Të jetuarit fërkueshëm





Redi Shehu

NdertimetNdërveprimi i shoqërisë moderne shqiptare me arkitekturën e saj, ka qenë dhe është një ndër ekuacionet më të vështira përt’u kuptuar, pa le pastaj, për t’u zgjidhur. Ndërkohë që ky ndërveprim në vende të standartizuara, ka bërë që raporti i qytetit me qytetarin të  jetë në një harmoni aksiologjike të atillë, sa të ndërtojë më pas një qytetërim të pajisur me aftësi ekspozuese dhe predikuese, duke influencuar vende dhe rajone të tëra. Vështirësia e ekuacionit tonë urbanistik, fillon që me premisën e një shoqërie si kjo e jona, e cila në situatën e degradimit të autoriteteve lokale në kontrollin e urbanizimit të vendit , është kthyer në një sh.p.k-shoqëri, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar deri në limitet e vetjakes, ku secili imponon normat e veta urbane dhe  konceptin e tij për atë që mund të quhet estetikë.

Kështu, si pasojë e kësaj, ne përftojmë një ndërveprim informal mes qytetit dhe individit, pastaj të qytetit me vetë qytetin (periferitë), duke ndërtuar vetëm një “aks vëmendjeje” të fokusuar drejt qëndrës së qytetit. Për pasojë kemi një piramidë gjeografike jo të drejtë, ku qëndra si aksi i vëmendjes urbane, rrethohet nga rrëmujologjia e cila degradon sa më shumë që rrathët e qytetit i largohen këtij aksi  vëmendjeje.

Ndërveprimi i faktorëve dinamikë, siç janë njerëzit dhe komunitetet, dhe faktorëve statikë siç janë produktet, ndikon në reflektimin emocional dhe funksional të kuptimit të qytetit. Formimi i arkitekturës së qyteteve bëhet jo vetëm duke vlerësuar të shkuarën dhe të tashmen e zhvillimeve urbane, por mbi të gjitha edhe duke përcaktuar perspektivën e së ardhmes. Si pasojë e faktorëvë dinamikë dhe statikë, Shqipëria ka shkëputur deri në zvenitje të shkuarën e saj arkitekturore, jeton në të tashmen kaotike dhe nuk di të thotë diçka për të ardhmen e saj urbane në kuptimin e të pranuarit  për të krijuar një të mirë të përbashkët kolektive, nuk di të japë një zgjidhje lidhur me vendin tradicional të jetesës të mishëruar në origjinalitetin dhe kulturën e saj, dhe zhvillimeve teknologjike me gjithë sfidat që ato mbartin.

Nëse sjellja jonë mund të konceptohet si një tërësi sekuencash dinamike rregullimesh dhe rirregullimesh të ambientit tonë fizik dhe social, në të njëjtën mënyrë sjellja e ambientit urban ndaj nesh, përmblidhet në ndikimin e drejtpërdrejt të tij në lidhjet tona personale me veten dhe me fqinjësinë. Arkitektë dhe urbanistë shqiptarë kanë theksuar se ne nuk kemi arritur akoma fazën e zhvillimit të një urbanizimi të mirëfilltë në Shqipëri, sepse akoma sorollatemi brënda asaj që quhet ndërtimtari. Që ndërtimtaria jonë të kalojë caqet e saj dhe të transformohen në një sens të arkitekturës urbane, mendoj se duhen hedhur hapa të rëndësishëm drejt dy nocioneve thelbësore me ndikim direkt në ambientin social, siç janë; një estetikë kolektive konsensuale dhe një etikë kolektive natyrale.

E para, estetika kolektive konsensuale përqëndrohet në faktin e të krijuarit të një konsensusi social mbitë bukurën urbane të cilën duam ta zbatojmë. Edhe pse kemi organizuar dëgjesa publike lidhur me projektet urbane përsëri, komunitetet lokale, nuk kanë arritur vërtet të  influencojnë këto elementë të strukturës urbane tek ne. Por ama, nocioni i  parë i estetikës kolektive, nuk mund të arrihet pa implementuar në shoqëri nocioni e dytë, atë të etikës kolektive. Etika kolektive e do që konceptet e të mirës sociale dhe të drejtësisë sociale, të jenë të konsoliduara në atë masë saqë të ndikojnë direkt në estetikën urbane. E mira sociale dhe drejtësia, janë parime të instaluara përmes institucionesh të konsoliduara të  cilat nuk lejojnë abuzivizmin, korrupsionin, tahmanë, interesin imediat, të shkatërrojnë përfundimisht të përbashkëtën. Ne sot, nuk kemi estetikë kolektive urbane sepse mbi të gjitha nuk kemi etikë kolektive, nuk jemi aq të mirë dhe aq të drejtë me veten dhe vendin sa të kemi luksin të shijojmë estetikën në formën më të bukur dhe konsensuale.

Pasoja e gjithë kësaj është fakti i të ekzistuarit të qyteteve e sidomos kryeqytetit tonë në formatin e “të jetuarit fërkueshëm”. Ne jetojmë  fërkueshëm me njëri-tjetrin, sepse gjeometrizimi i hapësirës urbane nuk u bë mbi kriteret etike të asaj çka është e mirë dhe e drejtë publike, por mbi disa etika të çuditshme individuale të padronëve lokalë. Të jetuarit fërkueshëm rëndon të gjitha format e patologjive dhe gjendjeve sociale.  John B. Calhoun, një shkencëtar amerikan i specializuar në kërkime rreth sjelljeve sociale dhe i njohur për studimet e tija mbi dendësinë e popullsive dhe efektet e tyre, bën një eksperiment për të treguar ndikimet negative të dendësisë në shoqëri. Ai merr një numër të konsiderueshëm minjsh laboratori  dhe i vendos brënda një hapësire të ngushtë e të kufizuar. Ndërkohë, kujdeset që furnizimet me ujë dhe ushqime si dhe të gjitha shërbimet e nevojshme të mos u mungojnë për asnjë çast. Megjithëse asgjë nuk u mungoi minjve, Calhoun vërejti shfaqje të sjelljeve agresive mes tyre, vdekshmëri të lartë foshnjore tek minjtë, kanibalizëm me njëri-tjetrin, sjellje deviante seksuale dhe tërheqje totale nga jeta kolektive e minjve dhe mbyllje në vetvehte, si pasojë e ngushtimit të hapësirës.

Eskperimenti i Calhoun është treguesi më domethënës i faktit se si arkitektura ndikon në sjellje. E në fakt, është më se e vërtetë që densiteti i lartë i ndërtimit duke mos respektuar hapësirat gjeometrike urbane, rrit ndjenjën e vetmisë duke sjellë mbylljen e individit.  Fakti që ne jetojmë kaq afër njëri-tjetrit, do të linte përshtypjen e një jete më kolektive, por në fakt, densiteti i lartë i ndërtimit, jep efektin e kundërt, atë që edhe pse jemi ngjitur jetojmë gjithmonë e më larg me tjetrin, sepse ambienti i ndërtuar, nuk takohet me pritshmërinë sociale ku simptomat e minjve kanë pak ndryshim me simptomat e individëve të shoqërive moderne me densitet të lartë ndërtimi.

Ta ndryshosh atë që po ndodh me hapësirën urbane në Shqipëri, është një iniciativë që vërtitet në kufinjtë e surreales.Është e vështirë të vizatosh bukur në një letër të bardhë, imagjino sikur të jesh i detyruar të vizatosh mbi një letër të shkarravitur se  sa e pamundur është. Kështu, edhe tentativat për të përmirësuar arkitekturën urbane tonën, janë të ngjashme me përpjekjet e
atij që është i detyruar të vizatojë të bukurën mbi një shkarravinë. Pa dashur të jemi pesimistë, por duke qenë të bindur se pesimizmi ne shumë raste konsiderohetsi optimizmi i të mënçurve, duhet që përpjekjet tona përmirësuese urbane të jenë detyrimisht dhe paralelisht të koordinuara me përpjekjet tona përmirësuese në sferën etike.

 

Comments

  • Flm Shehut per kete qasje. Debate te tilla per situaten tone urbane jane shume te nevojshme dhe shpresojne te vazhdojne.

  • pergezime autorit, sidomos per ate qe jo vetem analizon po edhe jep qarte rrugedaljen.
    Vecse tek rilexoja “Lumi i Madh” i Kutelit, me kaloi nder mendje qe ky problem i shqiptareve nuk eshte kaq modern, po i ka rrenjet pak me te thella, ndoshta qe ne formesimin e shoqerise sone. Dhe nga elementet baze ne formesimin e nje shoqerie, une do te vecoja ( te pakten per temen ne fjale ) vetedijen per 2 pika, – Diten e Gjykimit dhe – cdo gje ka shpirt , qofte dru, gur ose kafshe.
    Mungesa e projeksionit te veprave kundrejt nje perjetesie, qe do perfshije edhe gjykimin mbi sjlelljet tona, i ka bere shpesh shqiptaret te nderrmarin eksperimente shume te cuditshme jo vetem mbi gur, dru dhe kafshe, po edhe mbi veten.
    Kesisoj, ajo keshilla e fundit per permiresimin e sferes etike, i bie te jete shpresa e fundit per te qene fitimitare ne Gjyqin e Fundit

  • Artikulli eshte marre nga gazetastart. Shkrim i dt 21.04.2014
    Ja pra ta vertetuam.Eshte me etike kur publikohet burimi

    • Me vjen mire qe jeni kaq te vemendshem nda cdo gjeje te faqes sone, por perpara se te kerkosh etike duhet ta kesh ate. Qe te kesh etike, duhet qe te mos akuzosh te tjeret pa u siguruar qe ata kane gabuar.
      Te siguroj se ne asnje rast dhe asnje menyre ne nuk marrim shkrime nga te tjeret pa cituar se nga i kemi marre. Ky shkrim eshte sjelle ne kete faqe nga vete autori dhe kjo e ben mese legjitime botimin tone. Nese autori ka zgjedhur ta botoje edhe ne faqe te tjera, kjo eshte dicka qe i perket raportit te tij me ato faqe dhe nuk eshte problem midis nesh me to.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *