnë atij fenë e tyre, bazojnë qëndrimet e tyre për sufizmin apo për martesën apo për muzikën e Sami Jusuf. Kjo është vërtetë për t’u shqetësuar.

Ka një pretendim se faqja jonë ka një lloj axhende kundër selefive. Artikujt e parë të kësaj faqeje janë artikujë të botuar edhe në shtypin e pavarur në mbrojtje të selefive nga sulme të pandershme ndaj tyre në mediat e vendit. Në këtë faqe kemi intervistuar vetë imamin e rrugës së Kavajës, edhe pse mund të mos jemi dakort me shumë qëndrime të tij, edhe pse nuk pranojmë shumë qëndrime të selefizmit. Pse?

Prej më shumë se gjashtë vitesh të kësaj faqeje kemi besuar në diversitetin e mendimit si atribut thelbësor të traditës tonë fetare. Siç kemi shkruar dhe më parë, ortodoksia islame është artikuluar në disa shkolla teologjike, juridike dhe të traditës shpirtërore. Kemi besuar tek krijimi i një hapësire ku sillen zërat diversë të bashkësisë, përfshi selefitë. Këto reagime nuk janë sulme kundër selefizmit, por kundër intolerancës ndaj diversitetit të pranuar tradicionalisht në fe. Nëse selefitë ngulmojnë të paraqesin qëndrimet e tyre si të kushtëzuara nga mohimi i të tjerëve, ata po dëmtojnë bashkësinë në tërësi, por edhe vetë traditën që mëtojnë të përfaqsojnë.

Atëherë cila është rruga prej këtu?

Së pari reagimet kundra imamit të xhamisë së Pazarit treguan problematikën e indoktrinimit fetar në bashkësinë tonë, e mbi të gjitha autoritarizmit si dhe një kulturë linçimi karakteri. Përgjigja është të përpiqemi të bëjmë pjesën tonë në prurje nga tradita apo studime bashkohore për të ofruar mundësi njohjeje për ata që dëshirojnë të konsiderojnë një lexim alternativ ndaj traditës tonë fetare, një traditë që përqafon në vend të përjashtojë. Siç kemi shkruar dhe më parë, motoja jonë është e përmbledhur nga vargu i Mevlana Rumit: Eja, eja, kushdo që të jesh, e jona nuk është rrugë e dëshpërimit.

Comments

  • Mos qofsha i gabuar, por kam dyshimin se autori i librit “Bustanul arifin”, eshte Ebu Lejth Samerkandi. Nje mini korrigjim qe nuk lidhet me thelbin e shkrimit. Ju falemnderit.

  • Ne fakt une kam nje pyetje me shume se nje koment qe shpresoj te me pergjigjeni;A deshmon kjo se KMSH eshte e perbere me te pakten dy fraksione ku secili vazhdon drejtimin e tij pa menduar se çfare po ndodh me imazhin e myslimaneve ne tere kete fushate denigruese mediatike pas sulmeve terroriste.

    • KMSH e ka mendjen te lufta me Erdoganin. Selefet e kane nderruar pllaken, kane heq dore nga rruga e drejte dhe kane kuptu se, per hir te rruges se drejte, duhet me i fut ca kthesa. Si fillim, disa flirte me sufistet gylenxhi te KMSH nuk do ishin keq. Gylenxhite duan legjitimim, selefite duan pak pushtet. Pazar i qeruar. Shtet paralel edhe ketu.
      Dhe per te ushtruar sportin e urdherimit per mire dhe ndalimit nga e keqja, selefite kerkojne grupe besimtaresh qe nuk iu prishin dot pune, si sufinjte, apo ndonje sekt tjeter, ku ushtrojne forcen e marrin mendjen e xhematit.
      Populli do ta haje, si perhere.

  • Më ndjeni doja të pyesja në lidhje me këto pyetje që ju bëni në shkrimin tuaj në formë argumentimi:
    1- A predikon Islami besimin se nëpërmjet dorëzimit ndaj Zotit mund të arrihet dije që nuk mund të arrihet në mënyrë të pavarur nga intelekti?
    2 -Çfarë është eksperienca profetike në shpellën e Hirës?
    3- Çfarë tjetër është misticizmi?
    Në fak kjo e treta mesa kuptoj, më korigjoni nëse e kam gabim, është rezultat i dy të parave. Atëherë sinqerisht nuk i kuptova këto pyetje? Për cfare dije behet fjale qe fitohet nga devotshmeria? dhe cfare lidhje ka veprimi i Profetit ne hira para se atij ti vinte shpallja? pra cfare dije fitoi ai nga kjo? ju falememinderit paraprakisht për përgjigjen.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *